Nisur nga Eno dhe Ledioni: Si të silleni kur shoku bëhet shefi juaj

Eno Popi dhe Ledion Liço, kohë më parë, njiheshin si një dyshe e pandarë në Top Channel, jo vetëm si kolegë, por edhe si miq. Shumë gjëra kanë ndryshuar në karrierën e tyre televizive dhe sot, ata janë sërish bashkë, Eno si bashkë-moderator i “Dancing with the stars”, ndërsa Ledioni si producent i spektaklit. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është miqësia.

I ftuar në “Goca dhe gra”, Eno Popi u pyet në lidhje me marrëdhënien e tyre, tani që si të thuash, Ledioni është eprori i tij.

“Një gjë e besoj fortësisht, që njerëzit që janë të lidhur në ADN me një sipërmarrje, një biznes, atyre u dhemb më shumë dhe luftojnë më shumë se çdo gjë tjetër për gjënë e tyre. Nëse jemi të gjithë bashkë, jemi të gjithë bashkë për këtë qëllim,” tha Eno.

Nisur nga tema interesante, në vijim kemi trajtuar mënyrën si duhet të silleni në rast se shoku apo shoqja juaj bëhet shefi/ja.

1. Flisni

Ky është një ndryshim i madh në marrëdhënien tuaj, kështu që është e rëndësishme që ju dhe shoku të diskutoni dhe të tregoheni të sinqertë për mënyrën se si ndiheni. Nëse keni disa shqetësime se si do të ndikojë në marrëdhënien tuaj, mos kini frikë ta pranoni. Megjithatë, përpiquni ta shikoni të ardhmen me optimizëm.

2. Pranoni se gjërat do të ndryshojnë

Ka tepër rëndësi që të pranoni se gjërat kanë ndryshuar dhe të mbani një qëndrim të pjekur, edhe nëse mikut tuaj të kthyer në shef i kërkohet të bëjë disa detyra që ju bëjnë të dy të ndiheni paksa në siklet.

3. Ndihmojeni të ketë sukses

Nëse dëshironi të silleni në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të jepni një kontribut pozitiv për kompaninë, një nga prioritetet kryesore duhet të jetë të ndihmoni shefin tuaj të bëjë detyrën e tij.

4. Shmangni thashethemet në zyrë

Thashethemet nuk janë produktive dhe të dobishme, por mund të jenë veçanërisht të dëmshme kur dikush që ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me një shef përfshihet në përhapjen e thashethemeve ose krijimin e një atmosfere toksike në vendin e punës. Prandaj është thelbësore të mbani një qëndrim profesional dhe të shmangni çdo situatë që mund t’ju vendosë ju ose shefin në situatë të pakëndshme.

5. Mos prisni t’ju mbajë me hatër

Ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha, është me shumë rëndësi që të mos supozoni se shoku juaj do t’ju trajtojë ndryshe. Respektoni faktin që ata kanë marrë një rol të ri dhe mund të jetë fillimi i një faze emocionuese në karrierën e tyre. Nëse atij i duhet të raportojë për performancën tuaj, ndoshta jo të mirë, atëherë ju duhet ta kuptoni që po bën detyrën. Favorizimet ose përfitimet për ju – sado të padëmshme mund të duken – mund të interpretohen keq nga të tjerët. Ju jeni miq jashtë orarit të punës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Detaje të reja/ 16 vjeçari në Banjën e Tetovës dyshohet se u vra e dashura

Story i radhës

Rama: Zgjerimi i sheshit ka qenë pjesë e programit tim elektoral

Të fundit nga