Mos i futni duart në xhepat e qytetarëve të varfër të këtij vendi sepse do t’iu mallkojë moti dhe Zoti

Në një kohë kur qytetarët e Kosovës po ballafaqohen gati me një kataklizmë varfërie për shkak të ngritjes së çmimit të artikujve të konsumit të përditshëm, në mungesë të pamundësisë për t’i blerë rrezikohej ekzistenca e tyre, madje ngritja e çmimit të energjisë elektrike dhe dominimi i shumë rrethanave tjera në realitetin tonë ekonomik dhe politik, të cilat e rëndojnë jetën e qytetarëve tanë, në parlament në mënyrë të befasishme shpërfaqën përplasje në mes të deputetëve se cili nga ata ka vjedhur më shumë e cili më pak paranë e qytetarëve të Kosovës.

Në vend që në Parlamentin e Republikës së Kosovës, deputetët të diskutonin dhe të gjenin zgjidhje për hallet e qytetarëve, të cilat janë të shumta në një kohë krize, për çudi papritmas shpërthen një skandal në mesin e tyre të cilin nuk do të mund ta imagjinonte askush me mendje të shëndoshë se do të mund të ndodhte në një vend demokratik, keqpërdorimi i parasë se qytetarëve nga deputetët, nga vetë ata të cilët qytetarët me votën e tyre ua kishin besuar fatet e tyre dhe fatet e vendit.

Manipulimi me adresat e vendbanimeve të deputetëve me qëllim që t’iu kompensoheshin paratë në emër të shpenzimeve të udhëtimeve tregon se sa i pa “fat” është sovrani, i cili ua ka besuar fatin e tij dhe të vendit atyre, që vjedhin djersën e qytetarëve për interesa të tyre meskine, duke mos i ndihmuar qytetarët për ta përballuar jetën në këtë kohë të një krize kaq alarmante, ekonomike dhe sociale.

Bazuar në një situatë të papritur nga deputetët e parlamentit përkitazi me ca shpenzime irracionale të parasë së qytetarëve, rezulton pyetja logjike:

Çka mund të pritet nga institucionet tjera për të mirën e qytetarëve, përderisa anomali kaq të tmerrshme ndodhin në Parlament, në tempullin e demokracisë dhe në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit tonë…

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

OBSH: Nevojiten 16 miliardë dollarë për trajtimin e pandemisë nga vendet me të ardhura të ulëta

Story i radhës

Edwini, reperi që do rritë nivelin e hip hopit shqiptar

Të fundit nga