Milevski: Zhvillimi i të gjitha tetë rajoneve planore, jo vetëm i Rajonit të Shkupit, prioritet në mandatin e ri

Shkup, 30 shtator 2020 (MIA) – Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski në konferencën e sotme për shtyp theksoi se prioritet në mandatin katërvjeçar për të do të jetë përmirësimi i sistemit të vetëqeverisjes lokale, zbatimi më konsekuent i politikave të zhvillimit të barabartë rajonal dhe menaxhim akoma më efikas me fondet IPA të BE-së për bashkëpunim tejkufitar.

“Këtë mandat e fillojmë me planifikim strategjik dhe programim në të tre sferat. Filluam me përgatitje të strategjisë së re për zhvillim rajonal edhe të ligjit të ri për zhvillim rajonal. Dokumenti strategjik do ta determinojë  zhvillimin e rajoneve planore dhe të shtetit për 10 vitet e ardhshme. Gjërat duhet të ndryshohen në mënyrë sistematike, sepse dokumenti paraprak strategjik 2009-2019 nuk i dha rezultatet e pritura, Sipas indeksit zhvillimor, Shkupi në raport me rajonet e tjera planore është në epërsi të dyfishtë. Ndërkaq nga ana tjetër,  të dhënat tregojnë se shpenzimet për kokë banori në rajonet e tjera planore janë më të ulëta vetëm një e treta në raport me rajonin e Shkupit, theksoi Milevski.

Ai theksoi se në katër rajonet planore, i Vardarit, Lindor, Jugperëndimor dhe Rajoni i Pellagonisë ka shkallë negative të rritjes së popullatës.

Ministri theksoi se përvoja dhe analizat treguan se vetëm me kahëzim të investimeve publike si mekanizëm i vetëm për ulje të dallimeve, nuk jep rezultate adekuate. Në këtë mandat, Milevski tha se dëshiron me një pako frontale të masave t’i ndryshojnë gjërat, të cilat do t’i ulin dallimet, por edhe do t’i rrisin  përparësitë konkurruese të secilit rajon planor. Kjo do të thotë, respektim konsekuent i shkallës së zhvillimit të rajoneve planore gjatë shpërndarjes së mjeteve për investimet kapitale nga të gjitha ministritë. Deri më tani këtë e zbatuan vetëm Ministria e Vetëqeverisjes Lokale”, theksoi Milevski.

Ai theksoi se për këtë mandat, mes prioriteteve të tij, do të jenë edhe procesi i decentralizimit, si dhe menaxhimi më transparent dhe më llogaridhënës me fondet IPA, por edhe ndryshim të zgjedhjes së këshilltarëve, të cilët, sipas ministrit, duhet të zgjidhen në lista të hapura. ab/

 

Ngjarja paraprake

Arek Milik është në shitje

Ngjarja e ardhëshme

Sllovakia shpall gjendje emergjente pasi shënoi rekord të rasteve ditore të koronavirusit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian