Planet e Rusisë për një “Republikë Popullore Kherson”

Siç ka bërë tashmë në Ukrainën lindore, në Donbass, Rusia tani po përpiqet të shpallë një “Republikë Popullore të Khersonit” në jug të vendit, në rajonin e pushtuar të Khersonit. Si reagon populli?

Që nga fillimi i marsit, Rusia ka pushtuar rajonin Kherson në Ukrainën jugore. Me sa duket, Moska po përpiqet të shpallë një pseudo-republikë atje, si në vitin 2014 në rajonet Luhansk dhe Donjeck. Metodat janë të njëjta: një referendum i falsifikuar duhet të legjitimojë të ashtuquajturën “Republika Popullore e Khersonit”.

Kjo është raportuar nga deputetët e këshillit rajonal të Khersonit. Ata u ftuan me telefon nga pushtuesit për të bashkëpunuar me ta dhe për të miratuar në një mbledhje këshilli krijimin e një “republike popullore” të tillë.

Thirrja e “administratës së re”

“Ata që na telefonojnë e  quajnë veten “administrata e re e rajonit Kherson”, tha Serhij Chlan, kryetar i grupit parlamentar të partisë “Solidariteti Europian”. Sipas tij, pushtuesit fillimisht thirrën krerët e grupeve politike.

Image

Protesta kundë pushtimit rus në Kherson, 05.03.2022

“Menjëherë informova presidencën ukrainase për situatën. Më pas thirrëm menjëherë një mbledhje të posaçme të këshillit rajonal dhe nënvizuam në një deklaratë për të gjitha autoritetet ukrainase se rajoni Kherson është pjesë përbërëse e Ukrainës”, shpjegon z. Chlan. Edhe anëtarët e zgjedhur të këshillit bashkiak e kanë miratuar njëzëri këtë deklaratë.

Ndërkohë, prokuroria e rajonit Kherson ka hapur procedim penal për cënimin e integritetit territorial të Ukrainës. Autoriteti konfirmon gjithashtu se pushtuesit po planifikojnë një referendum të paligjshëm për shpalljen e një të ashtuquajture republike.

Frikësime dhe kërcënime

Megjithatë, deri tani, pushtuesit rusë kanë dështuar të organizojnë një pseudo-referendum, pasi mijëra banorë të Khersonit, si dhe qyteteve të tjera në rajon, dolën në demonstrata pro-ukrainase në të cilat ata protestojnë kundër pushtuesve rusë.

“Protestat nuk kanë liderë. Njerëzit thjesht dalin në rrugë, pavarësisht se ushtarët rusë u drejtojnë automatikët. Njerëzit duan të tregojnë se të gjitha përpjekjet për të krijuar një “republikë popullore” në rajonin e Khersonit janë të paligjshme dhe të kota”, shpjegon një aktivist, i cili nuk dëshiron të japë emrin e tij për arsye sigurie.

Sipas tij, pushtuesit rusë filluan shumë shpejt të organizojnë një referendum të rremë. Raportohet se tani ata frikësojnë aktivistët socialë, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesit e autoriteteve lokale për të imponuar një pseudo-republikë.

Image

Ushtarë rusë në rrugët e Khersonit

Kryebashkiaku jep dorëheqjen

Kështu, në qytetin e Kakhovkas, gazetari i famshëm Oleh Baturyn, bashkëpunëtor i gazetës rajonale “Novyj Den”, është zhdukur. Më vete, persona të paidentifikuar i vunë zjarrin shtëpisë së Halyna Luhovas, kryetare e këshillit të qytetit Kherson. “Tani jam e pastrehë. Duhet të jem në listën e tyre të vdekjes,” tha politikania për radion shtetërore të Ukrainës.

Për shkak të frikësimit dhe kërcënimeve, gazetarët vendas po fshijnë tani artikujt dhe kontributet e publikuara më parë. Një nga gazetat më të mëdha në qytetin e Henicheskut ka ndërprerë plotësisht veprimtarinë e saj.

E udhëhequr nga kryetari Oleksandr Tulupov, administrata publike e Henicheskut refuzoi të bashkëpunonte me pushtuesit rusë dhe të organizonte një pseudo-referendum. Të gjithë përfaqësuesit e qytetit kanë dhënë dorëheqjen së bashku.

“Dita më e vështirë e jetës sonë”

“Kjo është për mua dhe ekipin tim dita më e vështirë e jetës sonë. Ne duhet të kuptojmë se në kushte të tilla nuk mund të përmbushim më detyrat tona si përfaqësues të administratës lokale të Ukrainës“, shkruhet në një deklaratë për shtyp të publikuar nga Tulupovi në faqen e këshillit të qytetit të Henichesk.

Image

Kamion me ndihma humanitare ruse në Kherson, 04.03.2022

Tulupovi është anëtar i “Platformës së Opozitës – Për jetën”. Kjo parti në fakt konsiderohet në Ukrainë si një forcë politike pro-ruse. Kreu i grupit parlamentar të partisë në këshillin e qytetit Kherson, Yuri Stelmashenko, ka frikë se rajoni mund të goditet nga një krizë humanitare, pasi prej dy javësh nuk ka pasur furnizime me medikamente, karburantet, produkte industriale dhe ushqime.

“I izoluar për dy javë”

Deri tani, vetëm disa njerëz të izoluar kanë pranuar “ndihma humanitare” nga ushtria ruse në Kherson. “Por po të vazhdojë të përkeqësohet situata, ukrainasit thjesht mund të detyrohen ta pranojnë atë ndihmë dhe kështu të shtyhen në një pseudo-referendum”, supozon Stelmashenko.

“Ne po bëjmë gjithçka për të shmangur këtë, por qyteti është i izoluar prej dy javësh”, sqaron këshilltari bashkiak. “Ekonomia është në nivelin më të ulët historik, dyqanet janë të mbyllura. Ne nuk kemi lidhje me rajonet e tjera të Ukrainës. Nuk lejohen të kalojnë kolonat e ndihmave, megjithëse korridoret humanitare janë duke u negociuar vazhdimisht. Ne do të qëndrojmë deri në fund, por sa njerëz do të mbijetojnë në këto kushte?/DW

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pronari ganez i minierës së arit konfirmon se është i interesuar ta blejë Chelsean

Story i radhës

Bekteshi: Sonte pritet të ulet sërish çmimi i naftës

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish