Ndërmarrjet gjermane sërish më optimiste, përmirësohet furnizimi me lëndë të para

Drejtuesit e ndërmarrjeve gjermane janë përsëri më të sigurt për të ardhmen e afërt. Të paktën kështu thotë Indeksi për Klimën e Biznesit i Institutit IFO.

Menaxherët e kompanive në Gjermani janë sërish për herë të parë optimistë që nga qershori i vitit të kaluar. Barometri më i rëndësishëm ekonomik gjerman – shënoi çuditërisht në janar 95.7 pikë pas 94.8 pikëve në dhjetor, njofton IFO për sondazhin e tij me rreth 9 mijë menaxherë të kompanive. Kurse ekspertët e intervistuar nga Reuters presin stagnacion ekonomik.

“Ekonomia gjermane po e nis vitin e ri me një fije shprese, Menaxherët janë sërish skeptikë për situatën e kompanive të tyre, por e vlerësojnë të ardhmen me më shumë optimizëm”, tha presidenti i IFO-së, Clemens Fuest.

Edhe gjendja e furnizimeve me prodhime paraprake dhe lëndë të para është përmirësuar disi. Por eksperti ekonomik në IFO, Klaus Wohlrabe tha se nuk ka ende asnjë relaksim sa u përket çmimeve.

“Të paktën një ndër dy kompani dëshiron t’i rrisë më tej çmimet e prodhimeve të saj dhe kjo prirje vihet re si në tregtinë me pakicë edhe atë me shumicë”, tha Wohlrabe.

Ai shton se po të vështrojmë ekonominë në përgjithësi nuk ka shumë vend për eufori.

“Ka sinjale pozitive. Por është ende shumë herët për të folur për një ndryshim të tendencës”, shton ai.

Kryeekonomisti i bankës private Hauck Aufhäuser Lampe, Alexander Krüger paralajmëroi për efektet negative të situatës gjeopolitike.

“Konflikti në Ukrainë i ka rritur rreziqet, prandaj pritshmëritë ekonomike mund të zhgënjehen”, tha Krüger.

Sipas një vlerësimi paraprak të Zyrës Federale të Statistikave ekonomia gjermane u tkurr disi në fund të vitit 2021 me 0.5 për qind deri në 1.0 për qind.

Shumica e ekonomistëve supozojnë se vala e pandemisë e shkaktuar nga varianti i koronës Omicron do ta ngadalësojë gjithashtu ekonominë në tremujorin e parë.

Norma e inflacionit arriti në dhjetor në 5.3 për qind, niveli më i lartë prej gati 30 vjetësh. /Deutsche Welle/

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Përfaqësuesi Special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor mbërrin sot në vendin tonë

Story i radhës

“Po vijnë fansat”/ Tmerri që përjetuan banorët e “Big Brother” kur shpërtheu ‘Gërdeci’ në vitin 2008

Të fundit nga