Muslimanët francezë akuzojnë Macron-in për përçarje të shoqërisë

Muslimanët në Francë thonë se presidenti Emmanuel Macron ka ndarë vendin me komentet e diskutueshme mbi Islamin që ai në mënyrë të përsitur i ka bërë gjatë javëve të fundit.

Në tensionet midis qeverisë dhe muslimanëve francezë, të hënën Macron postoi një foto në Twitter, duke shkruar “Ne jemi një”. Këtë postim, kreu i Komitetit të drejtësisë dhe lirive për të gjithë, Yasser Louati, e quajti një “shaka” duke e akuzuar presidentin për “përjashtimin e qytetarëve muslimanë”.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Louati tha se Macron ka mungesë të mirëkuptimit në politikën e jashtme.

“Si arritëm nga njohja e Francës në botën muslimane ose në atë arabe për refuzimin e saj për t’u bashkuar me Amerikën në shkatërrimin e Irakut në vitin 2003 në atë Francë që sot bojkotohet nën Emmanuel Macron-in. Arroganca e tij jo vetëm që ka përçarë popullsinë franceze, por edhe e ka sjellë atë në një krizë”, u shpreh aktivisti i të drejtave të njeriut.

Nga ana tjetër, Farid Hafez, shkencëtar politik dhe ligjërues në Universitetin e Salzburgut në Austri, veprimin e presidentit francez e përshkroi si “manifestim të diskriminimit bazuar në ligj”.

“Macron po ndjek strategjinë e tij për krijimin e një identiteti musliman francez që së pari është i padukshëm dhe së dyti politikisht e padëmshme, duke mos vënë në pikëpyetje ‘status quo’-në e politikave diskriminuese të Francës ndaj popullsisë së saj muslimane”, tha Hafez.

Më 2 tetor, Macron njoftoi një plan të diskutueshëm për të trajtuar atë që ai e quan “separatizëm islamik” në Francë, duke pretenduar se besimi i Islamit është në “krizë” në të gjithë botën dhe duke premtuar se do “të çlirojë Islamin në Francë nga ndikimet e huaja”.

Javën e kaluar, ai mbrojti karikaturat blasfemuese të Profetit Muhammad, duke theksuar se Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat”, pas vrasjes brutale të mësuesit të shkollës së mesme Samuel Paty, i cili shfaqi karikatura provokuese në orën mësimore të tij dedikuar lirisë së shprehjes.

Në Francë, vend me minoritetin më të madh musliman në Evropën Perëndimore me rreth 5 milionë, këtë vit deri më tani janë mbyllur të paktën 73 xhami, shkolla private dhe vende pune. 

Macron garon në të njëjtën korsi si e djathta ekstreme

Votuesit francezë do të drejtohen në qendrat e votimit për zgjedhjet presidenciale në më pak se dy vjet, përkatësisht në muajin prill të vitit 2022.

Shumë besojnë se strategjia e Macron-it për të fituar zgjedhjet e ardhshme është duke bashkëpunuar me argumentet e të djathtës ekstreme.

Sipas Enes Bayrakli, një studiues në Fondacionin për Hulumtime Politike dhe Sociale (SETA) me bazë në Ankara, Macron po përpiqet të kapërcejë problemet e tij të politikës së brendshme dhe të jashtme duke “fajësuar Islamin dhe muslimanët”.

“Macron po përpiqet të ndalojë ngritjen e ekstremit të djathtë duke adoptuar deklaratat e tyre ekstreme”, tha Bayrakli.

Ndërkaq, aktivisti i të drejtave të njeriut, Louati, duke i bërë jehonë kësaj ideje, tha se Macron nuk ka asgjë tjetër për të treguar për kandidaturën e tij pasi ai dështoi në aspektin social dhe ekonomik, duke përmendur këtu lëvizjet e “Jelekëve të Verdhë” dhe demonstratat e tjera protestuese. 

“Ai nuk ka asgjë për të na treguar përveç politikës së identitetit. Pra, në thelb ajo që ai është duke thënë, unë nuk mund t’iu jap një të ardhme të ndritur. Unë mund t’iu premtoj vetëm luftë kundër muslimanëve”, tha Louati. 

“Shenjat e valës së terrorit islamofobik”

Bayrakli, po ashtu një bashkë-redaktor i raportit Islamofobia Evropiane tha se ai mendon se situata për muslimanët në Evropë po përkeqësohet.

“Shoh shenjat e një vale terrori islamofobik në Evropë”, tha ai për AA, duke përmendur rritjen e rrjeteve të ekstremit të djathtë në të gjithë kontinentin.

Vitet e fundit kanë parë një rritje të sulmeve terroriste të ekstremit të djathtë në vendet perëndimore. Sipas Indeksit Global të Terrorizmit 2019, sulmet e ekstremit të djathtë u rritën me 320 për qind gjatë pesë viteve të fundit në Amerikën Perëndimore dhe Oqeaninë.

Më 22 korrik të vitit 2011, terroristi norvegjez i ekstremit të djathtë, Anders Breivik, vrau 77 persona në një kamp rinor në ishullin Utoya.

Më 15 mars të vitit 2019, Brenton Tarrant, një supremacist australian i bardhë, vrau 51 muslimanë para namazit të xhumasë në një xhami në Christchurch të Zelandës së Re.

Më 19 shkurt të vitit 2020, një ekstremist gjerman i ekstremit të djathtë sulmoi dy kafene turke në qytetin perëndimor gjerman Hanau, duke vrarë 9 persona me prejardhje migrantësh.

Armiqësia në Francë ndaj muslimanëve u rrit më tej javët e fundit. Për shembull, javën e kaluar, dy gra muslimane me shami u sulmuan me thikë në një park nën Kullën Eiffel, me sulmuesit që ofendonin me fjalë të tilla “si arabë të ndyrë”.

Bayrakli thotë se kjo është pikërisht ajo që grupet terroriste si DEASH presin nga Evropa. 

“Ata duan që Evropa të hyjë në një valë dhune. Politikanët evropianë po ashtu vijnë në këtë lojë për shkak të llogaritjeve të lehta politike”, tha ai. 

Heshtja e vendeve anëtare të BE-së

Ndalimet për shaminë, rrobat e banjës “burkini”, therrja hallall (sipas rregullave dietike muslimane) si dhe kufizimet në xhami në disa vende evropiane po ashtu kanë shkaktuar zemërim.

Por, plani i Macron-it për të kontrolluar “ndikimet e huaja” në fe nuk është diçka e re për Evropën. Shkencëtari politik, Hafez tha se në Austri financimi i hoxhallarëve nga vendet e huaja tashmë është i ndaluar me Aktin Islam të vitit 2015.

“Ajo që ne shohim është një ndërhyrje në fe nga shtetet. Kjo në të vërtetë është kundër sekularizmit. Një shtet nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të fesë dhe debateve teologjike”, tha ai.

Ndërsa, Louati, i pyetur për heshtjen e liderëve evropianë në mes të tensioneve në rritje në Francë tha se ai e interpretoi atë si “mosmiratim të politikave të Macron-it”.

Nga ana tjetër, Bayrakli tha se BE-ja e sheh presidentin francez si mbështetje.

“BE madje shmang përdorimin e fjalës ‘islamofobia’. BE caktoi një koordinator për luftimin e urrejtjes anti-muslimane, duke shmangur përdorimin e termit islamofobia. Sipas mendimit tim, islamofobia është bërë ideologjia dominuese e shekullit 21, ashtu si kundërshtimi ndaj komunizmit gjatë Luftës së Ftohtë. Kjo është arsyeja pse ekziston një injorancë dhe heshtje politike”, tha Bayrakli.



. .

Ngjarja paraprake

Balla tregon se pse nuk mund ta presin Venecian

Ngjarja e ardhëshme

Çfarë parashikojnë ndryshimet e Ligjit për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Infektive?

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian