Policia bën bilancin, 135 të arrestuar dhe 6 persona të shpallur në kërkim në një javë

Strukturat e Policisë së Shtetit është angazhuar 24/7, në çdo qark, me qëllim parandalimin, evidentimit dhe goditjen e paligjshëmrive, si dhe goditjen e grupeve kriminale dhe sekuestrimin e lëndëve narkotike.

Njoftimi:

Strukturat e Policisë së Shtetit, të angazhuar 24/7, në çdo qark të vendit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, në cilëndo formë të shfaqjes së tyre.

Kontrolle të vazhdueshme në pkk-të e vendit, në ambiente dhe subjekte të ndryshme tregtare, për të parandaluar tregtimin e kundërligjshëm të lëndëve piroteknike.

Mijëra fishekzjarre dhe kapsolla u sekuestruan, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, gjatë festave të fundvitit.

Gjatë kësaj jave janë finalizuar 16 operacione policore, janë vënë në pranga 135 shtetas dhe janë kapur 6 persona në kërkim, autorë të dyshuar të veprave të ndryshme penale.

Policia e Shtetit dha kontributin e saj, krah për krah me partnerët, për finalizimin e megaoperacionit ndërkombëtar “Shield”, të koordinuar nga Europol, me fokus goditjen e trafikimit të barnave të falsifikuara dhe të substancave të rrezikshme për shëndetin.

Gjatë periudhës prill-tetor, 2022, Policia e Shtetit finalizoi 6 faza të këtij megaoperacioni, si rezultat i të cilave u vunë në pranga 14 shtetas dhe u sekuestruan medikamente me vlerë mbi 100 000 euro.

Në fushën e narkotikëve, në të gjithë vendin janë goditur 42 raste, të cilat kanë rezultuar me sekuestrimin e rreth 85 kg lëndë narkotike kanabis dhe të dhjetërave dozave drogash të forta.

Finalizimi i operacionit “Hamil”, në Fier, solli vënien në pranga të pronarit dhe pasagjerit të një automjeti “Audi Q7”, me të cilin transportoheshin 3 thasë me lëndë narkotike kanabis, me peshë rreth 85 kg.

Në Durrës dhe në Lezhë u goditën raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë, në doza. Për këtë veprimtari penale u vunë në pranga 3 shtetas dhe u sekuestruan dhjetëra doza lëndësh narkotike.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë goditur 25 raste, si rezultat i të cilave janë sekuestruar 5 armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe sende të forta.

Si rezultat i operacioneve “Flagranca” dhe “Muzgu”, në Krujë dhe në Lezhë, u vunë në pranga 2 shtetas të cilët mbanin pa leje, 2 armë zjarri pistoleta.

Në kuadër të operacionit “Lusen”, të zhvilluar në Kukës, u parandalua një ngjarje e rëndë kriminale në familje dhe u sekuestrua një armë zjarri që mbahej pa leje, në banesën e kësaj familjeje.

Në Lezhë, si rezultat i operacionit “Fundviti” u identifikuan dhe u vunë në pranga, 2 autorët e dyshuar të plagosjes së rëndë, për shkak të detyrës, të një punonjësi të OSHEE.

Në të gjithë vendin janë goditur 31 raste në fushën e krimeve ekonomike, 24 raste vjedhjesh dhe 6 raste të organizimin të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Në Kakavije dhe në Port Durrës, u finalizuan operacionet “Vigjilje” dhe “Artikujt”, për goditjen e kontrabandës, si rezultat i të cilëve u vunë në pranga 1 doganier dhe 2 shtetas që transportonin mallra të ndryshme të kontrabanduara.

Nga DVP Tiranë u finalizuan operacionet “Falsifikimi” dhe “Saga”, të cilat rezultuan me vënien në pranga të 3 shtetasve të cilët kishin përshtatur një ambient për falsifikimin e dokumenteve të ndryshme, dhe të 2 shtetasve të tjerë që u vidhnin sendet personale, qytetarëve, duke i kërcënuar me mjete prerëse (thika).

Nga DVP Elbasan u finalizua operacioni “Shuma” që rezultoi me vënien në pranga të një 26-vjeçari, pasi kanosi me armë zjarri, një shtetas tjetër, për dhënien e 3000 eurove.

Në vijim të angazhimit nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me agjencitë e tjera shtetërore, janë goditur 6 raste të krimeve mjedisore dhe janë trajtuar ligjërisht 35 raste të dhunës në familje.

Nga shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë kësaj jave janë pezulluar në total 581 leje drejtimi, nga të cilat: 472 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 42 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 66 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje janë arrestuar 34 drejtues mjetesh, nga këta: 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Kufitare vijon kontrollet, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Janë goditur 24 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjithashtu, në të gjitha pkk-të e vendit, janë goditur: 3 raste të veprës penale “Falsifikimi i  dokumenteve”, 1 rast i “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe 1 rast i “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Angazhim maksimal nga shërbimet e Policisë, për të parandaluar dhe për të goditur fenomenet kriminale, si dhe bashkëpunim intensiv, krah për krah, me partnerët, për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Gjithashtu, strukturat e Policisë në të gjithë vendin, janë në gatishmëri të plotë, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, përgjatë festave të fundvitit.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Barcelona jep përgjigje në lidhje me transferimin e mbrojtësit të Bayernit

Story i radhës

Incident në koncert – Noizy u rrëzua përtokë, bodyguardët e reperit në “aksion”

Të fundit nga