Në shenjë të përkujtimit; Agim Bytyqi, njeriu që vendosi themelet e FFK-së

Nga sot nuk është më në mesin tonë njeriu që hyri në histori të futbollit të Kosovës, si kryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës. Me ndarjen nga jeta të Agim Bytyqit nuk mund të pajtohemi lehtë, por ja që jeta është e tillë dhe secili prej nesh një ditë do të shkojë në botën e përjetshme.

Gjithsesi, vepra, kontributi dhe ideali i tij për atdheun dhe futbollin në veçanti do të mbesin përherë në kujtesën dhe historinë tonë. Edhe pse na dallonte mosha, Agim Bytyqin e njoha që nga ditët e para të mëvetësimit të futbollit. Ishte njeri me personalitet të lartë intelektual, por edhe guximtar dhe atdhetar.

Sot në këtë ditë të dhimbshme e kujtoj me krenari guximin e tij dhe të shumë bashkëkohësve të tij kur morën vendimin për t’i vënë themelet e para për krijimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ishte një fillim i vështirë, ngase viti 1991 ishte periudhë e përmbysjes së çdo gjëje që ishte shqiptare nga okupuesi serb dhe krijimi i federatës dhe zhvillimi i garave në futboll dukej si diçka e pamundshme.

Megjithatë, vullneti i madh dhe dëshira për t’i rezistuar armikut edhe nëpërmjet futbollit fitoi mbi ndjenjën e rrezikut dhe të represionit. Agim Bytyqi u vendos në krye të federatës dhe së bashku me shumë dashamirë të futbollit dhe atdhetarë tjerë filluan rrugëtimin e asaj që sot ne e përfaqësojmë me dinjitet dhe përgjegjësi.

Të ishe në krye të futbollit në atë kohë s’do mend se nuk ishte e lehtë, ngase pushtuesi nuk zgjidhte mjete për të ndalur gjithçka që frymonte shqip, por Agim Bytyçi dhe shumë entuziastë tjerë të futbollit ia dolën që ta çojnë përpara misionin që kishin marrë përsipër me lavdi e krenari, përkundër shumë maltretimeve nga regjimi i atëhershëm.

Andaj, ne asnjëherë nuk do të harrojmë punën e jashtëzakonshme dhe kurajën e tij dhe të bashkëpunëtorëve tjerë që edhe në kushte të okupimit me përkrahjen e të gjitha klubeve filluan historinë e re të futbollit të Kosovës.

Vendosmëria e tij për punë edhe në rrethana të tilla të vështira do të jenë shembull për ne edhe në periudhën kur tashmë jemi të njohur ndërkombëtarisht dhe kemi krijuar një identitet me vlera të mëdha në botën e futbollit.

Lamtumirë miku im!, shkruan Agim Ademi, president i FFK-s.

Ngjarja paraprake

Haki Rugova, duke e dëgjuar këngën ‘I dehur jam’

Ngjarja e ardhëshme

10 fakte jo shumë të njohura për njerëzit me sy të gjelbërt

të fundit nga