Ministri gjerman i Shëndetësisë: Askush nuk është imun ndaj COVID-19

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, shprehu shqetësimin për shkak të numrit gjithnjë më të madh të rasteve të reja me koronavirusin e ri(COVID-19) në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai po ashtu paralajmëroi se askush nuk është imun ndaj koronavirusit dhe se qytetarët duhet të respektojnë masat epidemiologjike.

“Shifrat më shqetësojnë shumë. Të rinjtë nuk duhet të thonë asgjë nuk do të na ndodhë. Nëse 80 milion përfshihen në luftë, gjasat e përhapjes së virusit bien ndjeshëm”, u tha Spahn gazetarëve në Berlin.

Ai megjithatë theksoi, se ata nuk po mendojnë për futjen e një bllokade tjetër gjithëpërfshirëse.

Drejtori i institutit gjerman Robert Koch, Lothar Wieler, theksoi rëndësinë e respektimit të masave të tilla si ruajtja e higjienës personale dhe distancës sociale.

“Nëse nuk arrijmë ta mbajmë virusin nën kontroll, mund të kemi më shumë se 10 mijë raste të infeksionit në ditë”, tha Wieler.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e ventilimit të brendshëm në luftën kundër koronavirusit.

Në Gjermani, ka pasur një rritje të konsiderueshme të numrit të infeksioneve me koronavirus ditët e fundit, ndërsa vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 4.058 infeksione të reja.

Instituti Robert Koch theksoi se me rastet e reja, Gjermania u kthye në shifrat e muajit prilli të këtij viti.

Në 24 orët e fundit, 16 njerëz kanë vdekur si rezultat i infeksionit me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve të lidhura me COVID-19 në 9.578.

Që nga fillimi i pandemisë, 310.144 raste me koronavirus janë raportuar në Gjermani, nga të cilat 269.600 janë rikuperuar.

Gjermania ka shpallur Rumaninë, Tunizinë, Gjeorgjinë dhe Jordaninë “zona të rrezikshme” për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve.



. .

Ngjarja paraprake

Bastoret ndërrojnë mendje, ndryshohen kuotat në ndeshjen Maqedoni – Kosovë

Ngjarja e ardhëshme

Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve iu dërgojnë deputetëve propozimet për Projekt Kodin Civil

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian