Ministri i Brendshëm i Rumanisë vizitë në Kroaci

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kroacisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviç, ka zhvilluar një takim dypalësh me ministrin e Punëve të Brendshme të Rumanisë, Luciano Nicolae Bode, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare njëditore në Zagreb, raporton Anadolu.

Rumania, Bullgaria dhe Kroacia ishin së bashku në procesin e anëtarësimit në Zonën Schengen, rikujtoi Bozhinoviç, duke shtuar se pritej që të tre vendet të përfundonin procesin e anëtarësimit më 8 dhjetor të vitit të kaluar, dhe jo vetëm Kroacia.

“Kroacia mbështet plotësisht hyrjen e Rumanisë Në zonën Schengen, që është gjë e mirë jo vetëm për miqtë tanë nga Rumania, por edhe për Bashkimin Evropian dhe të gjithë Zonën Schengen. Kroacia do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të mbrojtur interesin rumun, që është edhe interesi ynë. Shtetet që janë në kufijtë e jashtëm kanë specifikën e tyre dhe kur flasim për migrimin, ato e mbajnë barrën më të madhe”, tha Bozhinoviç.

Ai shtoi se pas përfundimit të krizës së COVID-19, numri i tentativave për kalime të paligjshme në territorin e Bashkimit Evropian është shumëfish më i lartë dhe se shtetet në kufijtë e jashtëm janë më të ballafaquara me këtë çështje.

Ministri kroat mbështeti përshpejtimin e procesit të vendosjes së regjimit pa viza midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rumanisë dhe vuri në dukje rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes civile për të vepruar së bashku ndaj fatkeqësive natyrore dhe si në fushën e luftimit të krimit ndërkombëtar.

Takimi i tretë i ministrave këtë vit

Ministri i Brendshëm rumun vlerësoi se ky takim ishte një mundësi për forcimin e bashkëpunimit mes dy ministrive të Brendshme dhe për shkëmbimin e mendimeve për sfidat me të cilat përballen. Ai shtoi se ndan pikëpamjet e tij mbi axhendën rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare me homologun e tij kroat.

Bode paralajmëroi se i gjithë rajoni po përballet me krizën e shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës.

“Gjatë bisedës theksova pritshmërinë që Rumania të bëhet anëtare e Schengenit këtë vit. Çështjet e ndryshme të ndjeshme të brendshme që janë bazuar vende të ndryshme anëtare për të justifikuar refuzimin e kandidaturës së Rumanisë për anëtarësim në Schengen nuk mund dhe nuk do të konsiderohen si argumente serioze”, tha Bode.

Ai falënderoi Kroacinë si një nga mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Rumanisë në Schengen në nivel evropian.

Gjithashtu u bë e ditur se një numër i caktuar i pjesëtarëve të policisë rumune do të mbështesin kolegët e tyre kroatë në kryerjen e detyrave të tyre gjatë sezonit turistik veror, duke qenë se një numër në rritje i turistëve rumunë po vijnë në bregdetin kroat.

Ministrat u takuan sot në Zagreb, në selinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, për të tretën herë brenda një viti.





Story i mëparshëm

Presidentja greke: Qëndrimi ynë për Kosovën mbetet i pandryshuar

Story i radhës

Zgjatet afati për aplikim për subvencione në bujqësi

Të fundit nga