Në orën 01:00 ka nisur numërimi i votave në Himarë për kreun e ri të bashkisë.
Në 16 kutitë e para të numëruara rezultati është 2322 vota për kandidatin e PS, Vangjel Tavo dhe 1005 vota për kandidatin e opozitës, Petro Gjikuria.
Gazetari Ardit Hoxha tha në një lidhje diekte për Euronews Albania se të pranishëm në KZAZ janë edhe dy kandidatët për kryetar bashkie Vangjel Tavo dhe Petro Gjikuria.
“Në Vendin e Numërimit të Votave në KZAZ nr. 88, ka filluar procesi i vlerësimit të votave për 36 qendra votimi.
Anëtarët e Grupeve të Numërimit do të vijojnë punën në mënyrë të pandërprerë dhe vlerësimi i votave do të monitorohet dhe regjistrohet nga kamerat e vendosura në tavolinat e numërimit”,-thuhet në njoftimin e KQZ.
Kujtojmë se zgjedhjet në Himarë po përsëriten pasi kryetari i zgjedhur i Himarës më 14 maj 2023, Fredi Beleri, u dënua me vendim të formës së prerë me dy vite burg për veprën penale “korrupsion në zgjedhje”.
Tashmë kandidojnë përballë njëri tjetrit, Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria nga koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”.