Myftiu Tërnava në Forumin global të vlerave të përbashkëta, pjesëmarrës mbi 70 liderë nga të gjitha religjionet

Me ftesë të sekretarit gjeneral të Ligës së Botës Islame (RABITA), kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, mori pjesë në Forumin global të vlerave të përbashkëta të pasuesve të religjioneve të ndryshme, i cili po mbahet në kryeqytetin e Arabisë Saudite, në Rijad.

Në këtë takim po marrin pjesë mbi 70 liderë nga gjitha religjionet, si islame, krishtere, hebreje, budiste, hinduse etj.

Në hapjen e takimit, një fjalë rasti mbajti sekretari gjeneral i RABITA-s, dr. Abdulkerim al-Isa, i cili fillimisht u dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve, duke theksuar rolin dhe rëndësinë e secilit pjesëmarrës në këtë takim. Ai përmendi gjithashtu nevojën dhe rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit me përgjegjësi të lartë në përhapjen e tolerancës dhe bashkëjetesës, si dhe për luftimin e urrejtjes fetare në çdo cep të botës.

Në hapje të Forumit, foli edhe kryepeshkopi i Kostandinopojës, patriarku Ekumenik Bartolomeo, i cili falënderoi RABITA-n për iniciativat e tilla, duke ftuar kështu të gjithë pjesëmarrësit që të kontribuojnë dhe të punojnë me ngulm për dialog dhe bashkëjetesë, pa marrë parasysh sfidat e kohës moderne.

Kryetari i Këshillit të Fetvasë së EBA-së, Abdullah bin Beja dhe Myftiu i Egjiptit, dr. Shevki Alam, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në mirësi dhe ndalim të së keqes. Thellimi i bashkëpunimit mbi vlerat e përbashkëta, rëndësia e respektimit të besimeve dhe bindjeve fetare, ishin ndër pikat e rëndësishme që përmendën kryetari i Këshillit të Fetvasë dhe Myftiu i Egjiptit.

Një fjalë rasti në këtë Forum, mbajti edhe përfaqësuesi i Vatikani, Monsinjor Haled Ukashe.

Në këtë Forum, të pranishmëve iu drejtua edhe Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili në fjalën e tij paraqiti përvojën dhe traditën e popullit shqiptar në bashkëjetesë dhe tolerancë ndërmjet besimeve të ndryshme. Theks të veçantë në fjalën e tij, Myftiu Tërnava, i kushtoi edhe përkushtimit të Bashkësisë Islame të Kosovës në edukimin, vetëdijesimin dhe promovimin e paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërmjet besimtarëve në Kosovë.

Vlen të theksohet se në këtë Forum, Myftiu Tërnava, është i vetmi përfaqësues i bashkësive islame të Evropës Lindore.

Myftiu Tërnava në këtë Forum po shoqërohet nga shefi i kabinetit të tij, Besim ef. Mehmeti.

Image

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Nga një maji, 1225 shërbime jepen online në portalin e-Albania

Story i radhës

Kuvend, miratohet rendi i ditës për seancën e 71-të

Të fundit nga