Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë ka shprehur shqetësim për vendimet e djeshme të Qeverisë, e cila solli vendim të ngrijë çmimet e disa produkteve ushqimore dhe joushqimore.
Nga Oda e tregtarëve kërkojnë takim urgjent me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi për të shqyrtuar pasojat e këtyre vendimeve dhe për të marrë parasysh propozimet e arsyetuara të kompanive në sektorin e tregtisë.
Sipas këtyre vendimeve, siç thonë ata, parashikohet kufizimi i marzhit të produkteve ushqimore bazë, me pritshmëri që çmimet e këtyre produkteve të ulen mesatarisht 10 për qind, përveç qumështit, bukës, miellit të tipit 400 dhe 500, vezëve, vajit të gatimit, kosit dhe qumështit të thartë, të cilët pritet të mbeten në të njëjtin nivel, jo rritje.
“Theksojmë se në deklaratën e tij zëvendësministri e mohon vetë këtë. Nga njëra anë thuhet se produktet bazë shënohen me marzh 20-25 për qind, çka është arsyeja e kufizimit të marzhit në 5 për qind, por nga ana tjetër pretendohet se nuk do të ketë ulje të ndjeshme të çmimeve. Është logjike që çmimet të ulen me 15-20 për qind nëse marzhi ulet në këtë mënyrë. Gjithashtu, këto vendime nuk mbrojnë qytetarët e cenueshëm social, por konsumatorët me të ardhura më të larta do të kenë përfitimin më të madh financiar. Për shembull, në grupin e produkteve të mishit do të duhet të ulen edhe çmimet e produkteve luksoze, që do të thotë se nuk merren parasysh prioritetet e qytetarëve me të ardhura më të ulëta”, thuhet në deklaratë.
Qeveria nw mbledhjen e djeshme mori vendim për vendosjen e marzhës për 102 grupe të produkteve, të cilat përfshijnë rreth 1000 produkte. 5% marzhë të fitimit bruto do të ketë për tetë produkte ushqimore dhe atë për bukën, miellin, vezët, qumështin, vajin për gatim, jogurtin dhe kosin.10% marzhë bruto të fitimit për 55 produkte dhe atë për mishin dhe produktet e mishit, sheqerin, prodhimet e qumështit, gjalpin, fruta- perimet e konservuara, fasulen, orizin, brumërat e të tjerë.15% marzhë të fitimit është vendosur në 39 produkte ushqimore dhe pajisje higjienike dhe atë në fruta-perime të freskëta, detergjente, ushqime për fëmijë, produkte higjienike e të tjerë.
Burimi: TV KLAN