Osmani: Pres që BE dhe NATO t’i përgjigjen kërcënimit të Vuçiqit

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që komuniteti ndërkombëtar të reagojë ndaj “kërcënimit” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për “luftë të dhunshme”.

Vuçiq tha të enjten se një konflikt i llojit të Nagorno Karabakut mund të ndodhë në Kosovë, nëse përpjekjet për kompromis dështojnë.

Ai tha se zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut, “në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”.

“Unë pres që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja t’i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiq”, shkroi Osmani në Twitter.

Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset nga armenët etnikë, me mbështetjen e Qeverisë armene.

Luftimet për kontrollin e këtij rajoni kanë shpërthyer qysh më 27 shtator, ndonëse këtë javë është shpallur një marrëveshje për armëpushim.

Një luftë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për këtë rajon ka përfunduar në vitin 1994 me armëpushim, por pa marrëveshje të paqes.

“Konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”, tha të enjten Vuçiq.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Negociatat ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Ngjarja paraprake

Observatori Seizmologjik: Pjesa perëndimore e RMV zonë e vërtetë seizmike

Ngjarja e ardhëshme

Universiteti i Tetovës pjesë e rrjetit prestigjioz të universiteteve evropiane në fushën e hulumtimit AURORA

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian