/Editorial i portalit indeks.mk/
Ka kohë që në skenën politike partia më e madhe opozitare po merr atributet e “VMRO-së së Mickoskit”. Nuk është gjë e rastit, sepse, pas një kohe të gjatë idili midis “ish-ave” dhe “të tashmëve” të kësaj partie, kur mbroheshin mes vete, tash po ka një plasaritje të madhe komunikimi, që po del sheshazi.
Nikolla Gruevski në kohën e tij ishte sinonim i udhëheqësit autokrat, rreth të cilit sillej gjithçka dhe atëherë fjala e tij ishte e fundit. Nuk kishte as gëk as mëk nga të tjerët kur ai fliste ose vendoste diçka. Ndër ata që atë kohë nuk i është ndier zëri, madje as emri, edhe pse ka qenë lartë në nomenklaturën e VMRO-së, ka qenë pikërisht Hristijan Mickoski, “gen-sek”-u (lexo: sekretari i përgjitshëm) i partisë, i cili sikur të mos ekzistonte fare!
Pikërisht ai ishte i zgjedhuri i Gruevskit kur ky u tërhoq nga funksioni i kryetarit të partisë. Shumë analistë kanë komentuar se Mickoski është zgjedhur për t’ia ruajtur partinë dhe vendin kur të kthehet një ditë! Që të mos jenë këto supozime pa bazë, Mickoski e dëshmonte në “vepër”: shpesh shkonte në vizitë në Budapest, ku mediat spekulonin se e takon Gruevskin dhe merr instruksione prej tij dhe e dyta, ai e kishte zor të pohonte se udhëheqës të VMRO-së kanë bërë vepra penale korruptive. Paditë kundër tyre, sot e kësaj dite i quan revanshizëm politik…
Por, çka po ndodh? A e ka ndërruar “kompasin” e veprimit politik “të pavarur” Micskoski, apo e ka humbur fare “busullën”?!
Si të merren akuzat nga partia e tij edhe në adresë të ish-it të parë të partisë, ku bëmat e tij i vënë në kontekst të kriminalitetit, që deri sot as që donin të dëgjonin? Gjë e paimagjinueshme?
Po çka qëndron prapa kësaj? Ndonjë princip?
Duket se është një pasiguri e madhe për karrierën politike të Hristijan Mickoskit, i cili u ik përgjegjësive shtetërore dhe ndoshta sheh diçka që publiku nuk e vëren, se brenda radhëve të partisë së tij mund të gjinden forca të cilat do të kyçen në “trenin evropian” dhe do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese. Në këtë kontekst ai përdor dyshimet si argument sikur ish-shfi i tij është pjesë e ndonjë “dilli” me qeverinë, dhe kjo e bën atë të pasigurt. Madje dhe ndryshimet e Kodit Penal, të cilin pushteti thotë se e ka harmonizuar me legjislatura të shteteve të BE-së, në mënyrë spekulative e quan si amnisti për pjesëtarët e pushtetit, ndonëse pikërisht nga radhët e partisë së tij mund të jenë ata që mund të përfitojnë më shumë, duke e ditur numrin e tyre.
Pra, kemi një situatë kaotike që po kalon VMRO-DPMNE, e në veçanti lideri i saj në panik se mos ndoshta ndryshimet kushtetuese do t’ia rrënojnë të gjithë kullën manipulative të kauzave që ai e ka ndërtuar në mënyrë populiste. Në këtë kaos, apo madje paranojë, Mickoski sheh vetëm armiq, jo më vetëm në radhët e pushtetit, por dhe në radhët e veta! Madje, për të mos mbetur i izoluar politikisht, ja, është në gjendje të kthehet edhe kundër ish “gurus” së tij politik.