Mos u çuditë burri i Zvicrës, dje ishe hero, sot askushi, nesër bëhesh zemra e Kosovës!

Sporti është filozofi e rëndë për dikë! Dikush mendon se veç duhet me fitu, me fitu dhe pikë, e drejtë e tij! Por ai që është sportist, e din se humbjet janë të pashmangshme. Bile edhe më i dobëti të mund ndonjëherë, sa të dhemb edhe kurrizi!

Hiq më larg se në vitin 2014, Brazili pesë herë kampion i botës, pësoi tërmet në Rio, 7:1 nga Gjermania në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror. Punë e madhe, sport është ky. Edhe Prishtina e ka mposhtur Kitkën e Hogoshtit me rezultat 10:0 në pranverën e vitit 1997! Nuk ishte fundi i botës! Bernand Challandes, selektor i Kombëtares së Kosovës, kur e pati një seri të shkëlqyer të rezultateve, çdo njeri pothuajse bënte be në kokën e tij, ka pasur edhe prej tyre që sot e asaj dite nuk pajtohen me zviceranin.

Bile disa thoshin me gjithë zemër: Ky është trajner! Deri dje heroi ynë! Mbrëmë pësoi humbje nga Maqedonia e Veriut me rezultat 2:1 dhe ëndrra nuk u realizua, disa kërkojnë dorëheqjen dhe e quajnë askushi! Kritikat janë normale dhe pa kritika të mirëfillta nuk ec përpara sporti! Në çdo humbje nuk shkarkohet trajneri sepse është anormale! E para, Kosova ka luajtur si mysafirë por edhe të luante në Prishtinë, humbja është pjesë e sportit! Jemi popull që e dojmë shumë sportin, sidomos futbollin dhe kërkojmë të jemi në maje të botës. Keni të drejtë, por pa eufori, jemi Kombëtare e re!

Të mendojmë me kokë të ftohtë, të mos gjuajmë vend e pa vend. Bernard Challandes, gaboi kur nuk e ftoi Bernard Berishën dhe të gjithë i dimë arsyet pse. Qoftë e kaluar! Nuk ka arsye të ngutemi, sepse një gjë na ndodhi edhe në vitin 2012 me xhudisten Majlinda Kelmendi. Ajo pësoi humbje nga një garuese anonime nga Mongolia, kur përfaqësonte Shqipërinë në Lojërat Olimpike, këndej hidhej vallja e pandershme: Majlinda nuk është xhudiste, ajo ka fituar në turne të mëhallëve. Majlinda u bë kampione e botës në vitin 2014 dhe pas 4 viteve (2016) kampione olimpike, harruan se çfarë deklaruan dhe dolën: Majlinda – krenari e kombit tonë!

Të jemi të qetë dhe sportistët e vërtetë e dinë se humbjet janë pjesë normale. Edhe Maqedonia mund të humb në Tbilisi nga Gjeorgjia, faktori terren është edhe si përparësi. Nuk është fundi i botës.  Mos u çuditë burri i Zvicrës, dje ishe hero, sot askushi, nesër mund të bëhesh zemra e Kosovës! Nuk është e çuditshme. Edhe një gjë për fund, Kosova po luan tani në një nivel më të lartë, jo me Maltën, ishujt Faroe, Azerbajxhanin etj.

Ngjarja paraprake

Aktakuzë ndaj filantropit turk, thuhet se u përfshi në puçin e vitit 2016

Ngjarja e ardhëshme

Merkel: Mund të humbasim kontrollin mbi virusin pa masa më të ashpra

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian