Miratimi i Kodit Zgjedhor, SHBA: Nuk shkelet “5 Qershori”, liderët të sigurojnë ndershmërinë e zgjedhjeve

Votimi në Kuvend i Kodit të ri Zgjedhor nuk e shkel marrëveshjen e 5 qershorit. Kështu shprehen Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes një reagimi zyrtar.

Ambasada në Tiranë thotë se këto ndryshime janë shtesë dhe jo shkelje e asaj që palët ranë dakord.

Nga ana tjetër, SHBA apelon për të gjithë liderët politikë që të punojnë për cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme.

Reagimi:

Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare.

Ky lloj angazhimi pozitiv prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore. Nga ajo kohë, kemi bërë të qartë që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik.

Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik.

Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së. Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë pritshmëri e kemi ashtu si populli shqiptar.

Ngjarja paraprake

Do të ripërtëritet aksidenti i helikopterit në Strumicë

Ngjarja e ardhëshme

Vazhdojnë largimet nga Juventusi

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian