Navalny është në gjendje të qëndrueshme, thonë autoritetet ruse

Autoritetet ruse kanë thënë se gjendja shëndetësore e politikanit të burgosur të opozitës, Aleksei Navalny, është “e qëndrueshme”.

Shërbimi Federal i Burgjeve (FSIN) i tha agjencisë së lajmeve Interfax, më 25 mars se, në burgun ku po mbahet Navalny është zhvilluar një kontroll i zakonshëm mjekësor i të burgosurve.

“Sipas rezultateve të kontrollit, gjendja shëndetësore e Navalnyt u përcaktua si e qëndrueshme”, i tha agjencisë shërbimi për shtyp i FSIN. Deklarata, megjithatë, nuk ndikoi shumë për të zbutur shqetësimet e bashkëpunotërve të Navalnyt për gjendjen e tij shëndetësore.

“Vërtet, tani ne jemi të shqetësuar. Edhe Shërbimi nuk mund ta quajë të mirë gjendjen e Navalny”, thuhet në një postim në Twitter nga Fondacioni Kundër Korrupsionit, të cilin e udhëheq Navalny.

Më 24 mars, bashkëpunëtorët e kritikut të Kremlinit, thanë se jeta e Navalnyt mund të jetë në rrezik.

“Jemi të shqetësuar për përkeqësimin e shpejtë të gjendjes së tij shëndetësore “, shkroi Maria Pevchikh, shefja e hetimeve në Fondacionin Kundër Korrupsionit të Navalny.

Navalny është arrestuar në Moskë në janar, menjëherë pasi është kthyer nga Gjermania, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.

Ai është helmuar në muajin gusht, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorët perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok.

Navalny ka fajësuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për urdhërimin e sulmit ndaj tij, por Kremlini e ka mohuar përfshirjen.

Në fillim të shkurtit, një gjykatë në Moskë ka konstatuar se Navlny, gjatë kohës sa ka qenë në Gjermani, ka shkelur dënimin me kusht, të shqiptuar më herët për një rast të përvetësimit të fondeve.

Gjykata ka urdhëruar Navalnyn që të shërbejë dy vjet e gjysmë në burg.

Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar disa zyrtarë rusë për, siç është thënë, përfshirje në helmimin e Navalnyt.

Duke reaguar pas sanksioneve, Moska e ka porositur Perëndimin që “të mos luajë me zjarr”./REL

Ngjarja paraprake

Çfarë është vaksina kineze?/ Ekspertët e ISHP: Përdor teknologjinë tradicionale të virusit të dobësuar

Ngjarja e ardhëshme

Luan Rama: Vota për LSI-në, është votë për Shqipërinë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian