MKRS paralajmëron klubet serbe

Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit e Kosovës, ka dalë me një komunikatë shumë të rëndësishme.

“Komunikatë për media nga Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive

Sot, me datë 26.10.2021, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, ku të pranishëm përveç anëtarëve të këtij Këshilli ishin edhe përfaqësuesit e disa Federatave sportive të Kosovës.

Në agjendën e mbledhjes së sotme, me prioritet është trajtuar tema e aktiviteteve sportive ilegale të organizuara nga strukturat paralele serbe në Kosovë.

Bazuar në Ligjin e për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, aktivitetet zyrtare sportive në territorin e Kosovës mund të organizohen nga federatat sportive, shoqatat e sportistëve, dhe klubet sportive të formuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Poashtu, Ligji specifikon se të drejtën e organizimit të ngjarjeve sportive e kanë edhe personat tjerë fizikë dhe juridik që paraprakisht kanë bërë marrëveshje me federatat apo klubet sportive të licencuara në Kosovë.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e federatave sportive shpjeguan se ndër vite u kanë bërë thirrje klubeve sportive të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre në kuadër të federatave sportive në Serbi që të integrohen në strukturat tona organizative dhe bëhen pjesë e aktivitetit legjitim sportiv në Kosovë.

Përkundër iniciativave të tilla, në Federatat e Sportit të Kosovës ende nuk ka asnjë klub anëtar nga komuniteti serb.

Së bashku me të gjithë të pranishmit u dakorduam se integrimi i klubeve sportive në Federatat e Sportit të Kosovës, duhet trajtuar me prioritet të lartë nga niveli institucional dhe sportiv i Republikës së Kosovës.

Pas diskutimeve, Këshilli nxori përfundimet si në vijim:

1. Këshilli i rekomandon ministrit që procesi për integrimin e klubeve sportive që nuk janë pjesë e Federatave Sportive të Kosovës, të bëhet në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Sportit në të gjitha komunat e Kosovës,

2. Këshilli i rekomandon ministrit që përpjekjet për integrimin e klubeve sportive në aktivitetet zyrtare të sportit kosovar, të vazhdohen të bëhen edhe nga Federata Sportive të Kosovës që janë të licencuara në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Këshilli paralajmëron të gjitha klubet që nuk janë pjesë e Federatave Nacionale të Kosovës se për organizimin e aktiviteteve ilegale sportive do të jenë të detyruar që të zbatojnë ligjet e Kosovës, ku parashihen edhe sanksionet ndaj personave, apo subjekteve që nuk i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës”, shkruan në komunikatën e MKRS-së.

WWW.GAZETA.MK

Ngjarja paraprake

Thaçi: Bilalli duhet të perjashtohet nga qeveria, na ka tradhtuar

Ngjarja e ardhëshme

Zgjidhni një imazh për të zbuluar nëse ëndrrat tuaja do të realizohen

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian