Nuk do të ketë propozim më të mirë për Maqedoninë e Veriut, thotë eurodeputeti Quçuk

min lexim

Ndryshimet kushtetuese nuk janë diktat i Bullgarisë, por rregullat e dakorduara me BE-në që duhet të ndjekë Maqedonia e Veriut, tha eurodeputeti bullgar dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin, Ilhan Quçuk.

Në një intervistë për BNR para seancës së sotme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për ndryshimin e Kushtetutës, ai thekson se kushtet e vendosura nuk janë bullgare, por evropiane, për të cilat Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord gjatë presidencës franceze, gjë që u konfirmua edhe nga parlamentet e të dy vendeve.

“Nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e BE-së – nuk ka dëshirë për këtë, as KE-ja dhe Këshilli nuk do të angazhohen për ndryshimin e rregullave disa muaj para zgjedhjeve evropiane. Rregullat janë të tilla, janë dakord dhe të gjithë duhet t’i respektojnë. E dyta – nuk do të ketë propozim më të mirë, sepse ky është më i miri. Askush nuk po ia kthen duart Shkupit, askush nuk po vendos kushte shtesë. Ky nuk është ndonjë diktat bullgar, por këto janë rregullat evropiane që Maqedonia e Veriut duhet të ndjekë”, thotë Quçuk.

Sipas tij, e gjithë kjo kërkon përpjekje politike dhe dëshirë që vendi të shkojë në një drejtim apo në një tjetër.

“Maqedonia e Veriut është fqinji ynë dhe interesi strategjik i Bullgarisë duhet të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së në Ballkan. Kjo është e ardhmja. Por zgjedhja është ekskluzivisht për Maqedoninë e Veriut. Nëse VMRO-DPMNE nuk dëshiron të jetë në anën e evropianizimit të RMV-së, përgjegjësia është e partisë, por fatkeqësisht kjo do ta ndalë rrugën e Shkupit drejt BE-së për një periudhë të gjatë kohore dhe do t’i hapë mundësinë Shqipërisë të shkëputet nga Maqedonia e Veriut”, thekson Quçuk.

Ai thotë se pajtohet me mendimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski se në rast të dështimit arsyet duhet të kërkohen vetëm në Shkup.

“Duhet të ketë një shenjë të qartë politike, pra përpjekje të bashkuara nga të gjithë. Debati mund dhe duhet të jetë i ashpër kur flitet për çështje të brendshme politike, por kur flitet për shtyllat e integrimit, NATO dhe BE – këtu duhet të ketë vetëm një opinion – duke ndjekur prioritetet strategjike të vendit. I tillë është shembulli bullgar”, thekson Quçuk.

I pyetur për mosmarrëveshjet rreth çështjeve historike, ai tha se historia duhet të lihet në duart e historianëve,  ndërsa politikanët duhet të shikojnë nga e ardhmja. 

“Elitat e sotme politike të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të kenë punë të ndryshme të vendosin kur flasim për të ardhmen. Përfshirë marrëdhëniet afariste, kulturën, arsimin,…, gjtihçka duhet bërë që të dy vendet të mund të afrohen si vende, duke e marrë parasysh të kaluarën e tyre të përbashkët, të kërkojnë një të ardhme të përbashkët brenda BE-së. Është në interes të të dy vendeve”, bëri të ditur Ilhan Quçuk. 

Burimi: TV21

Story i mëparshëm

Fuere: Përveç Maqedonisë së Veriut edhe Sofja duhet të tregojë madhështi në kontestin me Shkupin

Story i radhës

Forcat izraelite bastisin qytetin e Jeninit

Të fundit nga