Në Klinikën e Pediatrisë vizita të shumta të fëmijëve që dyshohet se janë infektuar me COVID-19

Kanë kaluar më shumë se 8 muaj, prej kur qytetarët e vendit tonë, ashtu si edhe në gjithë botën, po vazhdojnë të ballafaqohen me pandeminë COVID-19, një virus ky ende i panjohur, i cili merr jetë njerëzish.

Madje, ditëve të fundit, është alarmuar i gjithë globi, në pritje të një vale të dytë, kjo për shkak edhe të gripit sezonal, kjo ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të rasteve me COVID.

Të prekur nga gripi sezonal, janë edhe më të vegjlit, e për këtë IndeksOnline, ka dërguar disa pyetje në adresë të Klinikës së Pediatrisë në QKUK. Drejtoresha e kësaj klinike, Dr. Drita Qosaj, ka thënë se pavarësisht pandemisë, numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë, nuk është më i madh se i atyre paraprak.

“Klinika e Pediatrisë është duke punuar me ritmin e saj të rregullt për kohën. Në këtë periudhë, fillon të shtohet numri i vizitave sepse fillojnë virozat e stinës. Ky numër nuk është më i madh se vitet paraprake. Në mesin e fëmijëve të vizituar dhe të spitalizuar kemi shumë fëmijë të dyshimtë me COVID-19. Fëmijët e hospitalizuar, të dyshimtë izolohen deri në marrjen e rezultatit të testit”, ka thënë Qosaj.

E njëjta tutje shton, se nëse fëmijët rezultojnë pozitiv me COVID-19, atëherë transferohen në njësinë COVID të dedikuar për këta fëmijë.

“Numri i fëmijëve të mjekuar në këtë njësi është 48 fëmijë. Kemi numër të shtuar të fëmijëve që vizitohen, virozat e stinës dhe mesin e tyre edhe Influenza janë shkaktarë të këtyre vizitave. Por, numri nuk është aq i madh që ne mos ta përballojmë punën”, shprehet ajo.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë së QKUK-së, ka komentuar edhe disa pamje që janë publikuar, në të cilën shihet një pjesë e tavanit, brenda kësaj klinike, derisa pacientët ishin të shtrirë.

“Nuk ka pasur shembje të tavanit në Klinikën e Pediatrisë dhe nuk ka pasur rrezikim të pacientëve të shtrirë në këtë klinikë. Klinika e Pediatrisë është njëra nga klinikat më të mëdha në QKUK me numër të madh të të shtrirëve dhe rasteve tjera që frekuentojnë këtë klinikë, andaj si pasojë e mbingarkesës së nyjeve sanitare mund të ketë ndodhur rrjedhja”, përfundon Qosaj.

Ngjarja paraprake

Kapen ilaçe kontrabandë, të fshehura në dy autobusë

Ngjarja e ardhëshme

Llapi para tërheqjes nga garat: E dhimbshme të rikthehemi në Ligën e Parë por ne nuk mundemi më 

të fundit nga