MiG-ët polakë vënë në siklet SHBA

Pentagoni ka refuzuar propozimin e Polonisë për dorëzimin e avionëve luftarakë MiG-29 në Ukrainë – pas një ndalese në bazën amerikane Ramstein në Gjermani. Ishte ministri i Jashtëm Blinken ai që ia dha idenë Varshavës.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes e ka quajtur “të pambështetur” propozimin polak për dorëzimin e avionëve luftarakë MiG-29 Ukrainës. Nisma paraqet “sfida të vështira logjistike” dhe ekzistojnë gjithashtu “rezerva serioze” duke pasur parasysh dimensionin gjeopolitik, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. Victoria Nuland, një diplomate e rangut të lartë në Ministrinë e Jashtme të Uashingtonit, e kishte përshkruar më parë lëvizjen e Polonisë si “të papritur”. Për këtë nuk ishin marrë vesh.

Edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock shprehu rezerva serioze. Duhet të sigurohemi që lufta në Ukrainë të mos përhapet në territorin e NATO-s, tha politikania e të Gjelbërve në një intervistë për “Bild-TV”. As dërgesat e armëve nuk duhet të jenë pretekst për të thënë se “ne po marrim pjesë në luftë”. Presidenti rus Vladimir Putin e paralajmëroi Perëndimin për këtë.

Varshava tregon nga Blinkeni

Të martën në mbrëmje, Polonia u deklarua gati për të transferuar flotën e saj të avionëve luftarakë të tipit sovjetik në bazën ajrore amerikane në Ramstein në Gjermani. Më pas, Shtetet e Bashkuara mund t’ia vënë në dispozicion avionët MiG-29 Ukrainës si pjesë e luftës kundër njësive ruse, u bë e ditur. Ky vendim është marrë “pas një deklarate të Sekretarit Amerikan të Shtetit (Antony Blinken) për dorëzimin e avionëve në Ukrainë”, sqaroi Ministria e Punëve të Jashtme në Varshavë. Në të njëjtën kohë, qeveria polake kërkoi nga Shtetet e Bashkuara që t’i siguronin asaj si zëvendësim “avionë të përdorur me të njëjtat aftësi operacionale”.

Image

Sekretari amerikan i Shtetit Blinken gjatë vizitës së tij në Moldavi

Të dielën, Blinkeni tha gjatë një vizite në Moldavi se Shtetet e Bashkuara “po shqyrtonin në mënyrë aktive çështjen e avionëve që Polonia mund t’i furnizonte Ukrainës”. Në të njëjtën kohë, Uashingtoni po konsideronte se si të mbushte boshllëkun “nëse Polonia vendoste të ofronte këta avionë”.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki theksoi se çdo vendim për furnizimin me armë sulmuese në Ukrainë duhet të merret unanimisht nga e gjithë NATO. “Ne nuk jemi gati të ndërmarrim veprime vetëm,” tha Morawiecki. Polonia, vend anëtar i NATO-s, nuk është pjesë e luftës në Ukrainë, shtoi ai.

“Vdekje e ngadaltë”

Që nga fillimi i luftës, Ukraina i ka kërkuar Perëndimit t’i sigurojë avionë luftarakë në mënyrë që të jetë në gjendje të mbrohet nga sulmet ajrore ruse. “Nëse nuk na siguroni të paktën aeroplanë, që të mbrohemi, atëherë dëshironi që ne të vdesim ngadalë,” tha Presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj në një nga thirrjet e tij emocionale drejtuar botës perëndimore.

Pilotët e Forcave Ajrore të Ukrainës janë trajnuar vetëm në avionë luftarakë të tipit MiG-29 dhe Sukhoi-27. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), përveç Polonisë, në BE MiG-29 kanë Sllovakia dhe Bullgaria. Polonia i kishte marrë 28 avionët e saj nga Gjermania në fillim të viteve 2000 për shumën simbolike prej një euro./DW/

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Jep dorëheqje Duma, akuza të forta në drejtim të Lulzim Bashës

Story i radhës

Mos bëni gabim ta vrisni, pse ky insekt është i dobishëm për shtëpinë tuaj

Të fundit nga