Përpjekja 64-vjeçare për kthimin e tokave të baballarëve

Rreth 400 hektarë tokë ua mori shteti i ish-Jugosllavisë më 1959, për të mos ua kthyer kurrë. Banorët e fshatrave Bellanicë, Banjë, Senik e Lubizhdë të Malishevës tash e 64 vjet po orvaten ta rikthejnë tokën, e cila iu mor me dhunë.

Ata posedojnë dokumentet kadastrale që nga viti 1928, të cilat dëshmojnë se pronat ishin në pronësi të tyre, para se t’u merreshin dhunshëm, raporton Kiks Kosova.

Këto prona iu kërkuan atyre nga ish-shteti jugosllav në vitin 1958, por meqë banorët refuzuan, ish-pushteti gjeti një metodë tjetër për t’i futur në dorë këta 375 hektarë.

E gjitha u vulos me një vendim të vitit 1959. Në emër të Reformës Agrare dhe Kolonizimit, këto prona kaluan në pronësi të shtetit dhe aty u themelua Ndërmarrja Bujqësore “Përparimi”, e cila më vonë do të quhej “Mirusha”.

Se tokat mbajnë emrat e banorëve ishte vërtetuar edhe nga vetë institucionet e ish-Jugosllavisë, të cilat asokohe ua kishin njohur të drejtën e pronësisë rreth 20 familjeve.

Në favor të fshatarëve kishte vendosur edhe një komision komunal, i formuar në vitin 1964, i cili pesë vjet më vonë konkludoi se banorët nuk ishin uzurpatorë.

Se banorët nuk janë uzurpatorë, por pronarë të tokave, thuhej edhe në vendimin e një tjetër komisioni komunal të vitit 1980. Por, edhe ky vendim, si vendimi i komisionit paraprak, nuk u përfill nga askush.

Banorët ruajtën shpresat se pronat e tyre do t’i rimarrin pas përfundimit të luftës së 1999-ës, por nuk do të shkonte shumë kohë që ata të zhgënjeheshin tërësisht, kësaj radhe nga shteti i tyre. Pronat e tyre, AKM-ja, e cila më vonë u bë Agjencia Kosovare e Privatizimit, ia shiti Ahmet Rrahmanajt, për 10 euro e 66 centë arin.

Por historinë e shitjes së tokave të etërve të tyre ata e kuptuan tek pas dy vitesh, saktësisht në vitin 2011, kur këto prona u shitën sërish, mirëpo kësaj radhe jo te ndonjë qytetar, por te vetë shteti, i cili kishte vendosur që autostradën e kombit ta kalojë nëpër këto ara.

Por, çmimi ndryshoi, jo për 1 ose dy herë më shumë, për një ari tokë çmimi tani ishte për 60 deri në 90 herë më i lartë sesa ishte shitur në 2009-ën.

Kjo gjë i shtyu banorët të mendojnë se i gjithë procesi kishte një prapavijë politike dhe që ishte pikërisht ndërtimi i Autostradës “Ibrahim Rugova”, që parashihej të kalonte mbi këto prona, për çka asokohe Ministria e Transportit bëri edhe shpronësimin e tyre.

Në 2011-ën, vlera e tyre u shumëfishua dhe për një ari tokë, e cila ishte privatizuar për 10 euro e 66 centë, dy vjet më parë, tani shteti pagoi nga 700 deri në 900 euro për ari.

Kundër shitjes së tokave të tyre, banorët e këtyre fshatrave deponuan 40 padi kundër ndërmarrjes bujqësore “Mirusha” të Komunës së Malishevës.

Ani pse, Gjykata Komunale në Malishevë ua njohu të drejtën e pronësisë disa prej këtyre familjeve, gjithçka u kthye në pikën zero dhe të gjitha lëndët i shkuan Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Nga Gjykata Supreme i kanë thënë Kiksit se aktualisht janë edhe 15 padi aktive kundër Ndërmarrjes “Mirusha”, të cilat do të trajtohen sipas prioriteteve.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Blinken: Administrata e presidentit Biden nuk i lidh shitjet e avionit F-16 në Türkiye me aplikimin e Suedisë në NATO

Story i radhës

Shakira dhe makthi i papritur që po përjeton me fëmijët në Miami

Të fundit nga