Ajo që mund ta them unë, si Kryeministër, është se ne do të vazhdojmë të investojmë. Investimet kapitale dhe realizimi i investimeve kapitale janë prioritet për ne.
Nuk do të ndalemi këtu, në periudhën e ardhshme presim shumë investime të tjera, në të gjitha komunat në gjithë territorin e vendit. Në fillim të vitit të ardhshëm kemi një thirrje të re që komunat të aplikojnë me projekte të reja, projekte që do t’i japin vlerë cilësisë së jetës së qytetarëve.
Do të luftojmë me shumë punë, me shumë mund, me shumë energji kundër të gjithë atyre që duan të na tërheqin prapa në të kaluarën. Këtë presin qytetarët nga ne si Qeveri, ndërsa unë si personi i pari i Qeverisë do të vazhdoj të punoj në këtë drejtim.
Dua të shpreh falënderim të madh që sot këtu së bashku me kryetarin e Komunës dhe ministrin e Sportit janë edhe qytetarët që mund të dëshmojnë fillimin e punimeve, rindërtimin e këtij tempulli sportiv, i cili së shpejti duhet të realizohet. Ata janë dëshmitarë të të gjitha premtimeve në të kaluarën që fatkeqësisht nuk janë realizuar.
Më lejoni ta përshëndes punën e përkushtuar si të ministrit ashtu edhe të kryetarit të Komunës. Njëri në Ministrinë e Sportit, tjetri këtu në Komunë. Këshilltarëve që mbështesin punën e kryetarit të Komunës, administratës, deputetëve dhe të gjithë dashamirësve, sepse vërtet me vepra mund të tregojmë se sa shumë e duam atdheun tonë dhe mendoj se kështu duhet të sillemi si njerëz të cilët në një periudhë të caktuar të jetës së tyre në politikë kanë mundësi të lënë vlera të përhershme.
Edhe njëherë ju uroj punë të suksesshme. Urime edhe për projektin e filluar dhe uroj që shumë projekte të tilla të na presin në të ardhmen.