Plepolli për emërimin e Giresess: Ky është kapaciteti ynë

Federata e Futbollit të Kosovës sot ka prezantuar zyrtarisht edhe trajnerin e ri të Kombëtares së Kosovës, francezin Alain Giresse.

Në konferencën e mbajtur për media, Giresse hezitoi të fliste për objektivat që synon t’i arrijë me Kosovën.

Emërimi i tij në krye të “Dardanëve” ishte një lloj befasie për të gjithë për shkak të raportimeve se trajnerë të njohur kishin aplikuar për të marrë drejtimin e Kosovës.

Megjithatë, trajneri dhe analisti Arsim Plepolli, thotë se ardhja e Giresess në krye të Kombëtares së Kosovës ishte diçka e pritshme sepse, sipas tij, federata jonë nuk ka mundësi që të angazhojë trajnerë të klasit botëror.

Për KosovaPress, Plepolli thotë se beson që Giresse paraprakisht është njoftuar me përbërjen e skuadrës sonë dhe se bazuar në atë çfarë ka parë, edhe e ka pranuar këtë detyrë.

“Mendoj që një vendim i tillë nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës është i arsyeshëm. Ne e dimë dhe duhet ta pranojmë që nuk i kemi mundësitë dhe kapacitete për të angazhuar trajner si Pep Guardiola apo Fabio Capello. Me cilësitë që i posedojmë momentalisht, trajnerët e mdhenjë nuk tërhiqen për ta drejtuar Kosovën”, tha Plepolli.

Sa i përket pritjeve që duhet të kemi nga trajneri francez, Plepolli thotë se nga Giresse duhet kërkuar dhe pritur rezultate dhe jo të kënaqemi vetëm me pjesëmarrje në fazën e grupeve të Ligës së Kombëve dhe garave të tjera.

“Unë e dij që edhe gazetarët por edhe ne si analistë do të jemi kërkues ndaj tij për të sjellë rezultate të mira. Një kërkesë të tillë e di që e kanë edhe drejtuesit e federatës, përkatësisht presidenti Agim Ademi. Ajo që mund të them është se Giresse është me fat që në këto momente lojtarët e Kosovës janë duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë nëpër klubet e tyre përkatëse nëpër Evropë, si Muriqi, Zhegrova, Rashica, Vojvoda, Rrahmani e të tjerë, dhe se ky potencial duhet shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Plepolli.

Ndryshe, Giresse ka nënshkruar kontratë me FFK-në deri në muajin nëntor të vitit 2023.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Hyseni: Si ka mundësi që nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” të rrihen mes vete si në filmat e Van Damit!

Story i radhës

Balluku: Shumë individë pas Big Brother kanë kaluar trauma dhe depresion, ka kosto psikologjike

Të fundit nga