Pasojat e luftës në Ukrainë tek komuniteti rus në SHBA

Lufta e Vladimir Putinit në Ukrainë po shkakton probleme për disa rusë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara mes të cilave akte vandalizmi, kulturë përjashtimi e goditje financiare. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, shumë e kundërshtojnë agresionin e Moskës dhe kërkojnë paqe.

Me mijëra vetë kanë marshuar në Nju Jork në mbështetje të Kievit që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës. Emigrantja ruse Sasha Nazintseva fillimisht u ndje e mirëpritur t’u bashkohej atyre.

“Dëgjova disa djem amerikanë pas meje duke thënë gjëra jo shumë të mira për rusët. Ata u bënë disi agresivë, më thanë disa gjëra jo fort të mira. Pastaj dëgjova dy ukrainas të tjerë duke thënë kthehu në Rusi”, tha ajo.

Rasti i saj nuk është i pazakontë. Kundërshtimi ndaj veprimeve të Moskës po manifestohet edhe kundër rusëve në SHBA. Në Uashington, restoranti “Russia House”, për shembull, është vandalizuar sipas disa njoftimeve. Është kultura e përjashtimit që godet bizneset ruse, thotë Mikhail Podolski, i cili ka lindur dhe është rritur në Moskë.

“Dyqanet përpiqen të heqin vodkën ruse. Komunitetet online, po ndryshojnë grupet ruse duke u vendosur emrin në grupe rusishtfolëse. Dyqanet ruse po heqin tabelat ruse, për t’u mbrojtur”, thotë Mikhail Podolski, ruso-amerikan që jeton në Virxhinia.

Julia Lushnikova shpreson që ndjenjat armiqësore të mos thellohen.

“Është shumë e trishtueshme që ndodh një gjë e tillë. Njerëzit janë njerëz dhe nuk mendoj se duhet të përgjithsojmë, vetëm se dikush ka një mbiemër rus e të bëhet armik”, thotë Yulia Lushnikova, ruso-amerikane që jeton në Kolorado.

Diaspora ruse po punon për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ushtruar trysni ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës thotë Natalia Arno, presidente e Fondacionit Rusia e Lirë, që mbështet lirinë dhe demokracinë në Rusi.

“Ne po organizojmë një fushatë të madhe dhe informuese për të thënë të vërtetën, në mënyrë që rusët në mërgim t’u tregojnë atyre që janë në vend (Rusi) të vërtetën. T’u dërgojnë atyre foto dhe video nga ajo që po ndodh”, thotë Natalia Arno, Presidente e Fondacionit Rusia e Lirë.

Mesazhi duket se po përhapet. Protestuesit kanë dalë në rrugë në Rusi pavarësisht se janë përballur me arrestime dhe disa vite burg. Peter Lidsky, i cili ka lindur në Moskë, shqetësohet se sanksionet e ashpra amerikane dhe evropiane do të minojnë ndryshimin në Rusi.

“Nëse njerëzit bëhen edhe më të varfër, ata do të përqendrohen në mbijetesën e tyre. Ata ndoshta nuk do të kenë kohë për të punuar rreth ndryshimit të sistemit politik”, thotë Peter Lidsky, rus-amerikan nga San Françisko.

Marina Dyu ka të afërm si në Rusi ashtu edhe në Ukrainë. Ajo i kupton perceptimet negative që kanë disa ndaj rusëve këto ditë. Është koha thotë ajo, të bashkohemi dhe t’i japim fund vuajtjeve të pakuptimta të luftës, për të dyja palët.

“Thjesht shpresoj që njerëzit të mos e nxisin edhe më tej urrejtjen, të mos provokojnë urrejtje ndaj njëri-tjetrit, por thjesht të bashkohen rreth çdo përpjekjeje që mund të bëjmë për të mbështetur njerëzit në Ukrainë dhe Rusi”, thotë Marina Dyu, ruso-amerikane që jeton në Los Angeles.

Zëri i Amerikës kontaktoi me disa rusë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të cilët mbështesin sulmin ndaj Ukrainës, por ata nuk pranuan të flasin./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Hoxhaj: Serbia është zgjatim i Rusisë në Ballkan, hyrja e Kosovës në NATO është prioritet

Story i radhës

Të ardhurat mininale 400 euro zgjidhin çështjen në Kosovë

Të fundit nga