Ministri Nuredini i aftë për takime i paaftë për realizime, mjedisi në duar të pa sigurta!

Shkup, 19 dhjetor – Se mjedisi në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje primare dhe nuk i kushtohet rëndësia e duhur është dëshmuar shumë herë, madje duke pasur edhe rezultate katastrofale për sa i përket nivelit të ndotjes së ajrit, duke u radhitur kryeqyteti i vendit, Shkupi, si qyteti me ajrin më të ndotur në botë. E kjo gjendje dhe kjo situatë jo e përshtatshme me mjedisin nuk është e rastësishme, por vjen si pasojë e udhëheqjes me këtë institucion njerëz jo relevant që nuk ia kanë “haberin” mjedisit, e për këtë gjë as që brengosen. Figura që nuk kanë treguar asnjë rezultat pozitiv në përmirësim të gjendjes së shkatërruar të mjedisit. I fundit që po udhëheq me mjedisin nga viti 2019 është “turisti” apo “aventurieri” nga Vjena dhe Britania, Naser Nuredini, i cili gjatë kësaj periudhe ka dëshmuar se është i aftë për takime me këdo e kudo, por jo edhe i aftë në realizim të projekteve që normalisht duhet buruar nga ato takime, shkruan Zhurnal.

 

Ministri Nuredini në takim me përfaqësues të lartë të UNECE, IUCN dhe UNEP, por cilat do të jenë rezultatet e këtyre sërë takimeve?

Në kuadër të CBD COP15, ministri Nuredini zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare UNECE, IUCN dhe UNEP, ku u diskutua për aktivitetet aktuale të përbashkëta dhe fushat e mundshme për vazhdimin dhe zgjerimin e mbështetjes që i japin vendit tonë në fushën e mjedisit jetësor.

Thuhet që në takim është diskutuar për ndotjen e ajrit dhe burimet kryesore të ndotjes. Ministri Nuredini ka thënë që aktivitetet e ndërmarra për ndryshimin e metodave të ngrohjes do të zvogëlojnë ndotjen e ajrit. E ky plan mbase është përmendur edhe shumë vite më parë, por vetëm si plan në letër dhe pa prodhuar ndonjë rezultat efektiv në praktikë. Sepse, qytetarët nga pamundësia ekonomike për tu ngrohur me rrymë dhe ngrohje qendrore shfrytëzojnë ngrohjen klasike që vazhdon të ndotet ajri edhe më shumë.

Situata alarmante viteve të fundit për ajrin e ndotur, deponitë ilegale kudo në vende publike, automjete që nuk duhet të qarkullojnë, autobusë të vjetruar, ngrohje familjare, mungesë e hapësirave të gjelbra, industria, e shumë faktorë të tjerë vazhdojnë të ngelin në krye të problemeve mjedisore që nuk po zgjidhen dot as pas takimeve të shumta të ministrit “aventurier” që nuk po prodhon ndonjë zgjidhje konkrete në drejtim të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe mjedisit në përgjithësi.

Pasojat nga ajri ndotur, ministri Nuredini takime të shumta por qytetarët vazhdojnë përballen me ajrin e ndotur çdo ditë –

Ndotja e ajrit është shkaku më i madh i vdekshmërisë së parakohshme dhe rritja e numrit të sëmundjeve tek njerëzit. Është rreziku më i madh ekologjik për shëndetin e qytetarëve në Evropë, ku sipas të dhënave të EEA dhe OBSH, është shkaku i rreth 400,000 jetëve të humbura në mënyrë të parakohshme. Sipas analizës së Bankës Botërore, ndotja e ajrit kushton shtetin rreth 2.5% të PBB vjetore për shërbime shtesë të kujdesit shëndetësor, ose 300 milionë euro në vit.

Për shkak të një numri faktorësh socio-ekonomikë, ndotja e ajrit po rritet nga viti në vit, situata po përkeqësohet dhe bëhet alarmante. Analiza të caktuara dhe modelimi i shkarkimeve të substancave ndotëse për ngrohjen e familjeve në luginën e Shkupit tregojnë se ndotja do të rritet me 30% deri në vitin 2025 përveç nëse nuk marrin masa të menjëhershme sistematike për të reduktuar emetimet. Këto shifra do të jenë edhe më të larta nëse emetimet do të shtohen nga sektorë të tjerë, siç është transporti, pjesa e ndotjes të të cilit po rritet më së shpejti çdo vit.

Mjedisi, shëndetësia e arsimi janë po të së njëjtës rëndësi-

Për çështjet shëndetësore e ato arsimore shpesh flitet e diskutohet për mangësitë dhe investimet që duhet bërë, por jo pak flitet edhe për mjedisin por që shihet që nuk është e mjaftueshme ajo që thuhet e bëhet për mjedisin. Mbase, për të funksionuar një shtet normal që është edhe shtet kandidat për anëtarësim në BE çështjet mjedisore nuk duhet të trajtohen asnjëherë si çështje dytësore.

Në Maqedoninë e Veriut Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor shpesh herë është udhëhequr nga njerëz jo adekuat e aspak kompetent, të cilët as idenë nuk e kishin se sa i rëndësishëm është ambienti e mjedisi për një shëndet fizik por edhe atë mental. Madje, në ndarjen e kulaçit qeveritar nga partitë partnere në koalicionet qeverisëse këtë Ministri e kishin si “gomë rezervë” sa për ta bërë ndonjë ministër, se për të çuar para çështjet e mjedisit reflekton se nuk është menduar e munduar ndonjëherë.

E këto mbase nuk janë komente e vlerësime koti, sepse po të njëjtën e thonë rezultatet e publikuara për nivelin e ndotjes së ajrit duke e radhitur Maqedoninë e Veriut shumë herë si shtetin me ajrin më të ndotur në Evropë. Në shumë qytete shpesh herë janë regjistruar vlera të larta të ndotjes së ajrit, përkatësisht prania e grimcave kancerogjene PM10 , duke arritur dhjetë herë nga niveli i lejuar.

Po të njëjtën e thotë edhe Komisioni Evropian, sipas të cilëve kapacitetet administrative në fushën e mjedisit, në të gjitha nivelet, mbeten të dobëta, me burime njerëzore dhe financiare të pamjaftueshme për zbatimin e legjislacionit, ndërsa puna e inspektimeve ka ndikim të vogël.

Maqedonia e Veriut duhet të forcojë dukshëm ambiciet e saj në lidhje me tranzicionin e gjelbër apo ekologjik, veçanërisht në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Gjatë vitit të ardhshëm, vendi duhet të përshpejtojë veçanërisht përpjekjet për uljen e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe për të reduktuar ndotjen difuzive të burimeve të ujit të ëmbël, citohet në raportin e këtij viti të Komisionit Evropian në lidhje me Kapitullin 27 – “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.

Ndryshe, fillimi i këtij viti e befasoi Shkupin duke u rikthyer ndotja e ajrit në shifra alarmante, me çka Shkupi ishte qyteti më i ndotur në botë, duke lënë pas kryeqytetet si Daka, Nju Delhi dhe Kalkuta, bazuar në faqet botërore të internetit për matjen e ndotjes së ajrit. Prania e grimcave PM10 dhe PM2.5 tani disa ditë është shumë herë mbi normat e lejuara, ndërsa në Shkup ka arritur në mbi 200 mikrogramë për metër kub.

Me ministra që nuk brengosen dot nga ndotja e ajrit, deponitë që të zënë sytë pothuajse në secilin qytet, hapësira të gjelbra që mund të shihen vetëm po u vendosen “syze të gjelbra”, mungesë e parqeve, e shumëçka tjetër mjedisi vazhdon të mbetet në greminë. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

Sunak: Duhet të dobësohet aftësia e Rusisë për t’u rigrupuar

Story i radhës

(VIDEO) IRI: Vetëm 4% e qytetarëve i besojnë gjyqësorit

Të fundit nga