​Nafta u ul në 91 dollarë para rifillimit të bisedimeve SHBA-Iran

Çmimet e naftës u ulën sot në rreth 91 dollarë për fuçi përpara vazhdimit të negociatave indirekte midis SHBA-së dhe Iranit, të cilat mund të ringjallin marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore dhe të mundësojë eksporte më të mëdha të naftës iraniane.

Një marrëveshje do t’i “hapte derën” Iranit, një anëtar i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), për të vendosur më shumë se një milion fuçi në ditë në treg, që korrespondon me më shumë se një për qind të furnizimit global, raporton Reuters.

Bisedimet bërthamore midis Uashingtonit dhe Teheranit duhet të vazhdojnë sot në Vjenë.

Nafta evropiane Brent ra me 1,45 dollarë, ose 1.6 për qind, në 91.24 dollarë për fuçi në tregjet deri në orën 14:30 pasdite, pasi arriti nivelin më të lartë të shtatë vjetëve prej 94 dollarësh dje.

Çmimi i naftës amerikane WTI u dobësua me 1.09 dollarë ose 1.2 për qind, në 90.23 dollarë.

“Nëse sanksionet ndaj Iranit hiqen, oferta globale e naftës së papërpunuar mund të marrë mbështetjen shumë të nevojshme”, tha Naim Aslam, analisti kryesor i tregut të Avatrade.

Tetë raunde negociatash indirekte midis SHBA-së dhe Iranit që nga prilli i vitit të kaluar ende nuk kanë çuar në një marrëveshje mbi vlefshmërinë e vazhdueshme të paktit bërthamor të 2015-ës, ndërkohë që ka ende dallime midis dy palëve për shpejtësinë dhe shtrirjen e heqjes së sanksioneve.

“Eksportet e Iranit mund të rifillojnë shpejt nëse arrihet një marrëveshje bërthamore. Por kjo është një “nëse” e madhe. Kthimi i fuçive iraniane në treg është vetëm një mundësi në këtë fazë”, tha Tamas Varga nga shtëpia e brokerimit PVM.

Rritja e çmimit të naftës këtë vit është nxitur nga rritja e kërkesës globale, tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërprerjet në dërgesat nga vendet prodhuese si Libia dhe një rritje e ngadaltë e prodhimit nga OEPK dhe aleatët e saj pas një rënie rekord të pompimit në vitin 2020.

Në uljen e sotme të çmimit të “arit të zi” kontribuuan edhe deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron se takimi i tij me homologun rus Vladimir Putin ndihmoi në parandalimin e përkeqësimit të krizës ukrainase.

Çmimet e naftës janë gjithashtu nën presion shtesë për shkak të rritjes së mundshme të inventarëve në SHBA. Analistët vlerësojnë se inventarët e naftës në SHBA u rritën me 700.000 fuçi në javën që përfundon më 4 shkurt.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ëndrra ndërpritet në mes, filmi “Zgjoi” nuk nominohet për Oscar

Story i radhës

Njerëzit me forcë të madhe mendore i kanë këto tipare

Të fundit nga