Portugali përballet me Francën!

Vetëm pesë javë pas sfidës në Saint–Denis Portugalia dhe Franca do të përballen sërish, këtë herë për të mbyllur përfundimisht llogaritë e Grupit të Tretë, në Divizionin Elitar të Ligës së Kombeve

Një muaj më parë këto dy skuadra përfaqësuese e mbyllën takimin me statistika të barabarta në cdo aspekt: mbajtjen e topit, tentativat drejt portës kundërshtare, goditjet në kuadrat apo qoftë edhe gjuajtjet jashtë, e për rrjedhojë në Stade de France dy ekipet nuk shkuan dot përtej një barazimi pa gola. Padyshim takimi Portugali–Francë përfaqëson takimin më të fortë, të mbrëmjes që hap serinë e ndeshjeve të parafundit në fazën e grupeve, në edicionin e dytë të Liga e Kombeve.

Përballë do të vihen përsëri kampionët në fuqi të Ligës së Kombeve me kampionët në fuqi të botës. Një sfidë e vecantë, që pritet të zgjidhë enigmat e këtij grupi, duke marrë parasysh faktin që Portugalia dhe Franca kryesojnë Grupin e Tretë, në divizionin më të rëndësishëm, në kuotën e 10 pikëve, ndërsa Kroacia dhe Suedia tashmë janë eliminuar, teksa pozicionohen në vendin e tretë dhe të katërt, respektivisht me nga 3 dhe 0 pikë.

Dy skuadrat përfaqësuese do të zbresin në fushë pas rezultateve të ndryshme që siguruan në mesjavë në ndeshjet miqësore. Kombëtarja luzitane mundi thellë në “Da Luz” të Lisbonës Andorrën me rezultatin 7-0, takim ku ylli i ekipit Cristiano Ronaldo ngushtoi akoma më shumë diferencën me sulmuesin iranian Ali Daei, që është edhe golashënuesi më i mirë në historinë e skuadrave përfaqësuese, me 109 gola.

35-vjeçari nga Madeira shënoi golin e tij të 102 me fanellën e përfaqësueses, në ndeshjen e tij të 168 me kombëtaren portugeze. Gianluigi Buffon dhe Sergio Ramos për momentin janë në kuotën 176, sidoqoftë pavarësisht fizikut të jashtëzakonshëm që ka ylli portugez do të jetë vërtet shumë e vështirë për të thyer në këtë lloj statistike kapitenin e Spanjës, sepse përvecse ka tetë takime më shumë mbrojtësi andaluzian është gjithashtu edhe një vit më i vogël se Ronaldo. Kapiteni i skuadrës portugeze duket në formë shumë të mirë, pasi nxorri nga trupi më në fund virusin Covid–19.

Me golin e realizuar ndaj modestëve të Andorrës Cristiano barazoi të madhin Ferenc Puskas, në kuotën e 746 golave të shënuar në karrierë dhe përpara tij tani mbeten vetëm Pele, Romario dhe ish-sulmuesi i Austrisë dhe Cekosllovakisë Josef Bican, që nga 1931 deri në vitin 1955 shënoi 805 gola në pothuajse cerek shekulli. Dy përfaqësueset ndahen nga vetëm 91 pikë dhe pozicionohen në pesëshen e parë në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s: Franca në vendin e dytë, ndërsa Portugalia pozicionohet në vendin e pestë në këtë lloj renditjeje. Që nga disfata e papritur me Uruguajin, në fazën e 1/8 në botërorin rus Portugalia ka humbur vetëm 1 nga 22 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, pikërisht atë në Olimpiyskiy të Kievit me Ukrainën, 13 muaj më parë. Golin e vetëm në tetë sfidat e fundit në të gjithë aktivitetet skuadra luzitane e ka pësuar në kohën shtesë nga sulmuesi i Dinamos së Zagrebit Bruno Petkovic, ndërkohë në krahun tjetër “gjelat” kishin fituar 10 takime dhe barazuar vetëm 2 përpara se të mundeshin në mënyrë krejtësisht të papritur brenda në kryeqytetin francez nga përfaqësuesja e Finlandës.

66-vjecari Fernando Santos nuk ka asnjë problem dëmtimi dhe i ka të gjithë në dispozicion, ndërsa kolegu i tij Didier Deschamps është duke u lutur që ylli i bluve Kylian Mbappe të riaftësohet në kohë dhe të hedhë pas krahëve problemet fizike për të udhëhequr sulmin e skuadrës transalpine. Te vendasit spikat Joao Felix që ka shënuar në 4 nga 5 ndeshjet e fundit me Portugalinë dhe Atleticon e Madridit, ndërkohë në anën tjetër të fushës ish-sulmuesi i “los colchoneros” Antoine Griezmann do të bëj cmos për të shënuar një gol, për t’u barazuar në vendin e katërt me një lojtar si David Trezeguet, në listën e golashënuesve më të mirë të përfaqësueses franceze. Blutë kryesojnë bindshëm bilancin e përgjithshëm ndërmjet tyre 18-6 me fitore, sidoqoftë nga gjithë përballjet që kanë patur këto dy vende vetëm 5 kanë qenë sfida në ndeshje kompetitive. E kurioz është fakti që 4 nga këto 5 përballje janë mbyllur në barazim në kohën e rregullt.

Takimi Portugali–Francë do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin Da Luz të Lisbonës dhe do të drejtohet nga arbitri gjerman Tobias Stieler. Dueli tjetër i këtij grupi Suedi – Kroaci ka rëndësi gjithashtu për të kuptuar se cila nga këto dy skuadra përfaqësuese do të ruajë vendin në divizionin elitar të Ligës së Kombeve.

Interes ngjall gjithashtu edhe Grupi i Katërt, ku po në orën 20:45 luhen edhe ndeshjet Zvicër–Spanjë dhe Gjermani-Ukrainë, ku duke lënë mënjanë ekipin helvet që mbyll grupin me vetëm dy pikë, tre përfaqësueset e tjera ndahen nga thjesht një pikë e vetme, megjithëse për hir të së vërtetës edhe në këtë grup gjithcka pritet të zgjidhet pikërisht me ndeshjen direkte të ditës së martë Spanjë–Gjermani, që do të mbahet në Qytetin e Sevilllës.

Ngjarja paraprake

Në ITShKSh-Shkup filluan “Ditët e Alfabetit”

Ngjarja e ardhëshme

Prindër, fëmijëve duhet thënë ndonjëherë “JO”

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian