Osmani-Sadriu në takim me studentët në Antalya: Të investohet tek të rinjtë për zhvillim të qëndrueshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, u takua me studentë të universiteteve të ndryshme në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya (ADF), raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë tri ditëve të fundit, në Antalya të Turqisë u zhvillua Forumi i Diplomacisë nën përkujdesjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe mikpritjen e kryediplomatit turk Mevlüt Çavuşoğlu, ndërsa AA ishte “Partner Global i Komunikimit”.

Në takimin me studentët të moderuar nga themeluesja e Fondacionit SosyalBen, Ece Çiftçi, Presidentja e Kosovës Osmani-Sadriu shpjegoi se për të zhvilluar ekonomitë e vendeve në mënyrë të qëndrueshme, është e nevojshme të investohet në kapital njerëzor, veçanërisht tek të rinjtë, duke theksuar se Turqia ka një popullsi të re.

“Unë mund të kem titullin e presidentes më të re në botë, por në vendin tim nuk jam në grupmoshën më të re. Ne jemi një kontinent i plakur si në botën ekonomike, ashtu edhe atë diplomatike”, tha Osmani-Sadriu, duke rikujtuar se ajo e filloi karrierën e saj politike si aktiviste e re 22 vjet më parë.

Osmani-Sadriu nënvizoi se durimi dhe përballja me vështirësitë janë të nevojshme kur një njeri hyn në politikë.

“Ju duhet të jeni në gjendje të shpreheni lirshëm përballë sfidave. Për të shprehur mendimin tuaj, duhet të dëgjoni zërin tuaj të brendshëm. Ta bëni atë që e dini se është e drejtë, është mënyra më e mirë. Vazhdoni të praktikoni atë që e dini se është e drejtë dhe etike. Pa marrë parasysh se sa dyer mbyllen para jush, përpiquni të gjeni një derë të hapur. Ne jemi fëmijët e një vendi që ka qenë i pushtuar për shumë vite. Na u mohua e drejta për arsimim në Kosovë, familjet u larguan nga puna. Të shkosh në shkollë do të thoshte të rrezikosh jetën. Kjo është arsyeja pse të shkonim në shkollë, të merrnim nota të mira, të mësonim historinë e vendit tonë ishte një luftë e madhe”, tha Osmani-Sadriu.

“Asnjëherë mos e vendosni arsimin në plan të dytë”

Duke shpjeguar vështirësitë në karrierën e saj politike, Osmani-Sadriu u shpreh: “Si një grua e re politikane, unë u përballa me vështirësi të mëdha. Jeni e re, hyni në zyrë dhe nganjëherë ju shikojnë si UFO. Ju thonë: ‘Çfarë po bën këtu?’ Nëse jeni edhe të rinj dhe femra, atëherë ju shikojnë sikur keni bërë një mëkat të dyfishtë. Mendoni për vajzat e vogla që ju shikojnë; nëse ju shohin duke hequr dorë, atëherë nuk do të ketë asnjë dritë shprese për ta. Mendoni për fëmijët, të rinjtë që ju shikojnë, si gra, ashtu edhe burra, kur të arrijmë në këtë pikë si gra, burra apo politikanë të rinj. Ju hiqni shkëmbinjtë e rëndë nga rruga për ta, do t’ua hapni rrugën”.

Duke treguar rëndësinë e luftës së të rinjve, Osmani-Sadriu tha se cilido qoftë qëllimi, rinia duhet të përqendrohet në arsimimin e tyre dhe kurrë të mos e vendosë atë në plan të dytë.

Ajo theksoi se Kosova po bën një përpjekje në procesin e njohjes, ndërsa shtoi se të rinjtë duhet ta bëjnë të ditur praninë e tyre në forume dhe takime ku marrin pjesë dhe duhet të bëjnë që zërat e tyre të dëgjohen.

Vjosa Osmani-Sadriu gjithashtu përmendi rëndësinë e shpirtit ekipor, duke thënë se “Pavarësisht sa i fortë është zëri juaj, ju nuk mund ta bëni zërin tuaj të dëgjohet nëse zërat e tjerë nuk e shoqërojnë atë”.

“Kjo është shumë e rëndësishme në diplomaci dhe politikë, duhet të ketë njerëz që ju qëndrojnë pas shpine. Duhet të ketë njerëz që punët e rëndësishme do t’i bëjnë së bashku”, shtoi ajo.

Ndërkaq, duke marrë si shembull pandeminë e koronavirusit (COVID-19), Osmani-Sadriu tha se kjo sëmundje ka treguar se njerëzit kanë nevojë për njëri-tjetrin.



.. .

Ngjarja paraprake

RMV/ 8 raste të reja me COVID-19, asnjë viktimë

Ngjarja e ardhëshme

UEFA ka vendosur...

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian