Meta dekreton një tjetër anëtar, Gjykata e Lartë plotësisht funksionale

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta dekretoi sot emërimin e një tjetër anëtari të Gjykatës së Lartë. Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi, ishte propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative përmes procedurës së ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit. Me emërimin e sotëm Gjykata e Lartë bëhet me 13 nga 19 anëtarë që duhet të ketë, gjë e cila e lejon atë të ushtrojë plotësisht të gjitha funksionet. Me 13 anëtarë, Gjykata ka kuorumin e nevojshëm (2/3 e anëtarëve) për t`u mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara.

Sipas presidentit Meta “Gjykata e Lartë, pas 5 vitesh në pamundësi për ta ushtruar këtë funksion themelor të saj, nga sot mundet të ndryshojë/unifikojë praktikën gjyqësore. Nga sot ajo rikthehet në funksionalitet për të shqyrtuar çështje në Kolegje të Bashkuara dhe për të përmbushur plotësisht misionin dhe autoritetin e saj sublim për çështje që kanë nevojë për kuptimin dhe unifikimin e zbatimit të ligjit, duke i siguruar kështu të gjithë sistemit gjyqësor zhvillimin/ndryshimin e praktikës gjyqësore, unifikimin e jurisprudencës, dhe një qëndrim uniform lidhur me çështje të ndryshme juridike në funksion të interesit publik, në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në dhënien e drejtësisë. Ky mund të duket një hap i vogël përpara, por juristët dhe vet Gjykata e Lartë e kuptojnë shumë mirë se është nga më të rëndësishmit”, theksohet në njotimin e presidencës për emërimin e anëtarit të ri të Gjykatës së Lartë.

Gjyqtari Ngresi kaloi me sukses të dyja shkallët e vettingut. Në Kolegjin e Apelit, ai u rikonfirmua në detyrë, në nëntor të vitit të shkuar, përkundër ankimimit të Komisionerit publik.

Për shkak të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve i cili nisi nga maja e piramidës së sistemit të drejtësisë, Gjykatat më të rëndësishme të vendit ose mbeten të bllokuara për një kohë të gjatë ose punuan me kapacitet të kufizuar. Aktualisht si Gjykata Kushtetuese, dhe ajo e Lartë ende nuk janë plotësuar me të gjithë anëtarët e tyre. Ndërkohë që një goditje të fortë kanë marrë gjykatat e Apelit, të cilat kanë mbetur me një numër shumë të kufizuar anëtarësh.

Për këtë arsye, presidenti Meta bëri thirrje që “Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dhe gjithë institucionet e tjera shtetërore të përfshira apo në mbështetje të këtyre proceseve, duhet të angazhohen me të gjitha burimet dhe me vullnet për të bërë sa më shpejt funksionale me kapacitet të plotë Gjykatën e Lartë, Gjykatës Kushtetuese, dhe sistemin e ndjekjes penale”. Sipas Kreut të Shtetit, edhe “institucionet e tjera shtetërore të përfshira apo në mbështetje të këtyre proceseve, duhet të ofrojnë dhe të mos bëhen pengesë për punën e organeve qeverisëse të sistemit, të ofrojnë gjithë informacionin e nevojshëm, në mënyrë serioze, duke vlerësuar rëndësinë që ka kjo çështje dhe jashtë çdo ndikimi”./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Distria Krasniqi fiton medaljen e artë në Gjeorgji

Story i radhës

Mediat serbe pyesin zv.kryeministrin Bislimi a është e obligueshme Kosova ta zbatoj marrëveshjen për Asociacionin, ja si përgjigjet

Të fundit nga