Nuk dihet ende sa (nuk) u zvogëlua borxhi i Komunës së Tetovës në krye me Kasamin

Janë bërë nëntë muaj që nga publikimi i borxhit të Komunës së Tetovës prej 24 milion eurosh nga ish-udhëheqësia e kryesuar nga Teuta Arifi. Ndërkaq, sot udhëheqësia aktuale e kryesuar nga Bilall Kasami nuk e bëjnë të ditur se si është gjendja aktuale e komunës me borxhin, është zvogëluar apo është rritur. Kasami tha se nëse brenda muajit korrik nuk marrin vendimin nga Gjykata e Apelit për një lëndë eksproprijimi, do ndajnë me opinionin këtë informatë, por kjo nuk ka ndodhur ende, shkruan Portalb.mk.

Komuna gjatë qeverisjes në krye me Kasamin nuk ka njoftuar opinionin ende se si qëndron gjendja financiare e komunës në këto nëntë muaj qeverisjeje.

Kujtojmë se Kasami në fund të qershorit tha se ishin në pritje të një vendimi për një rast eksproprijimi nga Gjykata e Apelit në Gostivar në vlerë që e ka rënduar buxhetin e komunës me 1.5 milionë euro, që më pas të dalin me informatë. Por edhe nëse nuk do e merrnin brenda muajit korrik, ai paralajmëroi se do të dalin me raport deri në fillim të gushtit.

Ky raport ende nuk është prezantuar para opinionit edhe pse afati kohor të cilin e tha kryetari i komunës ka kaluar.

Portalb.mk pyeti Kasamin se nëse e kanë marrë vendimin nga gjykata, ai tha jo ndërsa ritheksoi se raporti për borxhin do publikohet pasi të merret ai vendim.

“Jo presim, në moment kur do e kemi atë do dalim edhe me një deklaratë dhe një raport për borxhin publik”, tha Kasami për Portalb.mk.

Por ja çfarë deklaroi ai në muajin qershor:

“Nëse brenda korrikut nuk do të kemi përgjigje ne do të dalim gjithqysh me një raport për borxhin”, tha Kasami me 27 qershor.

Ndërkaq para tre ditëve, ish-kryetari i këshillit të komunës Besar Durmishi në TV21 deklaroi se borxhi nuk është rritur por ai është zvogëluar.

“Me kompanitë të cilat kemi pasur borxh kemi arritur të gjejmë zgjidhje që të largojnë kamatat që i kanë pasur, pasi borxhet kanë qenë nëpër përmbarues. Kemi arritur të gjejmë një dinamikë të pagesës së borxheve me kusht që ato të largojnë kamatën. Me këtë automatikisht veç se e kemi rrëzuar borxhin diku 3 apo 4 milion”, tha Durmishi.

Kur jemi te borxhi, disa çështje vazhdojnë të mbeten të paqarta për opinionin, siç është shuma aktuale e borxhit në momentin që po flasim; kush e ka bërë këtë borxh, kur dhe pse; cili është plani për uljen e këtij borxhi të cilin komuna tha se e kanë krijuar; si dhe çështje të tjera me interes publik.

Për këtë, Kasami ka dorëzuar edhe padi në Prokurori për ishkryetaren Teuta Arifi për dëmtim të buxhetit të komunës për një mosmarrëveshje për eksproprijimin e një prone.

Kujtojmë që në muajin maj, i pyetur nga Portalb.mk Kasami tha borxhi është zvogëluar por për shumën e saktë presin vendim përfundimtar për padinë, presin që prokuroria të pezullojë pagesën e kësaj kamate dhe se  kanë marrëveshje me bizneset që ata të ja falin kamatën komunës dhe nga ai moment kur do jetë e qartë situata me këtë lëndë, për vlerën konkrete do të dalin me njoftim zyrtar.

Borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës kur u publikua në fund të muajit nëntor 2021 ishte mbi 24 milion euro, prej të cilave Komuna me mbi 14 milion euro borxh, NPK “Tetova” mbi 9.6 milion euro, NP “Parkingu i Qytetit mbi 87 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro.

 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Mezi të japin një kafe, shenjat më koprrace të Horoskopit

Story i radhës

Basketbollisti amerikan sulmohet nga qentë endacakë në Pejë

Të fundit nga