Misioni i paqes

Ditë e veçantë në ambjente dhe me njerëz të veçantë, do ta përshkruaja me një fjali të vetme këtë eksperiencë që perjetova diten e dielë me datë 27.09.2020 në ambientet e selisë së Misionit Diplomatik për Paqe e Prosperitet të akredituar në Tiranë.

Ishte hera e parë që merrja pjesë dhe kurioziteti ishte shumë i madh ta shoh nga afër se si funksionon ky mision, organizimin e tij institucional, si dhe programin e këtij misioni për paqe e prosperitet në përçimin dhe realizimin e tij në mbarë globin.

Megjithëse në kushte të kufizuara, të cilat tashmë dihet se në mbarë globin janë frenuar dhe paralizuar aktivitetet kulturore, sportive e sociale, për shkak të ruajtjes dhe mbrojtjes nga pandemia që po sundon boten prej muajsh, nuk e frenuan as nuk e ndalen këtë institucion të vazhdojë aktivitetin e tij në kryerjen e detyrimeve që ka karshi misionit të shenjtë të shpërndarjes së paqes në mes të njerëzve dhe evidentimit të personaliteteve, të cilët nuk reshtin së kontribuari për paqe dhe prosperitet për njerëzit dhe komunitetet ku jetojnë e veprojnë.

Një organizim i thjeshtë, por me peshë të madhe do ta quaja, për faktin se të gjithë të pranishmit ishin personalitete të rëndësishëm në fusha të ndryshme të jetës dhe të ardhur nga treva të ndryshme etnike, aq sa ndiheshe si në një seli të vërtetë ku mblidhen ndërkombëtarët, por me gjak shqiptar e ku nocioni i paqes mori kuptim shpirtëror e vllazëror.

Ndër të pranishmit që e benë tepër dinjitoze këtë veprimtari mund të veçoj Guvernatorin e këtij trupi diplomatik Dr.Shefki Hysa, por dhe veprimtarë të shquar të këtij misioni, Dr.Agim Shahini, Dr. Kristo Koçi, Gjeneral Dedë Prenga, si dhe shumë personalitete të tjerë, një pjesë e të cilëve ishin edhe anëtarë të këtij misioni diplomatik.

E veçanta e gjithë këtij organizimi ishte ambjenti, i cili ishte i tejmbushur me simbole kulturore që dëshmojnë paqe, prosperitet, dinjitet dhe vlera humane, duke filluar nga flamujt, fotot, librat, broshurat e deri tek buste apo shtatore të individëve të shquar që kanë dhënë kontribut të paçmuar për paqen dhe begatinë në botë, të cilat mesa duket do vendosen në qendrat urbane në po ato komunitete, siç ishte rasti i vendosjes së shtatoresh së Adem Jasharit në Rrëshen të Mirditës.

Ky takim nuk ishte i rastësishëm, por i mirë menduar dhe akoma më i mirë organizuar, pasi pikërisht në këtë ceremoni do vlerësoheshin dhe pranoheshin edhe katër anëtarë të rinj në këtë familje të madhe, e cila në bazë të flamujve të vendosur mbi tavolinë, mund të them se ishte e gjithë bota e përfaqsuar.

Ajo që e bëri akoma më surprizues këtë takim ishte fakti se dy nga të vlerësuarit ishin misionarë në misionin e tyre religjoz e njëkohsisht edhe misionarë të betuar në vazhdimin e ecjes në rrugen e pajtimit që shtroi i madhi Anton Çeta.

Këta misionarë të fjalës së Zotit dhe të dorës së pajtimit ishin Mullah Fetah Bekolli dhe Mullah Xhevat Kryeziu, të cilët në civinë e tyre kishin merita të padiskutueshme për t’i merituar vlerësimet edhe si Misionarë të Paqes, ku Mullah Xhevat Kryeziu u vlerësua me Medalien e Artë “Urdhëri i Misionarit të Paqes Nëna Terezë”.

Ishin pikërisht fjalët e rastit të mbajtura gjatë prezantimit ato që e benë tepër emocionuese këtë ceremoni, ku për ta u thanë shumë fjalë me peshë, të cilat të gjithë të pranishmit do t’i mbajnë mend gjatë.

Me po aq emocion u përcollen edhe dy vlerësimet e tjera, për të cilët pati edhe duartrokitje në prezantimin e civive të tyre nga të pranishmit, ku për z.Ideal Qollaku, biznesmenin nga Prizreni, i cili u vlerësua me titullin “Misionar dhe Ambasador i Paqes” për humanizmin e pashoq, aq sa pasuria e tij dukej si një burim shprese për nevojat e komunitetit dhe njerëzit në nevojë.

Me po kaq nderim u vlerësua edhe civia e znj.Rita Shkurtaj, malësorja fisnike, e cila si studiuese, gazetare dhe misionare në fushën e edukimit, po jep më të mirën nga vetja për kohën dhe njerëzit, sidomos në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe përçimin e paqes në kohë të vështira që sot kalon njerëzimi.

Drejtuesit dhe organizatorët u shprehën se jo më kot e lamë për në fund vlerësimin me titullin “Misionare dhe Ambasadore e Paqes” për këtë zonjë të nderuar, Rita Shkurtaj, që ishte e vetmja veprimtare e shquar nga Malësia e Madhe.

U ndjeva i privilegjuar si gazetar që më dhanë mundësi të zë vendin më të mirë për ta filmuar dhe fiksuar çdo moment gjatë kësaj ceremonie, çka më dha emocione të shumta, sepse gjithçka më dukej një botë ndryshe e gërshetuar me ngjyrat e flamujve dhe veshjet përkatëse që përdorte kjo trupë diplomatike.

Mbresa tejet të veçanta më lanë edhe fjalët përshëndetëse në të cilat kishte shumë shprehi filozofike e fjalë të urta popullore, që na bëjnë të marrim mend e t’i peshojmë fjalët dhe veprimet tona.

Për këtë emocion kaq të veçantë gjej rastin të falenderoj në mënyrë të veçantë z.Ndue Dodaj që më mundësoi këtë pjesëmarrje, të cilën mund ta quaj një nga ditët më të veçanta që kam përjetuar.

E veçanta e emocioneve të mia lidhej edhe me fushen time të krijimtarisë poetike, ku mu duk vetja si para një njeriu gjigant tek këndonte me vargje të improvizuara në çast rapsodi dhe kantautori i shquar mirditor dhe mbarëshqiptar z.Gjon Frroku “Mjeshtër i Madh”, i cili u dedikoi disa herë këngë anëtarëve të rinj që morën vlerësime, si dhe misionit diplomatik, aq sa tek sofra e shtruar, unë nuk ngurova ta them në mes të pranishmëve vlerësimin tim për këtë mjeshtër të madh.

Mes këtyre emocioneve më mbeti në mendje një shprehje e thënë nga i Madhi Anton Çeta. Kur i kishin thënë t’u këndoftë kënga ai ishte përgjigjur…”Të këndohet kënga për së gjalli nuk është mirë, se njeriu mund edhe të gabojë dhe ta gërvishtë këngën e tij”.

Duke i uruar suksese të mëtejshme Misionit Diplomatik për Paqe e Prosperitet e në veçanti guvernatorit të saj z.Shefki Hysa, njëkohësisht edhe miku im, përgëzoj të gjithë ata që morën vlerësime emër për emër, njëkohsisht iu shpreh mirënjohje dhe respekt të gjithë të pranishmëve, të cilët më mbushen me krenari kombëtare, me vlerat njerëzore, që ata kishin ndërtuar në kornizen e tyre të identitetit.

Ngjarja paraprake

Vjeshta e koronavirusit, në Gjermani angazhohet edhe ushtria

Ngjarja e ardhëshme

Paralajmërimi i shkenctarëve: Vaksina efikase nuk do të na rikthej në normalitet gjatë pranverës

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian