Nesër seancë publike për “rastin ‘Alfa’! A do të ketë rigjykim?

Nesër Gjykata Apelit do të mbajë seancë të hapur mbi rastin “Alfa”. Pritet që të vendosë mbi ankesën e palës mbrojtëse, e cila pretendon se i dënuari Almir Derplanini nuk është i përfshirë në këtë rast. Vendimi i nesërm i Apelit, hap rrugë që lënda “Alfa” për Agim Islamin dhe tashmë të ndjerin Rexhail Qerimi të mund të rigjykohet. Avokati, Asmir Alispahiq, pret që nesër gjykata e shkallës së dytë të vendosë mbi ankesat e dorëzuara të mbrojtjes.

“Unë pres që nesër lënda të kthehet në rigjykim me udhëzime të qarta në të cilat me të gjykata e shkallës së parë do të veprojë dhe përfundimisht do të sjell vendim ligjor dhe të drejtë e ajo është që të ketë aktvendim lirues”, tha Alispahiq.

Sipas Ligjit për procedurë penale, gjykatësit e Apelit kanë të drejtë që mbi ankesat të vendosin brenda ditës ose ditëve ne vijim, tha Alispahiq, duke sqaruar kështu se nuk ka obligim ligjor që vendimi të sillet pikërisht nesër. Sipas avokatit, ekspertiza e re dëshmon se personat e dënuar janë të pafajshëm dhe se Gjykata Penale duhet të vendosë për kthimin e rastit në rigjykim.

“Të gjithë të akuzuarit, sipas dëshmisë së re, ekspertizës, që është dorëzuar për tashmë të ndjerin Rexhail Qerimi dhe Agim Islami është se ata nuk kanë asnjë lidhje me rastin, por duke marrë parasysh faktin e procedurës së ndarë e cila po zhvillohet, do të duhet të gjitha dokumentet dhe dëshmitë të shqyrtohen me qëllim që të sillet vendim për kërkesën për përsëritje të lëndës mbi bazën e dëshmive të reja”, tha më tej Alispahiq.

Kohë më parë nga Gjykata Penale kishin deklaruar se menjëherë pasi që lënda të kthehet nga shkalla e dytë në shkallën e parë, Këshilli do të vendosë për procedimin e lëndës. Edhe ish i akuzuari në rastin “Alfa”, Ramiz Dauti, mendon se lënda menjëherë duhet të kthehet në rigjykim.

“Vendimi duhet të merret menjëherë për shkak se prej ditës kur e kemi dorëzuar kërkesën për rigjykim bashkë me ekspertizën forenzike në Gjykatën Themelore kanë kaluar disa muaj dhe mendoj që nga data e nesërme veç më lënda është e lirë dhe e kompletuar si lëndë, duhet të formohet Komision gjyqësor dhe të merret vendimi për rigjykimin e rastit”, deklaroi Dauti.

Në qershor të vitit të kaluar, pala mbrojtëse deri te Gjykata Penale dorëzoi ekspertizë forenzike të përgatitur në Serbi, pasi familjarëve iu është thënë se Byroja për ekspertizë e Maqedonisë së Veriut nuk posedon as kuadro e as teknikë për kryerje të një ekspertize të tillë. Sipas ekspertizës, të dënuarit Agim Islami dhe tashmë i ndjeri Rexhail Qerimi, janë dënuar mbi dëshmi joligjore dhe të kurdisura. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2008, kur një polic i njësitit Alfa mbeti i vrarë, gjë për të cilën gjykata në vitin 2010 dënoi me burg të përjetshëm tanimë të ndjerin Rexhail Qerimin, Agim Islamin, ndërsa Almir Dërplaninin u dënua në mungesë./TV21

Story i mëparshëm

Ohër: Kërcënohen pjesëtarët e grupit Lev Tahor

Story i radhës

Trençevska thotë se me 18 mijë denarë pagë minimale vlerësohet puna e punëtorëve

Të fundit nga