Peng Shuai mohon sërish akuzat për ngacmim seksual

min lexim

Në një intervistë për të përditshmen franceze “L’Equipe”, tenistja kineze Peng Shuai i mohoi akuzat që i kishte ngritur vetë më parë për ngacmim seksual. Gjendja e tri herë fitueses olimpike u bë një shqetësim ndërkombëtar në nëntor, kur ajo akuzoi në rrjetet sociale ish Zëvëndës-Kryeministrin kinez, Zhang Gaoli, për ngacmim seksual.

Tenistja kineze Peng Shuai sërish mohoi të ketë akuzuar për ngacmim seksual një ish-zyrtar të lartë të Partisë Komuniste, përmes një postimi në rrjete sociale në fund të vitit të kaluar.

Gazeta sportive franceze “L’Equipe” publikoi sot një intervistë me tenisten Peng.

Zonja Peng tha se ajo kurrë nuk kishte thënë se dikush e ka abuzuar seksualisht, në asnjë mënyrë.

Por në postimin e 2 nëntorit të vitit të kaluar, në rrjetin social kinez Weibo, sportistja shkruante se ish-zëvëndëskryeministri Zhang Gaoli e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale. Më pas, vinte në dukje ajo, marrëdhëniet mes tyre kishin vazhduar herë pas here, por me pëlqimin e të dyja palëve. Postimi i saj u fshi pak kohë pas publikimit, ndërsa ajo vetë u zhduk nga sytë e publikut për disa ditë.

Zonja Peng i tha gazetës L’Equipe se postimi kishte shkaktuar një keqkuptim të madh dhe këmbënguli se ajo e kishte fshirë atë me dëshirën e saj.

Sportistja shpjegoi se zhdukja e saj nga sytë e publikut erdhi nga pamundësia për t’iu përgjigjur shumë mesazheve që mori.

Ajo gjithashtu tha se të shtunën është takuar me Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Zoti Bach e konfirmoi takimin përmes një deklarate.

Zëdhënësi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Mark Young tha në një konferencë në Pekin se nuk është punë e organizatës të përcaktojë nëse tenistja po i bën këto deklarata me vullnetin e saj të lirë.

Ne si një organizatë sportive po bëjmë gjithçka që është e mundur që të sigurohemi se ajo është e lumtur. Nuk mendoj se na takon ne të gjykojmë, ashtu siç nuk ju takon juve të gjykoni qëndrimin e saj”, tha ai.

I pyetur rreth intervistës së tenistes kineze, Presidenti i Komitetit Olimpik Thomas Bach tha për agjencinë Reuters se çdo komunikim varet nga ajo dhe se është jeta dhe historia e saj.

Sportistja kineze i tha gazetës se ka vendosur të tërhiqet nga tenisi.

Një mohim të ngjashëm zonja Peng e kishte bërë edhe në dhjetor në një intervistë virtuale për gazetën kineze me bazë në Singapor, Lianhe Zaobao./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

MASH Maqedoni: Nuk ka sulm hakerësh

Story i radhës

4 shenjat që tregojnë se po pini kafe më shumë se sa duhet

Të fundit nga