Pengesat për portabilitetin e numrit, AKEP gjobit operatorët

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka konstatuar sërish sjellje penguese dhe moszbatim të rregullores për portabilitetin e numrit nga operatorë të veçantë celularë.

Portabiliteti i numrave celularë në vitet e fundit ka pasur probleme të mëdha dhe është bërë objekt inspektimesh nga rregullatori i tregut gjatë viteve 2020 dhe 2021.

Në përfundim të inspektimeve, vitin e kaluar AKEP gjobiti me gjithsej 2.7 milionë Lekë operatorët celularë, për shkelje të rregullores “Për mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit”. Përveç masës administrative me gjobë, operatorëve celularë iu lanë rekomandime për t’u përmbushur në vijimësi.

Mes fundit të vitit 2021 dhe fillimit të vitit 2022, AKEP ka zhvilluar inspektime të reja në të tre operatorët celularë. Nga inspektimet, ka rezultuar se operatorët ONE dhe ALBtelecom kanë shfaqur vullnet pozitiv në përmbushjen e detyrime dhe rekomandimeve të lëna nga strukturat e AKEP në inspektimin e mëparshëm.

Ndërkohë, inspektimi në kompaninë Vodafone Albania, sipas AKEP, ka evidentuar sërish shkelje të rregullores për portabilitetin e numrit dhe moszbatim të plotë të rekomandimeve të lëna në inspektimet e mëparshme.

Për këtë arsye, Këshilli Drejtues i AKEP e ka gjobitur sërish Vodafone Albania me dy milionë Lekë. Subjekti e ka paguar në mënyrë vullnetare gjobën, por ndërkohë ka ushtruar të drejtën e ankimimit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

Grupi i inspektimit ka përcaktuar sërish disa rekomandime për operatorin. Vodafone Albania duhet të kryejë korrigjimin e shkeljeve të konstatuara dhe eliminimin e pasojave të tyre brenda 60 ditëve nga vendimi përfundimtar i inspektimit (janar 2022). Sipërmarrësi duhet të njoftojë për korrigjimin e shkeljeve brenda afatit të përcaktuar më sipër dhe të paraqesë edhe provat që vërtetojnë këtë fakt.

Rekomandime të tjera janë realizimi i menjëhershëm i përditësimit të të dhënave të pajtimtarëve, përfshirё këtu edhe numrat e Policisë së Shtetit duke mos penguar procesin e portabilitetit; në mënyrë të veçantë, është rekomanduar përditësimi i të dhënave të abonentëve të regjistruar me pasaporta të vjetra apo me certifikatë, të cilat nuk e përmbajnë Numrin Personal (ID) të abonentit.

Ky rekomandim është përsëritur për të gjithë operatorët celularë, duke përfshirë edhe ONE dhe ALBtelecom. Gjithashtu, për të tre operatorët rekomandohet vijimi i kryerjes së kontrolleve periodike të brendshme, për të evidentuar dhe korrigjuar rastet e refuzimeve për mospërputhje të ID të pajtimtarit, si pasojë e gabimeve njerëzore të punonjësve të tij gjatë regjistrimit të të dhënave në databazën përkatëse.

Gjithashtu, nga operatorët kërkohet të vijojnë kryerjen e trajnimeve me stafin e pikave te shitjeve për procedurat e ngritjes së kërkesave për bartjen e numrit si dhe për çdo ndryshim në rregullore dhe detyrimet që rrjedhin nga këto ndryshime.

Mbështetur në të dhënat e AKEP, gjatë vitit 2021 u realizuan mbi 121 mijë portime të numrave celularë nga një operator tek tjetri. Vitin e kaluar, nё AKEP janё paraqitur 1,903 ankesa nga pajtimtarёt në lidhje me refuzimin e kёrkesave pёr portim nga operatorët dhënës si dhe arsyet e paraqitura për mospërfundim të procesit të portimit.

Në lidhje me refuzimet e kërkesave për portim, arsyeja kryesore pёr pajtimtarёt me parapagim ka qenë mospërputhja e të dhënave të pajtimtarëve (ID), ndёrsa pёr pajtimtarët me kontratë arsyet kryesore tё refuzimit të kërkesave për portim kanё qenë detyrimet e pashlyera apo penalitete të ndryshme referuar kushteve kontraktuale.

/Monitor

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Inflacioni në Turqi arrin nivel rekord

Story i radhës

Drejtori Avziu: Punojmë intensivisht në pasurimin e ofertës turistike për vizitorët tanë edhe gjatë periudhës së verës

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish