Patriarku maronit libanez, Mar Beshara Butrus er-Rai, i bëri thirrje qeverisë së Libanit që ta mbajë vendin larg luftës me Izraelin, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të Libanit NNA, Rai foli në një program të organizuar nga Kisha Katolike.
Duke folur për përleshjet midis Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite në jug të vendit që nga 8 tetori, Rai tha: “Unë u bëj thirrje zyrtarëve të qeverisë libaneze që ta mbajnë vendin larg nga kjo fatkeqësi e luftës”.
Rai argumentoi se ofrimi i mbështetjes diplomatike dhe politike për çështjen palestineze do të ishte më efektive.
Rai theksoi gjithashtu se duhet të zbatohet “rezoluta e armëpushimit” e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila i dha fund përleshjeve të vitit 2006 midis Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite në Libanin jugor.
Ndërkaq, 61 anëtarë të Hezbollahut dhe katër ushtarë izraelitë kanë vdekur në përleshjet midis Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 8 tetori.