Mikrokredia në kohën e pandemisë: Ç’duhet të dimë mbi situatën aktuale dhe lehtësirat e institucioneve mikrofinanciare

Gjatë pandemisë së COVID-19, në Shqipëri nuk ishin të pakëta bizneset që u lanë jashtë paketave të ndihmës financiare të projektuara nga qeveria për të zbutur vështirësitë që solli izolimi. Por një nga sektorët më të rëndësishëm, mbështetja e së cilit do të kishte impakt të drejtpërdrejtë  tek individët apo bizneset në nevojë gjatë kësaj periudhe, është pikërisht sektori i mikrofinancës.

Sikurse konfirmon për “iconstyle” Brunilda Isaj, sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Mikrofinancës, ky sektor është përjashtuar nga paketat, ndonëse ndihma ndaj tij do të ishte pikërisht në mbështetje të masave.

“Mbështetja për sektorin tonë nënkupton mbështetje për shtresat më të brishta të shoqërisë, dhe përpos rritjes së ekonomisë i shërben edhe misionit social për të reduktuar varfërinë dhe për të rritur përfshirjen financiare. Në situatën e vështirë që po kalojmë, mbështetja financiare nga ana e qeverisë do ishte një ndihmesë e drejtpërdrejtë për të gjitha ato segmente të tregut të cilat aktualisht po kalojnë vështirësi të tejskajshme, për shkak të kufizimit apo humbjes së burimeve të të ardhurave nga humbja e vendit të punës apo pamundësia për të gjeneruar shitje të produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë si të vetëpunësuar në bizneset familjare.”-shprehet zonja Isaj, e cila shpjegon më tej se vështirësitë për këtë sektor kanë qenë të mëdha gjatë kësaj kohe.

Megjithatë, kjo nuk i ka penguar institucionet e mikrofinancës t’u krijojnë lehtësitë e nevojshme klientëve të tyre në këto momente të vështira.

“Në kuadrin e Moratoriumit të Kredive për shtyrjen e ripagimeve të kredive, Institucionet financiare anëtare të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare kanë shqyrtuar dhe procesuar më shumë se 30 mijë kërkesa për shtyrje të ripagimeve të kredive, me një total portofoli prej rreth 70 milionë euro ose rreth 30% e portofolit total. Sigurisht që shtyrjet e kredive kanë impaktin e tyre në likuiditet, por institucionet e mikrofinancës e kanë superuar goditjen fillestare dhe mbeten të angazhuar maksimalisht që të mbështesin ekonominë shqiptare, me lehtësi për klientët dhe financime të reja. Ndër lehtësirat e ofruara nuk përfshihen vetëm shtyrjet e kredive, të cilat iu akorduan mbi 20 mijë individëve dhe 10 mijë bizneseve që kanë humbur të ardhurat gjatë periudhës mars – maj, por edhe ofrimin e produkteve për financim që përjashtojnë pagesat e principalit për periudhën e parë tremujore, apo edhe kredi me pagesa sezonale, për t’i dhënë mundësi sidomos biznesit të rinisë aktivitetin e vet në kushtet post-mbylljes së ekonomisë.”-shprehet ajo.

Sipas zonjës Isaj, heqja e masave të izolimit dhe rikthimi gradual i jetën drejt normalitetit ka nisur të japë dhe shenjat e para të rigjallërimit të kreditimit.

Por a është e këshillueshme të aplikohet për një mikrokredi në momente të tilla të pasigurisë financiare? Për zonjën Isaj, kjo mund të jetë mënyra e vetme e familjeve apo bizneseve për t’ju rikthyer normalitetit.

“Në kushtet kur familjet apo bizneset shqiptare nuk kanë asnjë mundësi tjetër financiare ku të mbështeten për të plotësuar nevojat e tyre individuale apo të biznesit, mikrofinanca mbetet alternativa e vetme për të përballuar mungesat në likuiditet. Sigurisht që konsumi dhe investimet në këtë kohë janë të kufizuara, por ne po flasim për përballim shpenzimesh të pashmangshme për familjet apo një fond emergjence jetik për biznesin, i cili nevojitet për t’u kthyer në normalitet.”-shpjegon ajo, duke shtuar gjithashtu se këto institucione kanë përshtatur produktet e tyre me gjendjen e vështirë financiare, për të mos i rënduar kredimarrësit me detyrime afatshkurtra që nuk i lejojnë atyre frymëmarrje.

Por sipas saj, është thelbësore që çdo individ apo biznes të jetë i informuar në mënyrën më të mirë mbi detyrimet financiare e ligjore që lindin gjatë procesit të kredimarrjes.

“Në këtë kontekst, institucionet e mikrofinancës aplikojnë nivele të larta profesionale në dhënien cilësore të informacionit që përcillet tek klienti, për të qartësuar detyrimet dhe të drejtat e palëve në këtë proces. Edukimi financiar është shumë i rëndësishëm, kur vjen fjala tek përdorimi i produkteve të kredisë, dhe në këtë kuadër edhe Shoqata e Mikrofinancës është angazhuar në një seri aktivitetesh dhe përcjelleje informacioni, për të rritur nivelin e edukimit financiar dhe për të ndihmuar klientet të kuptojnë dhe zbatojnë detyrimet e tyre kontraktore në një marrëdhënie kredie.”-shprehet zonja Isaj.

Ngjarja paraprake

A është llogari e gabuar lufta e Putinit në Siri kundër Amerikës?

Ngjarja e ardhëshme

Pamje të rënda! Momenti kur avionët e Azerbajxhanit bombardojnë ushtarët armenë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian