“Mjellma e Sarajevës” këtë herë do t’i hapë flatrat mbi “San Siro”

min lexim

Ndërsa në prag është një nga derbet më të bukura në botë, tensioni është i madh për cilindo prej protagonistëve, me përjashtim të njërit prej tyre: Edin Xhekos.

Nga dikush që kur ishte fëmijë në pragun e shtëpisë së tij ka parë vetëm bomba e luftë, pritet në fakt që derbi të jetë vetëm një sfidë që mund t’i dhurojë emocione, por që tensionin dhe presionin nuk e ka pjesë të ndjesive të tij.

Jo vetëm për këtë, por edhe për gjithë eksperiencën që ka grumbulluar gjatë karrierës së tij të gjatë ku mes Mançesterit, Romës e Milanos ka qenë prezent në plot 22 derbe.

“Mjellma e Sarajevës” këtë herë do t’i hapë flatrat mbi “San Siro”, aty ku do të tentojë të gjejë golin e tij të 6-të personal kundër kuqezinjve, në sfidën e tij të 13-të përballë tyre.

Ndërkohë që shokët e tij të repartit ishin të grumbulluar me kombëtaret respektive dhe Korrea ishte i dëmtuar, i vetmi titullar i padiskutueshëm në mendjen e Inzagit ka qenë 35-vjeçari.

Boshnjaku e ka shfrytëzuar pauzën për të kalibruar fizikun e tij. Gjatë javës së parë ka zhvilluar stërvitje të personalizuar, që si qëllim ka pasur rikthimin në gjendjen më të mirë atletike, atë gjendje që i magjepsi të gjithë në fillim të sezonit kur nuk ndiheshin vitet e tij, por që në janar, ndoshta edhe për shkak të kalendarit të ngjeshur, kishte pësuar një rënie.

Pas përgatitjes atletike, radha i ngeli palestrës dhe seancave fizioterapeutike të përditshme, që siç ka zbuluar në intervistat e tij, janë çelësi i një futbollisti që ndërsa u afrohet 36 viteve, dëshiron të mos e ulë aspak nivelin e tij.

Për këtë Xheko është një mjeshtër dhe këtë e tregojnë të gjithë ata që janë pranë tij: nga të gjithë futbollistët që kanë kaluar në Apiano Xhentile në vitet e fundit, askush nuk e ka pasur këtë “fiksim”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

U dënua me 3 vite burg, alarmon ish-deputeti: Jeta e Saimir Tahirit në rrezik!

Story i radhës

Kovaçevski: Kërkohet një zgjidhje e shpejtë dhe cilësore me Bullgarinë

Të fundit nga