Përfshirja e Dallëndyshe Bicit në aferat korruptive/ Murati: Skandal! Nuk pres reagim nga IKMT, por nga drejtësia

Kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare”, Erl Murati, është shprehur se duhet të kishin nisur hetimet për kryetaren e IKMT-së, Dallëndyshe Bici.

Komentet Murati i ka bërë në News 24, teksa ka komentuar skandalet e audiopërgjimeve, ku në skenë del Dallëndyshe Bici që përfshihet në afera korruptive.

Ai ka kërkuar nga drejtësia që të veprojë dhe ka shtuar se ka ardhur koha që të bëhet transparencë dhe drejtësi për aferat flagrante.

“Ky është një skandal i radhës. Ryshfeti dhe korrupsioni është kthyer në normë në Shqipëri. Dhe është kthyer në kambanë alarmi dhe pesha bie mbi qeverinë. Një zyrtar i bashkisë flet me dy persona, dhe ekspozon ryshfetin dhe korrupsionin në IKMT. I takon organeve të drejtësisë që të bëjnë transparencë. Ne nuk jemi një vend me drejtësi apo administratë ideale, ndaj e dimë se si funksionin. Kur ke të bësh me çështjes të tilla, dëgjojmë shumë njerëz që janë të detyruar që të japin ryshfet për të drejtën e tyre. Në vazhdën e denoncimeve që vijojnë në News24, i takon organeve të Prokurorisë që të nisin verifikimet për këto raste dhe të çojnë para përgjegjësisë persona që janë përgjegjës.

Nuk e di nëse zotërie që është në përgjime e ka kryer veprën penale, por ai është dikush që di diçka kur flet në mënyrë të hapur për shefat e tij në Tiranë. Kemi parë dhe rastet kur përfaqësuesit e opozitës reagojnë. Drejtësia duhet të ngrihet në nivelin e pritshmërive të publikut. presioni i faktorit ndërkombëtar, si në rastin e zgjedhjes së kreut të SPAK, ka ardhur në rritje. Është e paprecedentë që dhe ambasadorja e SHBA bën takime një më një me anëtarët e KLP-së. Kjo tregon për frikën e madhe të politikës për presionin ndaj drejtësisë. Jo pak herë ambasadorja ka folur për njerëz të politikës që se duan drejtësinë. Do jetë një proces maratonë.

Nuk pres se me ardhjen e Dumanit do ndryshojë drejtësia katërçipërisht. Sukseset vijnë nga puna në ekip, jo vetëm nga një individ. Jo thjesht kryetari i ri i SPAK dhe e gjithë trupat e drejtësisë, duhet të kuptojnë se ka ardhur koha që të bëhen drejtësi dhe të bëhet transparencë për aferat flagrante. Nuk pres që vetë personi që është akuzuar, apo përmendur në këtë audio përgjim, të përgjigjet. Nuk pres nga IKMT reagim, por nga drejtësia.”, tha Murati.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Tri propozimet e formatit të Kupës së Botës së ardhshme

Story i radhës

Nënshkruhet marrëveshja për projektin e ngrohjes me energji diellore në Prishtinë

Të fundit nga