“Muslimani” i Enver Petrovcit fitoi çmimin kryesor në festivalin “Teatri shqiptar në RMV”

Mbrëmë në Qendrën për kulturë në Dibër përfundoi edicioni i 21- i festivalit “Teatri Shqiptarë në Maqedoninë e Veriut”, në të cilin morën pjesë shtatë trupa teatrore nga Shkupi, Tirana, Prishtina, Kumanova, Gostivari dhe Tetova. Në natën e fundit të festivalit para ndarjes të çmimeve u shfaq drama “Borgjezi fisnik” nga teatri i Tetovës në regji të Kushtrim Bekteshit.

Juria e festivalit e kryesuar nga kryetari Bujar Kapexhiu ndau çmimet të festivalit. Shfaqja më e mirë e festivalit u shpall ajo e teatrit kombëtar të Prishtinës “Muslimani” e autorit dhe regjisorit Enver Petrovci. Aktori i njohur shqiptar nga Kosova Enver Petrovci poashtu u shpall edhe aktori më i mirë i festivalit të sivjetmë që u mbajt në Dibër. Regjisor më i mirë u shpall Kushtrim Bekteshi nga Tetova. Aktore protagoniste më e mirë në këtë edicion u shpall Vlora Nikçi nga Prishtina për rrolin e saj në shfaqjen “Muslimani”. Aktor dhe aktore jo protagoniste u shpallën Shkëlqim Islami dhe Sabina Memishi.

Çmimet i ndanë zëvendësministri për kulturë në qeverinë e RMV-së Daim Luçi dhe kryetari i komunës Hekuran Duka. Luçi theksoi se festivali i Dibrës ka një domethënie të madhe dhe i dëshiroi jetë të gjatë. Ai potencoi se do të ndërmerr aktivitete për institucionalizimin e këtij festivali. Kryetari i Dibrës Hekuran Duka duke mbyllur këtë edicion theksoi se festivali tregon se dibranët e duan artin e Talies por shtoi se festivalit i mungon prezenca e një trupe teatrore pikërisht nga Dibra. Kryetari i jurisë Bujar Kapexhiu në mbyllje të këtij eventi kulturor tha se festivalit i mungojnë më shumë drama të autorëve shqiptar. Ai shtoi se Dibra meriton që ky festival të vazhdojë aktivitetet e tij, por prezenca e autorëve shqiptar në dramat duhet të ketë përparësi.

Aktori dhe regjisori i njohur Enver Petrovci i cili për dramën “Muslimani” mori duartrokitje frenetike nga publiku dibran pas marrjes së dy çmimeve, për gazetën KOHA tha se është shumë i kënaqur për respektin që i dha publiku dibran. Ai theksoi se në këtë festival duhet të ketë më shumë autorë shqiptar si autorë të dramave . “Unë përsëri do të vij në Dibër edhe në edicionin e vitit të ardhshëm, meqë ky festival duhet të jetojë gjatë”, tha Petrovci dhe shtoi se është jashtëzakonisht i respektuar nga dibranët të cilët shumë mirë njohin kulturën dhe teatrin. Shfaqja teatrore “Muslimani” që prek një temë mjaft intriguese, martesat e përziera ndërfetare e kombëtare, padyshim ishte edhe shfaqja më e mirë e festivalit, potencojnë anëtarët e jurisë por edhe publiku dibran.

Drejtori i festivalit Ylber Nuredini në fund të festivalit kërkoi edhe një herë institucionalizimin e festivalit nga Ministria e Kulturës dhe shtoi se festivalin e përkrahën ministria për kulturë e RMV-së, Komuna Dibër, Qendra për kulturë si dhe disa kompani.koha.mk

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

32 vite nga Dita e Pavarësisë së Kosovës!

Story i radhës

​“Muaji i prindërimit” synoi ngritjen e vetëdijes së prindërve për rolin e tyre në 6 vitet e para të fëmijëve

Të fundit nga