Mjekët në Shqipëri rekomandojnë që vaksinimi duhet të vijojë

Dy javë pas heqjes zyrtare të të gjitha masave anti-Covid, situata nga përhapja e koronavirusit duket e qetë. Infektimet kanë rënë ndjeshëm dhe rastet tashmë me dy shifra nuk e kalojnë numrin e 50 të prekurve në ditë.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në të gjithë vendin rezultojnë vetëm 250 të sëmurë aktivë të shpërndarë në 11 qarqe. Edhe në këtë periudhë, Tirana vijon të ketë numrin më të lartë të rasteve aktive 136. Ndërsa në qarqet e tjera pozitiviteti ndaj Covid-19 ka rënë ndjeshëm.

Prej kohësh, Dibra është qarku i vetëm në vend pa raste. Pozitive për mjeket është edhe situata në spital. Humbjet e jetës nga Omicron dhe nën variantet e tij janë të pakta. Tre javët e fundit është shënuar vetëm një viktimë, ndërsa aktualisht në pavionet Covid janë të shtruar 6 pacientë.

Por shqetësimi i mjekëve është ulja e interesit për vaksinën. Pak ditë më parë, shefja e spitalit Covid Najada Como, bëri thirrje për vaksinimin me dozën e katërt të personave mbi 60 vjeç. Sipas saj, pandemia nuk ka mbaruar dhe ekziston rreziku i shfaqjes së mutacioneve të tjera.

Pika më e madhe e vaksinimit pranë stadiumit “Air Arena” tashmë është mbyllur dhe ky proces do të vijojë të kryhet vetëm pranë qendrave shëndetësore.

Ndërkohë, nga 1 maji Shqipëria është pa masa anti-Covid, kushdo që hyn në vendin tonë, nuk do t’i kërkohet certifikata e vaksinimit dhe as testi për Covid./A2 CNN

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Ngjarjet e datës 16 maj

Story i radhës

Gjermania po kërkon punëtorë: Deri në 558.000 vende pune janë aktualisht të lira

Të fundit nga