Politologu bullgar flet për situatën në veri të Kosovës, kritikon BE-në dhe SHBA-në për ‘lëshime’ ndaj Serbisë

Situata në Ballkanin Perëndimor, për momentin është e turbullt, me Serbinë që po tenton në çdo mënyrë të krijojë konflikte të reja, si me Kosovën, ashtu edhe me Bosnjën dhe Malin e Zi.

I gjithë ky ‘vrull’ i Serbisë vjen si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, që po e shfrytëzon këtë luftë për qëllime konfliktuale.

Si duket, shteti serb në krye me Beogradin, kanë filluar t’i trazojnë ‘ujërat’ në Ballkan në mënyrë që të parapërgatit që në rast se korr Rusia sukses me luftën e saj në Ukrainë, të ketë mbështetje për realizimin e qëllimeve të saja kriminale.

Për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, ndikimin rus në rajonin tonë dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, në një intervistë ekskluzive ka folur albanologu dhe politologu bullgar, Dr. Anton Pançev.

Fillimisht, ai u shpreh skeptik për sa i përket mundësisë së përfundimit të luftës në Ukrainë, derisa përmendi edhe ndikimin e këtij agresioni rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

kësaj, Pançev tha se çështja e sigurisë në rajonin tonë është prekur nga agresioni rus dhe se shumica e këtyre problemeve burojnë nga politika agresive serbe ndaj fqinjëve të Serbisë.

Ndër të tjera, politologu bullgar foli edhe për mundësinë e një inkursioni në veri të Kosovës, e që sipas tij një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse Rusia shënon fitore ndaj Ukrainës, dhe e mbështetë Serbinë.

Po ashtu, ai komentoi edhe situatën aktuale në veri dhe barrikadat e vendosura nga bandat serbe.

“Serbia gjithmonë e ka përdorur nëntokën kriminale për realizimin e planeve të saj gjeopolitike përmes trazirave dhe spastrimeve etnike, të shkaktuara edhe nga këto struktura. Në Bruksel mendojnë se këta njerëz janë liderë të serbëve të Kosovës dhe duhet të jenë pjesë për rregullimin e problemeve, por ata shkaktojnë tensione dhe vazhdojnë ta destabilizojnë situatën”, theksoi Pançev për “Bota sot”.

Madje, ai kritikoi qasjen e BE-së dhe SHBA-së ndaj Serbisë, e që sipas tij po nxitin shtetin serb të shkaktojë trazira te shtetet fqinje.

Image

Dr. Anton Pançev

Intervista e plotë me Dr. Anton Pançevin

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni luftën tashmë 10 mujore të Ukrainës kundër pushtimit rus? A do t’ia dalë Perëndimi, që në Ukrainë, të evitojë ndonjë sulm bërthamor rus, dhe që lufta të ndërpritet?

Dr. Anton Pançev:Populli ukrainas është shumë trim dhe qëndresa e tij kundër agresionit rus meriton vetëm respekt. Ndoshta pak njerëz kanë besuar që Ukraina jo vetëm që do të mbijetojë këto sfida tepër të rënda, por edhe do të ndërmerrte kundërsulme të suksesshme. Nga ana tjetër, edhe pse Rusia ka humbur shumë, nuk mendoj se mund t’i përdorë armët bërthamorë, sepse një sulm i tillë do të shkatërronte plotësisht të ardhmen e vet Rusisë.

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni ju fundin e kësaj lufte? Do të kemi një Rusi të dorëzuar, një pushtet autokrat të Putinit të rrëzuar apo cili do të jetë fati i saj?

Dr. Pançev:Për fat të keq fundi i luftës nuk shihet në horizont, sepse Rusia ende ka resurse të shumta ushtarake dhe Putini nuk do të heqë dorë nga ambiciet e tij. Unë nuk i njoh mirë proceset e brendshme në Rusi edhe ndoshta pak të huaj i dinë për shkak të mbylljes së vendit, por më duket se shumica e popullsisë atje vazhdon të jetë besnike ndaj politikës agresive të Putinit. Pra, tani për tani, nuk ekzistojnë kushte që pushteti i tij rrëzohet.

Gazeta “Bota sot”: Sa ka ndikuar kriza ukrainase në Ballkan për sa i përket sigurisë?

Dr.Pançev:Agresioni rus në Ukrainë ka ndikim negativ në fushën e energjisë, në fushën e ekonomisë, në sferën politike, d.m.th. i ka prekur të gjitha aspektet e sigurisë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, por në rajonin tonë ka mjaft probleme me karakter të ndryshëm. Shumica e këtyre problemeve burojnë nga politika agresive serbe ndaj fqinjëve të Serbisë.

Gazeta “Bota sot”: Ju jeni njohës i mirë i proceseve rajonale. Si i komentoni proceset politike në rajon e me theks të veçantë ndikimin rus pas fillimit të luftës në Ukrainë. Si i shihni ju nga këndvështrimi juaj këto zhvillime?

Dr. Pançev:Bota dhe në veçanti Ballkani kanë hyrë në një kohë më të turbulltë dhe shtetet me ambicie dhe me resurse më të mëdha bëjnë përpjekje edhe më të përforcuara për realizimin e qëllimeve të tyre. Bullgaria zë një vend të veçantë në këto procese, sepse shteti bullgar është ndër furnizuesit kryesorë të ushtrisë ukrainase me armë dhe municione. Mund të jepen edhe disa fakte në këtë drejtim. Vetëm për 8 muajt e parë të këtij viti kompanitë bullgare kanë eksportuar armë dhe municione më shumë se një miliardë e dyqind milionë euro dhe shumica e këtyre armëve dhe municioneve janë për Ukrainën. Gjithashtu, Bullgaria i ka dërguar Ukrainës 225 milionë euro ndihma të ndryshme, si edhe produkte të naftës në vlerë mbi 350 milionë euro, ka strehuar dhjetëra mijëra refugjatë – shumë prej tyre me origjinë bullgare. Të gjitha këto rrethana e kthejnë Bullgarinë në faktor të rëndësishëm të stabilitetit në rajonin tonë.

Gazeta “Bota sot”: Po ashtu, Serbia vazhdon të mbajë qëndrim neutral për luftën në Ukrainë dhe nuk po vendosë sanksione ndaj Rusisë. Bazuar në këtë a do të duhej që të pezullohej procesi i anëtarësimit të saj në BE?

Dr. Pançev:Ka shumë arsye që Serbisë t’i pezullohen jo vetëm negociatat për anëtarësim, por edhe Beogradi të kthehet prapa në këtë proces – politika agresive e Beogradit ndaj Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi, pastaj e kemi mbështetjen faktike serbe për Rusinë, kemi edhe politikën shtypëse të Serbisë ndaj pakicave në këtë shtet. Serbia është shumë agresive në politikën e saj, por zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian nuk reagojnë në mënyrën e duhur, sepse në Bruksel dominon fryma e zgjerimit mekanik të Unionit – të plotësohen shumë kritere teknike, pa u përqendruar mbi jetësimin real të vlerave të BE-së në shtetet dhe në shoqëritë përkatëse. Në Bruksel mendojnë se me shtimin e numrave të shteteve anëtare Bashkimi Evropian do të përforcohej, por kjo është një qasje shumë e gabueshme. Në BE duhet të hyjnë shtete, në të cilat vlerat evropiane – të drejtat e njeriut, marrëdhëniet paqësore me shtetet e tjera, ruajtja e trashëgimisë kulturore, luftimi i doktrinave raciste dhe nacionaliste etj. – janë rrënjosur thellë në shoqëritë e tyre. Hyrja e shteteve të pareformuara, madje edhe vazhdimi i negociatave me to, si është rasti i Serbisë, por edhe ky i Maqedonisë së Veriut, vetëm do të dëmtojë vet Bashkimin Evropian, sepse do të futen përçarje dhe mosmarrëveshje të thella brenda Unionit.

Gazeta “Bota sot”: Krahas kësaj, së fundi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar. Në veri të Kosovës ka pasur sulme dhe shpërthime nga pakicat serbe, ndërsa barrikadat janë sërish aty, dhe madje as BE e SHBA (Lajçak e Eskobar) nuk i bën thirrje Vuçiqit, që ta bëjë largimin e tyre. Si e vlerësoni këtë?

Pançev:Ata thirrjet i bëjnë, por këto thirrje nuk mbështeten me veprimet e duhura. Serbia, edhe pse një shtet relativisht i dobët nga pikëpamje ekonomike dhe ushtarake, ka aftësi ideologjike dhe shoqërore që të zhvillojë një politikë aktive në fushën e jashtme dhe ka fituar ndonjë lloj respekti në marrëdhëniet me fuqitë e mëdha. Kjo është një arritje e shoqërisë dhe e klasës politike serbe që nuk mund të mohohet. Serbia ka ngritur që moti një rrjet propagandistik në shtete të rëndësishme perëndimore, njëkohësisht politikanët serbë kanë dinjitet, nuk heqin dorë nga interesat serbe dhe i rezistojnë presionit perëndimor. Politikanët bullgarë dhe shqiptarë vetëm mund të marrin mësime nga Beogradi si po mbrohet politika kombëtare, qoftë edhe e gabuar.

Gazeta “Bota sot”: Për zbutjen e këtyre tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit, janë angazhuar më fuqishëm BE-ja dhe SHBA-ja. A vlerësoni se do duhej ashpërsuar qasja ndaj shtetit serb, për rrezikimin e paqes me bashkëpunimin me Rusinë, përfshirjen e grupit Wagner në veri etj.?

Dr. Pançev:Nuk është sekret se BE-ja dhe SHBA-ja kërkojnë që edhe Serbia të kalojë në “kampin perëndimor” dhe të largohet nga Rusia. Për realizimin e këtij qëllimi Brukseli dhe Uashingtoni i bëjnë lëshime të shumta Beogradit. Kjo është një qasje tepër e gabuar për disa arsye. Së pari, kështu Beogradi nxitet në rrugën e agresionit ndaj fqinjëve. Së dyti, në shtete të tjera në rajonin e Ballkanit po rritet euroskeptizmi duke shikuar që realisht Serbia nuk ndëshkohet për shkak të veprimeve të saj ekspansioniste. Bashkimi Evropian, shtetet anëtare, por edhe SHBA-ja duhet të veprojnë në mënyrë parimore dhe të mbrojnë në të vërtetë vlerat që promovojnë me dekada dhe që janë në thelb të qytetërimit euroatlantik – marrëdhëniet paqësore midis shteteve, mbrojtja e të drejtave të njeriut, luftimi i dukurive të shëmtuara si racizmi, shovinizmi etj. Duke i anashkaluar këto parime për hir të kalkulimeve gjeopolitike, BE-ja dhe SHBA-ja do të humbin jo vetëm miqtë e tyre në Ballkan, por do të minojnë edhe tërë politikën e tyre të jashtme.

Gazeta “Bota sot”: A mendoni se ekziston rreziku i një inkursioni në veri të Kosovës, përmes bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë?

Dr. Pançev:Nuk besoj se Serbia mund të dërgojë trupa ushtarake në mënyrë të hapur, por grupacione ekstremistësh pa dyshim. Politikanët serbë nuk kanë hezitim moral dhe do ta dërgonin ushtrinë e tyre, por e kanë të qartë se Serbia do të përballej në një rast të tillë me përgjigje të fortë ushtarake dhe politike nga ana e NATO-s. Por, si hipotezë, nëse në vitet në vijim agresioni rus ndaj Ukrainës do të kishte ndonjë lloj suksesi, Serbia do të shqyrtonte me seriozitet përdorimin e ushtrisë së saj kundër Kosovës dhe jo vetëm.

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni çështjen e barrikadave në veri? Dhe pse po lejohen skena të tilla, pasi është e qartë që ngjarje të tilla po kryhen nga bandat serbe në veri, që kontrollohen nga Serbia?

Dr.Pançev:Kam përkthyer në bullgarisht librin e znj. Fetnete Ramosajt “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë” dhe falë punës së madhe të Fetnetes (pushoftë në paqe!) e di mirë historinë e dhunshme të këtyre bandave. Serbia gjithmonë e ka përdorur nëntokën kriminale për realizimin e planeve të saj gjeopolitike përmes trazirave dhe spastrimeve etnike, shkaktuar edhe nga këto struktura. Në Bruksel mendojnë se këta njerëz janë liderë të serbëve të Kosovës dhe duhet të jenë pjesë nga rregullimi i problemeve, por ata i shkaktojnë dhe vazhdojnë ta destabilizojnë situatën.

Gazeta “Bota sot”: Sa besoni se do arrihet një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, si thuhet në pranverë, e cila do ta përmbyllte dialogun shumëvjeçar mes dy shteteve?

Dr. Pançev:Nuk besoj se mund të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse kaq shpejt jo vetëm sepse ka probleme të shumta dhe të rënda që duhet zgjidhur, por edhe për shkak të taktikës serbe për ngadalësimin e negociatave. Serbia pret rezultatet nga lufta në Ukrainë me shpresa se pas përfundimit të kësaj lufte Rusia do të kishte një pozitë më të favorshme në skenën globale dhe si pasojë Serbia do të kishte më shumë fuqi në skenën rajonale përballë Kosovës dhe shteteve të tjera. Nuk duhet të harrojmë edhe se shoqëria serbe ushqehet nga nacionalizmi ekstrem dhe shumica e qytetarëve serbë nuk dëshiron ta pranojë realitetin gjeopolitik dhe etnik, duke ëndërruar për realizimin e planeve për dominim në Ballkan.

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni çështjen e shqiptarëve në Maqedoni V.? Si ndodhi, që shqiptarët dikur ishin shtetformues, në komunizëm, sot të mos i njihet kjo e drejtë?

Dr. Pançev:Shqiptarët në këto troje pas okupimit serb në vjeshtën e vitit 1912 kanë përjetuar shumë fushata shfarosëse nga autoritetet serbe/jugosllave. Një fat të ngjashëm kanë pasur edhe bullgarët e Maqedonisë së Vardarit që u bënë objekt i asimilimit përmes elaboratave serbomëdha. Torturat, vrasjet masive, shpërnguljet, asimilimi i bullgarëve dhe i shqiptarëve nën regjimin serb/jugosllav kanë qenë pjesë nga strategjia serbe për dominim në këto troje. Fundi i Luftës së Dytë Botërore ua dha Beogradit dhe Moskës rrethanat e përshtatshme për realizimin e planeve të tyre gjeopolitike. U vranë dhjetëra mijëra bullgarë dhe shqiptarë, mbi qindra mijëra të tjerë u burgosën dhe u torturuan, në Maqedoninë e atëhershme u instalua regjim i egër totalitar që përndiqte çdo person me ndjenjë kombëtare bullgare dhe shqiptare dhe çdo manifestim të vetëdijes bullgare dhe shqiptare. Për fat të keq, krijimi i Republikës së Maqedonisë në fillim të viteve të ‘90-ta nuk solli përmirësim, por të kundërtën – në Shkup u instalua një regjim shovinist me mbështetjen e Beogradit që i vazhdoi politikat serbomëdha ndaj shqiptarëve dhe bullgarëve. Populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut me shumë sakrifica e ka përfituar një pjesë prej të drejtave që i meriton dhe e ka hapur rrugën edhe për komunitetet e tjera në këtë vend që do ta transformojë Maqedoninë e Veriut në një shtet demokratik ku të gjitha komunitetet do të jenë të barabarta.

Gazeta “Bota sot”: A mund të ndodhë që këtë të drejtë ta fitojë pakica bullgare, pra të bëhet shtetformuese me Kushtetutë, ndërsa shqiptarët të mbeten thjesht si pakicë, edhe pse duket qartë që mbase formojnë komunitetin më të madh, nëse do të kishte një regjistrim real, e të lirë?

Dr. Pançev:Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut njeh “pjesë nga popujt” dhe organizatat e bullgarëve në këtë shtet kërkojnë që të drejtat e tyre individuale dhe kolektive të barazohen me komunitetet e tjera. Pra, bullgarët në Maqedoninë e Veriut nuk dëshirojnë asgjë më shumë dhe asgjë më pak nga komunitetet e tjera, por të gjitha të drejtat e tyre duhet të jenë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të këtij shteti. Natyrisht, në këto të drejta përfshihen edhe të drejtat e identitetit, të trashëgimisë kulturore, të gjuhës etj., sepse komuniteti bullgar në Maqedoninë e Veriut duhet t’i gëzojë të gjitha të drejtat, që parashihen në legjislacionin e shtetit. Është puna e komuniteteve të ndryshme etnike në këtë shtet si do të rregullojnë Kushtetutën dhe bazën juridike të vendit të tyre, por Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të transformohet në një entitet ku të gjitha komunitetet i kanë të drejta të barabarta dhe nuk duhet të ketë asnjë diskriminim mbi baza etnike. Të tilla janë vlerat evropiane dhe në këtë drejtim nuk mund të ketë kompromise.

Gazeta “Bota sot”: Si i shihni raportet mes Kosovës e Bullgarisë. Si mendoni se duhet të zhvillohen këto marrëdhënie mes nesh edhe më shumë?

Dr. Pançev:Raportet midis Bullgarisë dhe udhëheqjes së Krahinës së atëhershme të Kosovës kishin filluar që në vitet e ‘70-ta të shek. XX. Pastaj në fund të viteve të ‘90-ta Bullgaria e ka dhënë kontributin e saj për mbrojtjen e popullit të Kosovës nga gjenocidi organizuar nga Millosheviqi dhe regjimi i tij. Bullgaria e ka vazhduar ndihmën e saj me operacionin paqeruajtës, me njohjen e shpejtë të pavarësisë, me opinionin e saj në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë si edhe me akte të tjera politike dhe juridike në nivel ndërkombëtar. Relativisht mirë po zhvillohen edhe marrëdhëniet në sferën e kulturës dhe këtu duhet ta veçojmë punën profesionale të diplomatëve kosovarë dhe bullgarë respektivisht për zhvillimin e marrëdhënieve tona. Ka shumë punë për të bërë në fushën e kontakteve ekonomike. Nga ana tjetër, Bullgaria, si anëtare në Bashkimin Evropian dhe me më shumë mundësi objektive, nuk ka një politikë aktive në rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe shpesh shteti bullgar shkon pas ngjarjeve. Bullgaria duhet të jetë më aktive në arenën ndërkombëtare dhe të financojë më shumë projekte në mbështetje të Republikës së Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Si i vlerësoni marrëdhëniet ndërmjet bullgarëve dhe shqiptarëve gjatë historisë dhe tani? Çfarë mundësish ka për bashkëpunime dhe cilat do të ishin pikat afruese?

Dr. Pançev:Historikisht marrëdhëniet bullgaro-shqiptare në të vërtetë kanë qenë të mira me disa përplasje të shkurtra. Dhe tani këto marrëdhënie janë të mira, por nuk janë të zhvilluara në nivelin e duhur dhe ndërmjet Bullgarisë dhe shteteve shqiptare nuk ka një partneritet strategjik, edhe pse i kemi të gjitha premisat e nevojshme për ngritjen e marrëdhënieve tona në një shkallë të tillë. Natyrisht, marrëdhëniet bullgaro-shqiptare duhet të shqyrtohen përmes prizmës së proceseve rajonale. Në këtë kontekst duhet të rikujtojmë pozitën e Bullgarisë në rajonin e Ballkanit. Bullgaria është vendi qendror në rajonin tonë nga pikëpamje gjeografike, është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Bullgaria ka edhe disa përparësi të tjera – sistemi më i zhvilluar energjetik në Ballkan (Bullgaria në përgjithësi është eksportuesi i dytë i energjisë elektrike në tërë Bashkimin Evropian); është prodhues i madh i drithërave, i lulediellit, i bakrit dhe i produkteve të tjera strategjike; është prodhues dhe furnizues i rëndësishëm i armëve dhe i municioneve. Në fushën e jashtme Bullgaria nuk ka probleme dhe presione të rënda mbi interesat e saj thelbësore. Me resurset tona modeste në vitet (ose dekadat) në vijim do ta zgjidhim në favor bullgar kontestin me Shkupin. Të gjitha shtetet e tjera ballkanike kanë përplasje të rënda me ndonjë fqinj, kurse shumë prej tyre kanë edhe jostabilitet energjetik dhe ekonomik.

Në këto rrethana gjeopolitike nga pikëpamje bullgare a do të ketë apo nuk do të ketë marrëdhënie strategjike ndërmjet Bullgarisë dhe shteteve (dhe organizatave) shqiptare, varet kryesisht nga faktori politik dhe intelektual shqiptar. Është normale që Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të kenë prioritete të ndryshme, por nëse faktori shqiptar në përgjithësi ka interes për bashkëpunim strategjik me Bullgarinë, mund të paraqesë një qëndrim të konsoliduar në Sofje dhe ajo do të shqyrtohet me vëmendje nga institucionet përgjegjëse bullgare. Ky qëndrim eventual duhet të mbështetet nga faktorët vendimmarrës në shtetet dhe organizatat politike shqiptare, duhet t’i trajtojë në mënyrë komplekse marrëdhëniet tona dhe të përmbajë propozime të qarta dhe të garantuara për palën bullgare. Nëse faktori intelektual dhe politik shqiptar nuk mendon se Bullgaria është faktor i rëndësishëm ose nuk mund të bashkohet për veprime të tilla, për ne nuk është problem dhe nuk mund të priten dot veprime antishqiptare në Bullgari. Gjithsesi, në përballimin e shqiptarëve me sfidat e ndryshme, ata i kanë simpatitë tona më të sinqerta.

Biografi

Anton Pançev ka studiuar në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku ka mbaruar Degën e Shkencave Politike (1997-2002, Master) dhe Degën e Ballkanistikës (2000-2005, Master). Në periudhën 2006-2007 ka studiuar shqip në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2013 e ka mbrojtur disertacionin me temë për zhvillimet politike në Shqipëri pas vitit 1991 dhe e ka marrë titullin Doktor i Shkencave politike. Nga viti 2009 është profesor asistent në Degën e Ballkanistikës, ku ligjëron shqip dhe disa lëndë zgjedhore për zhvillimet politike në Ballkan. Ka mbi 60 punime shkencore në shqip, bullgarisht dhe anglisht, të botuara në disa vende, në të cilat trajtohen marrëdhëniet bullgaro-shqiptare nga pikëpamja historike, politike dhe gjuhësore. Ka marrë pjesë në mbi 40 konferenca shkencore në Bullgari dhe në vende të tjera. Ka përkthyer 10 libra nga shqip, në bullgarisht dhe anasjelltas dhe shumë tekste të tjera. Merret edhe me analiza politike për gazeta, revista dhe TV, ku në fokus janë marrëdhëniet bullgaro-shqiptare. Nga viti 2013 është anëtar i Institutit Shkencor Maqedonas në Sofje, që është themeluar në vitin 1923 nga intelektualë të shquar bullgarë nga Maqedonia me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë historike, kulturore dhe shpirtërore bullgare në territorin historik të Maqedonisë. Është anëtar bordi i shumë revistave shkencore.

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

Story i mëparshëm

Kushëriri i të riut që vdiq nga dhëmballa, me lot në sy kërkon drejtësi

Story i radhës

Lushaku-Sadriu: Gratë e LDK-së luajtën rol vendimtar për jetësimin e vizionit për liri

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish