2
Shkup, 29 nëntor – Ministria bullgare e Transportit dhe Lidhjeve të Bullgarisë ka publikuar një deklaratë në faqen e saj të internetit në lidhje me deklaratat e fundit politike në Maqedoni në lidhje me ndërtimin e Korridorit 8.
“Lidhur me deklaratën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të transportit të Republikës së Maqedonisë Nikolloski për Korridorin 8, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Republikës së Bullgarisë me keqardhje, por pa habi, konstaton një tjetër intrigë politike dhe keqpërdorim të qasjes konstruktive të Bullgarisë. Fakti që ai deklaroi para Kuvendit të RMV-së se Bullgaria e refuzoi propozimin për një takim në Shkup është gënjeshtër dhe manipulim. Ftesa për këtë takim është pranuar pas deklaratës në fjalë të Nikollovskit.
Bullgaria nuk ka refuzuar, por do të përgjigjet pasi që së bashku me KE-në dhe institucionet financiare evropiane të marrë komentet e Shkupit për dokumentin nga takimi teknik në Sofje, i mbajtur më 31 tetor 2024”, thuhet në njoftimin e Ministrisë bullgare.
Nga atje garantojnë se Bullgaria së bashku me partnerët e saj do të mbeten të fokusuar në realizimin e këtij korridori strategjik.
Nikolloski dje ka përdorur “terma futbollistik” duke u përgjigjur në pyetjen e deputetëve në lidhje me çështjen e hekurudhës me Bullgarinë.
“Për sa i përket argumenteve, në aspektin futbollistik fituam Bullgarinë 3-0. Tri argumentet tona janë pranuar dhe pres që të marrin guxim dhe takimin e tretë ta mbajnë në Shkup. Është dashur të mbahet këtë javë në Shkup, por po vonohet. Të marrim guximin ta mbyllim këtë temë. Argumentet tona janë të qarta. Për të rishikuar çmimin, duhet të ketë një projekt të përbashkët për tunelin e mundshëm që duhet të lidhë dy vendet dhe së treti, të përfundojnë pjesën e tyre për t’u lidhur me kufirin”, tha dje Nikolloski.
BURIMI: zhurnal.mk