Nikollovski nga Tirana: Vazhdojmë ta thellojmë bashkëpunimin me Shqipërinë

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë kanë bashkëpunim të shkëlqyer dypalësh ekonomik dhe çdo takim është një mundësi për përparimin e mëtejshëm të tij, një mundësi për të shkëmbyer përvojat në fushën e bujqësisë dhe për lehtësimin e tregtisë me produktet agroushqimore. Marrëveshjet e nënshkruara dypalëshe dhe shumëpalëshe ndërmjet dy vendeve janë dëshmi e bashkëpunimit tonë, duke u mundësuar qytetarëve të të dy vendeve bashkëpunim në të gjitha fushat e jetës shoqërore.

Kështu deklaruan në takimin e sotëm të punës në Tiranë, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski dhe Frida Krifca, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë.

Sipas MBPEU-së, Nisma Ballkani i Hapur forcon bashkëpunimin mes dy vendeve, duke u mundësuar atyre lehtësimin dhe zhvillimin e tregtisë së ndërsjellë të bimëve dhe produkteve bimore, për të cilën dy ministrat konkluduan se po zbatohet mirë. U bisedua edhe për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve për shkëmbimin tregtar të produkteve me origjinë shtazore, përmes analizave të përbashkëta dhe njohjes reciproke të të gjitha certifikatave të nevojshme, me qëllim rritjen e shkëmbimit tregtar të këtyre produkteve. Si pjesë e Nismës për Ballkanin e Hapur, Grupi i Punës për Bujqësinë do të takohet në datat 12 dhe 13 maj 2022 në Tiranë.

Advertisements

Ministri Nikollovski, i shoqëruar nga zëvendësministri Abdulshuqur Abedini dhe këshilltari shtetëror Trajan Dimkovski, theksoi rëndësinë e Marrëveshjes për bashkëpunim fitosanitar, të nënshkruar mes dy vendeve në tetor të vitit 2020.

“Bashkëpunimi fitosanitar dhe veterinar është intensiv ndërmjet shërbimeve kompetente të vendeve tona dhe zhvillohet jo vetëm në mënyrë dypalëshe, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë CEFTA, si dhe në kuadër të Nismës për Ballkanin e Hapur. Shërbimet fitosanitare dhe veterinare të Maqedonisë së Veriut në disa raste kanë mbështetur homologët e tyre shqiptarë në harmonizimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e çështjeve veterinare dhe fitosanitare me rregulloret ekzistuese në Maqedoninë e Veriut që tashmë janë të harmonizuara me rregulloret evropiane”, theksoi Nikollovski.

Ministrja Krifca gjithashtu i vlerësoi të suksesshme rezultatet e marrëveshjes për bashkëpunim fitosanitar dhe veterinar, duke theksuar mirënjohjen ndaj ministrit Nikollovski për mbështetjen në harmonizimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e çështjeve veterinare dhe fitosanitare.

Ministri Nikollovski njoftoi se në korrik së bashku me FAO do të organizohet Konferenca për konsolidimin e tokës bujqësore të copëtuar në Manastir, e cila është shembull i suksesshëm i konsolidimit të tokës bujqësore.

“Marrëveshja për menaxhim të përbashkët të qëndrueshëm të peshkimit në Ohër dhe Prespë na mundëson që bashkërisht të kujdesemi për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin afatgjatë të qëndrueshëm të të dy liqeneve, si dhe përdorimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e rezervave të peshkut”, theksoi Nikollovski.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Talat Xhaferri: Ukrainasit, ndryshe nga ne, po dokumentojnë krimet e luftës (VIDEO)

Story i radhës

Çadikovski: Në vitin 2021 dhe 2022 ka rënie të sulmeve ndaj gazetarëve

Të fundit nga