Netanyahu pranë krijimit të një prej qeverive më të djathta në historinë e Izraelit

Kryeministri i zgjedhur izraelit, Benjamin Netanyahu bëri një hap para drejt krijimit të qeverisë së re, pas miratimit në parlament të një ligji që kishte shkaktuar shumë përçarje, por që në fund mori miratimin e partnerëve të tij në koalicion. Marrëveshja e arritur pas dy muaj negociatash, i mundëson zotit Netanyahu krijimin e një prej qeverive më të djathta në historinë e vendit.

Ende pa marrë drejtimin e qeverisë së re, kryeministri i zgjedhur izraelit, Benjamin Netanyahu po përballet me kritika të ashpra mbi politikat e tij.

Por ai është zotuar se do të qeverisë në të mirën e të gjithë izraelitëve, pavarësisht faktit se ai do të kryesojë një nga qeveritë më të djathta në historinë e vendit, me ministritë kryesore në duart e politikanëve të vijës së ashpër.

Pavarësisht fitores bindëse në zgjedhjet e nëntorit të bllokut të tij të përbërë nga parti të djathta e me qasje fetare, zotit Netanyahu i janë dashur pothuajse dy muaj për arritjen e një marrëveshjeje me aleatët e tij, të cilët kërkuan një pjesë të konsiderueshme të pushtetit në këmbim të mbështetjes së tyre.

Miratimi të martën i amendamenteve që hapin rrugën drejt krijimit të qeverisë së re, i mundëson partisë nacionaliste të Zionizmit Fetar marrjen e postit të ministrit të mbrojtjes, gjë që i jep asaj autoritetet të gjerë në zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun e pushtuar Perëndimor – toka ku palestinezët kërkojnë shtetin e tyre.

Amendamenti i dytë i mundëson Aryeh Deri-t, kreut të partisë ultra-ortodokse Shas të shërbejë si ministër, pavarësisht faktit se ai është dënuar për mashtrim me taksat.

Zoti Deri pritet të marrë postin e ministrit të Financave pas dy vitesh, sipas një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit me udhëheqësin e partisë së Zionizmit Fetar, Bezalel Smotrich.

Por menjëherë pas miratimit të ligjit, Gjykata e Lartë izraelite tha se do të shqyrtojë kërkesën e një grupi të përbërë nga shkencëtarë, akademikë dhe ish-diplomatë të quajtur “Bastioni Demokratik”, kundër emërimit të zotit Deri.

Zoti Netanyahu pritet të bëjë betimin për qeverinë e tij të re më 29 dhjetor, pas hyrjes në fuqi të ligjit që i siguron kompetenca të reja mbi policinë Itamar Ben-Gvirit, kreut të partisë ultra-nacionaliste Jude Power, si ministër i sigurisë kombëtare.

Ky ligj, krahas zotimeve për të frenuar kompetencat e Gjykatës së Lartë, deklarimeve kundër homoseksualëve nga anëtarët e koalicionit dhe thirrjet që të lejohen bizneset të refuzojnë shërbimet ndaj njerëzve duke u bazuar në pikëpamjet e tyre fetare, kanë alarmuar izraelitët liberalë dhe aleatët perëndimorë dhe kanë nxitur kritika nga grupet për të drejtat e njeriut, bizneset dhe zyrtare publikë.

Në përgjigje të kritikave, zoti Netanyahu ka përsëritur zotimin e tij se do të mbrojë të drejtat civile dhe se nuk do të lejojë prekjen e të lirive të pakicës arabe apo komunitetit LGBTQ./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​KMDLNj: Situata në veri e rëndë, barrikadat po cenojnë të drejtat e njeriut

Story i radhës

7 gjërat që bën një prind kur e do vërtetë fëmijën e tij

Të fundit nga