Milosheviçi brenda lëkurës së Vuçiq dhe aksionerët shqiptarë në politikat serbe!

Natasha Kondiç njihet për qëndrimin e saj objektiv e të pavarur rreth qëndrimeve të Serbisë për politikat e rajonit e sidomos ndaj Kosovës. Edhe ditët e fundit ajo bëri vërejtjen se “asnjë kandidat për president të Republikës së Serbisë në zgjedhjet e 3 prillit 2022 nuk ka në programin e tij lirimin e vendit nga sindromi i Kosovës”, pra njohjen e pavarësisë së saj. Kjo vërejtje shprehet si dëshmi e mentalitetit serb të kohës Milosheviçit.

Në fakt, se idetë e Milosheviçit janë ende gjallë në realitetin politik të Serbisë, këtë e dëshmojnë deklaratat e presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq. Ai për të disatën herë thotë se “Milosheviçi kishte qëllime të mira, por që përdori metoda jo të përshtatshme në realizimin e këtyre qëllimeve”! Sipas Vuçiq, Milosheviç kishte të drejtë në idenë dhe projektin e tij për krijimin e Serbisë së Madhe. Por “nuk paska përdorur metodat e përshtatshme për këtë”! Pra, kreu i shtetit të Serbisë mendon se “Milosheviç nuk duhej të përdorte forcën, dhunën e luftën kundër popujve të tjerë jo-serbë”. Atëherë çfarë duhej të përdorte, sipas Vuçiq?

Jam i sigurt se presidenti i Serbisë me përdorimin e metodave të gabuara të Milosheviçit promovon eksperiencën e tij të këtyre dhjetë viteve të fundit në pushtet. Sipas kësaj metode tradicionale të trashëguar nga Pashiç e para tij, Serbia mund të bëhej e mund të bëhet “E Madhe” përmes korruptimit të elitave politike të vendeve të rajonit. Ndaj dhe në periudhën e sundimit të Vuçiq Serbia ka korruptuar dhe blerë shumë politikanë, sidomos shqiptarë, duke filluar me Edi Ramën, Hashim Thaçin dhe Ali Ahmetin. Prandaj ai kritikon Hitlerin e Ballkanit, Milosheviç, për qasjen e gabuar në luftërat e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar në ish-Jugosllavi, duke filluar me aksionin blic në Slloveni e vazhduar më tej me masakrat në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e në Kosovë.

Blerja dhe korruptimi i liderëve politikë të Ballkanit dhe sidomos të shqiptarëve nga Beogradi është një sindromë e vjetër. Vetë Çubrilloviç në memorandumin e tij të vitit 1937 për shpërnguljen e shqiptarëve rekomandon që “të blihen politikanët e Tiranës, me qëllim që ata të heshtin për aksionin serb të eliminimit të elementit shqiptar në ish-Jugosllavi”!

Por ajo që bën përshtypje në këtë diskurs ka të bëjë me qëndrimin e elitës intelektuale serbe ndaj çështjes së Kosovës, si problemi themelor për të hedh hapa të tjerë për krijimin e Serbisë së Madhe. Sociologu, Bojan Panaotoviq, duke iu kundërvënë Natsha Kondiç, shkruan se “Duke mos parë verbërinë e saj politike që nuk e sheh se Kosova nuk ka karrige në OKB dhe nuk është anëtare e BE, partneritetit për paqe, as NATO e Interpol dhe organizata tjera ndërkombëtare sikurse që nuk e njohin as 5 vende të BE-së as anëtarët e përhershëm të KS, Kandiç sulmon dhe godet të gjithë kandidatët për president”!

Ky deklarim e një prej intelektualëve më në zë në Serbi dëshmon për faktin që Beogradi është thellësisht i angazhuar në zbatimin e politikave të Milosheviçit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Fatkeqësisht këtë skenë filmi nuk e shohin vetëm ata shqiptarë që tashmë janë rekrutuar nga regjimi i Serbisë, emrat e të cilëve i njohin dhe i dinë të gjithë shqiptarët. Kjo do të thotë gjithashtu se Aleksandër Vuçiq ka sukses në aventurën e tij të vazhdimit të politikave të Milosheviçit.

Sigurisht që në Evropë dhe në SHBA ka ekspertë të shumtë, të cilët i vërejnë qëndrime dhe pikëpamje të tilla. Prandaj dhe ekziston një lloj skepticizmi për shembull për Open Balkan-in dhe nisma të tjera serbe në rajon. Ky skepticizëm është shndërruar në mosbesim ndaj Beogradit në rastin e sulmeve ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës për shkak se Serbia është i vetmi vend në rajon dhe Evropë që refuzon të mbështesë sanksionet ekonomike e financiare të BE-së dhe SHBA-ve kundër Rusisë. Në këto kushte kandidatët për presidentë në zgjedhjet e 3 prillit janë prodhim i mentalitetit të elitave politike, akademike e kishtare, por edhe të shumicës dërmuese të qytetarëve serbë.

Kandidimi i tyre është pasqyrë e asaj çfarë duan këto elita dhe qytetarët e Serbisë. Natasha Kondiç është një zë i fuqishëm, por i rrallë në Serbi, që kundërshton politika të tilla të trashëguara nga periudhat e errëta të vendit në kohën e Pashiç, Rankoviç e Milosheviç, sidomos për Kosovën. E ndërkohë që në Serbi shfaqen zëra e figura të rralla kundër politikave të Milosheviçit të sotëm, në krye të shtetit serb janë e kandidojnë nxënësit e ish-diktatorit serb. Ndërkaq një pjesë e politikës dhe elitës akademike e intelektuale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut e gjetkë nuk duan të shohin se brenda ndërgjegjes dhe konceptit të Aleksandër Vuçiq gjendet Sllobodan Milosheviç.

Kjo është tragjedia më e madhe e kohëve të sotme e skenës teatrale politike e psikologjike të shqiptarëve. Ndërsa në vitet 1990 ishte krejt ndryshe. Nuk jam i sigurt nëse ai qëndrim ndryshe i asaj kohe u imponua nga vizioni, idetë dhe veprimtaria politike refuzuese ndaj politikave serbe të presidentit historik, Ibrahim Rugova, apo ishte produkt i sjelljes së pamëshirshme të Milosheviçit kundër shqiptarëve në Kosovë. Ndoshta në të ardhmen do të duhet të bëhen studime të thelluara empirike që kjo hipotezë të provohet ose jo. Megjithatë, duket qartë se ndërsa Serbia mbetet në kornizat e politikave të Milosheviçit, një pjesë e elitës politike e intelektuale shqiptare rend pas kalit të Aleksandër Vuçiq! Kjo është tragjike dhe komike njëkohësisht!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Mila Kunis dhe Ashton Kutcher mbledhin 30 milionë dollarë donacione për refugjatët ukrainas

Story i radhës

Pas Gjermanisë edhe Italia rekomandon distancimin nga antivirusi Kaspersky

Të fundit nga