Përplasje për mandatet/ KLP e KLGJ kërkojnë qëndrimin deri në dhjetor

Një histori e re përplasjesh duket se ka nisur në sistemin e drejtësisë. Këtë herë përplasja është mes Kuvendit dhe institucioneve të reja të drejtësisë, për mandatet e anëtarëve të këtyre organeve që vijnë nga jashtë radhëve të sistemit gjyqësor.

Përmes dy letrave të publikuara në faqen zyrtare, Kuvendi ka shpallur vakancat për dy vende në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe dy vende në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Në letrën e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni Genci Gjonçaj, vakancat në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë ato të Gent Ibrahimit dhe Sandër Becit, ndërsa vakancat në Këshillin e Lartë Gjyqësor janë ato të Maksim Qokut dhe Erjon Muharremajt.

Këta anëtarë janë zgjedhur nga Kuvendi me një mandat 3- vjeçar dhe votimi në Kuvend është bërë në shkurt të vitit 2018. Nisur nga ky fakt për Kuvendin, mandati 3-vjeçar i anëtarëve të këtyre organeve të reja të drejtësisë përfundon në momentin kur janë votuar në Parlament.

Në këto kushte në dy shpalljet e vakancave për në KLGJ dhe KLP, Kuvendi fton të gjithë juristët dhe pedagogët nga fakultet juridike dhe të shkollës së magjistraturës që përmbushin kriteret e kërkuara, që të dërgojnë aplikimet e tyre për t’u bërë pjesë e KLGJ-së dhe KLP-së.

Por, përtej votimit në shkurtin e vitit 2018-të, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë e nisën zyrtarisht punën e tyre vetëm në dhjetorin e atij viti. Ky fakt ka bërë që KLP-ja dhe KLGJ-ja ta konsiderojnë fillimin e mandatit të tyre muajin dhjetor të 2018, çka do të thotë se edhe zëvendësimi do duhet të bëhet në dhjetor 2021 dhe jo në shkurt.

Dy institucionet u mblodhën ditën e djeshme për të diskutuar mbi llogaritjen e mandatit tre-vjeçar të anëtarëve të tyre. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të merret për bazë si data e fillimit të mandatit për anëtarët e KLP-së dhe KLGJ-së, data kur ata janë votuar nga Kuvendi, apo data kur institucionet janë konstituar dhe kanë nisur zyrtarisht punën.

Ngjarja paraprake

Hoti: Përkundër avancimit, duhet ende punë në promovimin e barazisë gjinore

Ngjarja e ardhëshme

Kryediplomati francez thirrje për neutralitet në konfliktin Azerbajxhan-Armeni

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian