/

PËR CILËSI, E JO PËR FORMË! Intervistë me drejtorin e ACAL, prof.dr. Agim Rushiti

E themeluar në maj të vitit 2018, Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë po synon të ngrit nivelin e arsimit të lartë në një stad edhe më të lartë seç është tani. E këtë detyrë ia ka dhënë vetes prof.dr. Agim Rushiti, drejtor i kësaj agjencie, i cili në intervistë për gazetën KOHA, thotë se është i shqetësuar për fatin dhe rrjedhën e arsimit të lartë. Dëshiron që synimi për ngritjen e cilësisë të mos mbetet vetëm një dëshirë e shprehur në letër dhe e fluturuar në etër, por siguron se do të preventohet sa më shpejtë që pasojat të jenë sa më të vogla dhe integrimi i vendit në bashkësinë evropiane të bëhet edhe përmes arsimit cilësor dhe konkurrent

Bisedoi: Vedat MEMEDALIU

KOHA: Z. Rushiti, meqë Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është një institucion i ri i formuar dhe, Ju si drejtor i parë i këtij institucioni, Ju lutemi një përshkrim se cili është roli dhe detyra e këtij institucioni?

RUSHITI: Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë (ACAL) është organ i pavarur profesional, subjekt juridik me llogari të veçantë buxhetore, i cili është i formuar mbi bazë të Ligjin të (ri) të arsimit të lartë, i sjellur në maj të vitit 2018, dhe i cili ka për detyrë sigurimin, vlerësimin, zhvillimin dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe në veprimtarinë shkencore-hulumtuese në RMV. Organe të ACAL janë Bordi për akreditim të arsimit të lartë, Bordi për evaluim të arsimit të lartë dhe Drejtori i ACAL i emëruar nga ana e Kuvendit të RMV, në bazë të konkursit publik, më 25 dhjetor 2019.

ACAL u regjistrua në Regjistrin Qendror të RMV, më 16.01.2020. Mbledhja konstituive e dy bordeve u realizua në 11 mars 2020. Për shkak të pandemisë Kovid 19, puna e Bordeve dhe të vetë ACAL u bllokua në masë të madhe. Bordet nuk mundeshin të organizojnë mbledhjet e rregullta të tyre. Mbledhja e parë e Bordit për akreditim u mbajt më 1 korrik 2020, kurse e Bordit për evaluim më 7 korrik 2020, në kryerjen e detyrave, karshi 17 universiteteve në vend dhe 3 shkollave të larta profesionale, me gjithsej 133 fakultete, dy universiteteve private fetare, me mbi 52.000 studentë.

KOHA: Cilat do të jenë objektivat e ACAL në periudhën e ardhshme?

RUSHITI: Edhe pse jemi në kohë të një krize të thelluar shëndetësore në mbarë shoqërinë, edhe pse me shumë vështirësi, ACAL, së bashku me organet e saj, dalëngadalë po shënon edhe rezultate e para të punës. ACAL mëton të jetë një institucion i tillë i vërtetë, ashtu siç e përcakton, para se gjithash, Ligji për arsim të lartë, e më pastaj edhe dokumentet tjera relevante të vendit dhe ato ndërkombëtare për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. Pra, të jetë institucion kredibil që kontrollon dhe vlerëson cilësinë në arsimin e lartë, në mënyrë të paanshme dhe transparente, objektive dhe të pavarur, duke u mbështetur në standardet shtetërore të cilësisë dhe në standardet dhe udhëzimet përkatëse të cilësisë në Hapësirën evropiane dhe atë ndërkombëtare të arsimit të lartë.

Duke pasur parasysh se ACAL është pjesë e hapësirës evropiane të arsimit të lartë, ajo tani më është anëtar i asocuar (nga 17 shtatori 2020) në Asociacionit evropian për sigurimin e kualitetit në arsimin e lartë (ENQA), me të madhe është duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët e fushës së sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë, dhe jo vetëm të saj, që sa është e mundshme më shpejtë të bëhet edhe anëtar me të drejtë të plotë i ENQA.

KOHA: Mund të na thoni se cilat janë sfidat me të cilat ballafaqohet momentalisht ACAL?

RUSHITI: ACAL, si çdo institucion i ri i themeluar, ballafaqohet me probleme të natyrave të ndryshme. Para se gjithash, ACAL, për momentin, nuk ka të punësuar asnjë punëtor në marrëdhënie të rregullta pune. Shfrytëzon shërbimet e dy personave të MASh dhe dy të tjerëve të angazhuar në projektin për zhvillimin e shkathtësive dhe përkrahje të inovacionit i cili implementohet në kuadër të MASh, e me përkrahje të Bankës Botërore, e që ka për qëllim ACAL t’i sigurohet ndihmë profesionale teknike në gjithë spektrin e aktiviteteve. ACAL vazhdimisht ka alarmuar këtë gjendje në institucionet përkatëse, por kjo më së shumti u bllokua nga gjendja e tërësishme e shfaqur si rezultat i pandemisë të Kovid 19, shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. ACAL tani më ka marrë pëlqimin për sistematizimin e vendeve të punës nga MShIA, iu është lejuar plani për punësim nga MASh dhe pret nga Ministria e financave t’u lejohet pëlqimi për punësime të reja.

ACAL ende nuk posedon hapësira vetanake për funksionim dhe për momentin, shfrytëzon hapësirat e MASh, ku më parë funksiononte Bordi i akreditim dhe evaluimit, hapësira këto që nuk plotësojnë as minimumin e kërkesave të ACAL. Buxheti i ACAL është shumë i vogël. Ndihma nga institucionet kompetente, me keqardhje do potencoj, mungon në masë të madhe. Përkundër gjithë kësaj, ACAL frymon dhe kryen misionin e vet. Bordi i akreditimit, edhe në kushte pandemie, ka arritur të akreditojë, deri në fund të nëntorit 2020, 84 programe studimore të të tri cikleve të studimit, si dhe 87 akreditime të mentorëve të ciklit të tretë të studimeve. Bordi i evaluimit tani më ka sjellë Planin vjetor për punë të bordit për kryerjen e evaluimit të jashtëm të IAL dhe propozim Rregulloren për standardet dhe procedurat e evaluimit të jashtëm dhe të vetevaluimit.

KOHA: Çka duhet ACAL të posedoj që të marrë përsipër përgjegjësinë e plotë në realizimin e misionit të vet?

RUSHITI: Duke pasur parasysh se misioni i ACAL është sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë, përmes vlerësimit të jashtëm, objektiv dhe të pavarur, ruajtjen e standardeve të cilësisë dhe promovimin dhe përmirësimin e cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë e të programeve të studimit që ato ofrojnë, e domosdoshme është që, në rend të parë të ketë mbështetjen e shoqërisë, institucioneve shtetërore (mbi gjitha Parlamentit të RMV si themeluese e saj, MASh si kompetente për të ndihmuar këtë proces, Ministria e Financave, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës etj.).

Duhet ndryshime urgjente në Ligjin për arsimin e lartë në funksion të definimit të qartë dhe të pavarur të ACAL, në aspektin financiar, profesional e administrativ, të riformulohet përbërja e Bordeve, ku do hiqet apo të kufizohet, në një deri dy, numri i anëtarëve të bordeve të emëruara nga ana e Qeverisë së RMV, që të mënjanohet ndikimi politik në vendimmarrje dhe në veprimtarinë profesionale të bordeve, përbërja e komisioneve profesionale që bëjnë akreditimin e programeve studimore dhe evaluimin e IAL dhe programeve studimore që ato ofrojnë, të jen krejtësisht të jashtëm, apo në pjesë dominante. Duhet sa më parë të konstituohet, nga ana e Parlamentit të RMV, i Këshillit nacional i arsimit të lartë dhe veprimtarisë hulumtuese-shkencore, në ingerencë të të cilit është sjellja e dokumenteve më me relevancë që përcakton punën e Bordit të akreditimit dhe Bordit të evaluimit.

KOHA: Në vazhdimësi është debatuar për problemet me arsimin e lartë në vend. Sipas Jush, a ka krizë në arsimin e lartë në RMV?

RUSHITI: Në konceptin e çdo politike zhvillimore të një shteti bashkëkohor, prioritet është zhvillimi dhe avancimi i arsimit, në të gjitha nivelet. Kjo është edhe synim edhe i ACAL. Dëshiroj që kjo mos të mbetet vetëm një dëshirë e shprehur në letër dhe e fluturuar në etër. Nuk do të thoja, apo më mirë thënë nuk dëshiroj të them, se ka krizë në arsimin e lartë. Por, gjithsesi kam një shqetësim të madh për fatin dhe rrjedhën e arsimit të lartë, e që çon drejt krizës në këtë fushë. Andaj, është afër vijës së kuqe që të preventohet sa më shpejtë, që pasojat të jenë sa më të vogla dhe integrimi i vendit në bashkësinë evropiane të bëhet edhe përmes arsimit cilësor dhe konkurrent. Diskutimet të cilat na vazhdimësi bëhen lidhur me avancimin dhe reformat në arsim, nuk duhet të mbeten vetëm pjesë e debateve, sa për të kënaqur formën, por jo edhe esencën. Ato duhet të rezultojnë me konkrete, me diçka të matshme, me diçka të prekshme, diçka çka rezulton.

Duhet të përforcohet inspektimi dhe evaluimi institucional i IAL dhe, mbi bazë të rezultateve të fituara nga tereni, të definohet hapërimi i mëtutjeshëm i vendit në këtë fushë. Arsimi kualitativ është vështirë të përcaktohet në mënyrë koherente dhe përmbajtësore, si definicion. Në kontekst të kësaj, duhet të përcaktohet edhe kuptimësia e kuptimit validitet i kontrollit dhe vlerësimit të kualitetit të arsimit. Në të kundërtën, nëse një detyrë e tillë nuk kryhet në mënyrë adekuate, profesionale dhe institucionale, edhe atë që në fillim të përcaktimit të prioriteteve shtetërore dhe shoqërore në sferën e arsimit, atëherë më se e pritshme është shfaqja e rrezikut, në shkallë të lartë, që të matim, kontrollojmë dhe vlerësojmë diçka krejtësisht tjetër, duke menduar se jemi duke vlerësuar kualitetin e arsimit dhe arsimimit. Sidomos në këtë periudhë, kur në dhjetëvjetëshin e shekullit të kaluar dhe dy dekadat e këtij shekulli, kur arsimi i lartë në Evropë identifikohet me proceset e mëdha reformuese në historinë më të re, të prira nga proceset, respektivisht deklarata e Bolonjës, nënshkruese e së cilës është edhe RMV, që nga viti 2003. Gjeneza e këtyre reformave paraqet një ambicie legjitime të Evropës, e me të edhe të RMV, për përforcimin dhe konsoludimin e institucioneve të arsimit të lartë, në të cilat shihet si kryesore për zhvillimin e shoqërisë të bazuar në dije, me synim që të jenë konkurrente me sistemet e fuqishme të arsimit të lartë dhe ekonomive të zhvilluara në Evropë dhe më gjerë. Edhe pse Deklarata e Bolonjës dhe principet mbi të cilat pushon ky dokument, në sistemin juridik në RMV, respektivisht në arsimin e lartë në këtë vend, në mënyrë të tërësishme gjen fuqizimin ligjor të saj, me sjelljen e Ligjit për arsim të lartë të vitit 2008, megjithatë ndihet në masë të madhe një mungesë e implementimit koherent nga ana e IAL, të atyre përcaktimeve.

Sidomos të përcaktimeve që kanë të bëjnë me ndjekjen e tendencave evropiane në sferën e arsimit, në të gjitha nivelet; integrimin e arsimit të lartë dhe veprimtarisë shkencore-hulumtuese në RMV në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe të hulumtimit; respektimin; nxitjen e zhvillimit të programeve studimore dhe cikleve të studimit të përbashkëta dhe sigurimin e hapjes globale të Hapësirës së përbashkët evropiane të arsimit të lartë; sigurimin, në kuadër të sistemit të arsimit të lartë në RMV, të unitetit të veprimtarisë arsimore, shkencore e hulumtuese, i cili nënkupton forcim të mundësive për komplementaritet dhe kompatibilitet dhe zhvillimin e kushteve kompetitive për veprimtari shkencore-hulumtuese, e që mundëson kyçje të plotë të arsimit të lartë të RMV në Hapësirën e përbashkët evropiane të arsimit të lartë dhe atë të hulumtimit. Pikërisht, në këto pika, institucionet shtetërore, Parlamenti dhe Qeveri e RMV, duhet të jenë partner të ACAL, që këto përpjekje të rezultojnë me diçka konkrete. S’ka dyshim se RMV ka potencial intelektual dhe profesional që këto synime të arrihen dhe vendi i IAL të jetë atje edhe ku e ka vendin, në hapësirën e përbashkët të arsimit të lartë evropian, në familjen e vlerave dhe perspektivës shoqërore. Koha është.

KOHA: Sa ACAL arrin t’i mbijetojë presioneve individuale, institucionale, arsimore e politike?

RUSHITI: Kjo është pika më e dobët e frymimit të shoqërisë në përgjithësi, sidomos në Maqedoninë e Veriut dhe në Rajon. Vetë fakti që Buxheti i ACAL është në kuadër të buxhetit të MASh, flet se veprimtaria e ACAL është e varur financiarisht. Por nuk mungojnë edhe presionet edhe nga subjekte dhe institucione. Shteti i RMV, para se gjithash Parlamenti i RMV dhe Qeveria e RMV, duhet të vendosin mekanizma ligjore e institucionale që të mbrojnë ACAL të mos bie preh e presioneve dhe kërcënimeve nga individ, institucione arsimore, institucione shtetërore dhe subjekte politike.

KOHA: Si është bashkëpunimi i ACAL me universitetet në vend dhe agjencitë simotra në rajon e më gjerë?

RUSHITI: Bashkëpunimi dhe këmbimi i përvojave është një formë që ndihmon proceset në kahje të duhur të zhvillimit. Si institucion i ri, dhe duke pasur parasysh dominimin gati dhjetëmuajsh të pandemisë së shkaktuar nga Kovid 19, u shënua një vështirësi bashkëpunimi direkt me institucionet simotra në regjion e më gjerë. Kemi vendosur një bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Akreditimit, kemi vizituar Universitete prestigjioze në Turqi, ku njerëzit e parë të atyre institucioneve janë edhe anëtarë të bordeve të akreditimit dhe evaluimit dhe jemi në pritë të stabilizimit të gjendjes pandemike në përgjithësi në shoqëri, që ky bashkëpunim të marrë përmasa më të theksuara dhe të jep produktet e para në drejtim të implementimit të përvojave të suksesshme të agjencive simotra në vendet e huaja dhe të përvojave e praktikave të mira të funksionimit të IAL në rajon, Evropë e më gjerë.

KOHA: Në disa momente përmendët financimin. Si është gjendja financiare e ACAL?

RUSHITI: ACAL ka buxhetin vetanak mjaft simbolik. ACAL vitin kalendarik 2020 po e kalon me një buxhet prej 2.556.000 denarë (apo 41.560 euro), ku 72.6% (1.856.000 denarë) shkojnë për rroga të të punësuarve. Kur kihet parasysh se në ACAL, për shkak të pandemisë së KOVID19, gjendjes së jashtëzakonshme në vend (si rezultat i pandemisë Kovid 19) dhe Zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nuk u lejuan punësime të reja, mbetet që kjo shumë të mos realizohet për qëllimin që është vendosur. Kur kihet parasysh se në kuadër të ACAL funksionojnë edhe dy borde, ai i akreditimit dhe ai i evaluimit, me gjithsej 30 anëtarë, puna e të cilëve paguhet, edhe në formë të paushallit mujor, por edhe në formë të pagesës së anëtarëve të Komisioneve të ekspertëve që hartojnë raportet për akreditim, respektivisht për evaluim të institucioneve të arsimit të lartë (IAL) dhe të programeve studimore të të tri cikleve të studimit, ky buxhet as që i plotëson kërkesat e domosdoshme të parapara me ligj, e mos të flasim për ndonjë aktivitet shtesë. Buxheti i ACAL është sa 0,096% e buxhetit që i ndahet arsimit të lartë, apo është sa 0,83% e buxhetit për shkencë, apo sa 0,0097% të buxhetit të përgjithshëm që i ndahet MASH, apo sa 0.0013% të buxhetit të përgjithshëm të RMV. Në vitin 2018 dhe 2019, edhe pse ACAL nuk ishte formuar, asaj iu ndanë në Buxhetin e RMV, 8.800.000 denarë (apo afër 143.089 euro).

Në vitin 2020, në fillim iu ndanë 5.156.000 denarë, e pastaj me rebalancin e majit të këtij viti, ky buxhet u zvogëlua për 50%, respektivisht ajo arrinte 2.556.000 denarë. Sa për krahasim, në Slloveni, buxheti i përgjithshëm i Agjencisë si motër arrin 1.4 milion euro të buxhetit të shtetit, nga të cilët 750.000 euro ndahen për paga, 250.000 euro për harxhime materiale, 82.000 euro për investime (sistem informatik) dhe 380.000 euro janë të parapara për proceset e sigurimit të kualitetit në arsimin e lartë. Në Kroaci, buxheti i agjencisë si motër arrin 3.2 milion euro, të siguruara nga buxheti i shtetit (ku një pjesë e të hollave shkon edhe për Këshillin nacional për arsim të lartë, Këshillat e universiteteve etj.). Në Serbi, agjencia e tillë amë posedon buxhet vjetor shtetëror prej 1.6 milion euro, në Mal të Zi diku mbi 220.000 euro, Bosnje dhe Hercegovinë – 400.000 euro, në Shqipëri – mbi 190.000 euro. ACAL ka dërguar kërkesë me shkrim, deri te Kuvendi i RMV, Qeveria e RMV dhe MASh, që në Buxhetin e RMV për vitin 2021, ACAL t’u ndahet 24.363.000 denarë (afro 400.000 euro), shumë kjo qo do i plotësonte nevojat minimale për funksionim normal të ACAL brenda vitit 2021.

Ngjarja paraprake

Ambasada ruse i përgjigjet këshilltarit të Ramës për vaksinën anticovid: Rusia është e gatshme të…

Ngjarja e ardhëshme

Sara Hoxha shpreh ‘xhelozinë’ ndaj modeles në videoklipin e Ledrit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian