Mes incidenteve me armë, amerikanët të ndarë mbi çështjen e armëmbajtjes

Mes sulmeve të vazhdueshme me armë në Shtetet e Bashkuara, amerikanët mbeten të ndarë mbi mënyrën se si duhet ulur numri i viktimave nga incidentet me armë. Dhuna me armë u merr jetën dhjetëra mijëra njerëzve çdo vit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan bisedoi me disa ekspertë për zgjidhjet e mundshme.

Në një incident me armë në një shkollë në Tenesi, më 12 prill humbi jetën një nxënës dhe një oficer policie u plagos.

Në Xhorxhia, tetë vetë u vranë muajin e kaluar në tre sallone bukurie, gjashtë prej tyre gra aziatike.

Dhjetë vetë u vranë në një supermarket në Kolorado më pak se një javë më vonë. Në Kaliforni, katër të vdekur, përfshirë një 9-vjeçar që u vra më 31 mars.

Udhëheqësit e vendit kanë mbetur pa fjalë.

“Unë madje e urrej ta them këtë sepse ne po e themi kaq shpesh, shpreh keqardhje për familjet e viktimave. Mendimet dhe lutjet tona janë me të mbijetuarit”, tha Presidenti Biden.

Gjendja është edhe më e rëndë. Vitin e kaluar, gati 20,000 amerikanë vdiqën nga dhuna me armë. 24,000 të tjerë u vetëvranë me armë, sipas organizatës Arkivi i Dhunës me Armë. Amerikanët mbeten të ndarë mbi çështjen e armëmbajtjes.

“Shumë njerëz mendojnë se ka shumë armë në Amerikë dhe se çelësi për të zvogëluar dhunën me armë, që është bërë tepër e zakonshme në Shtetet e Bashkuara, është kufizimi i qasjes tek llojet e caktuara të armëve. Gjysma tjetër e vendit është plotësisht e bindur se mënyra më e mirë për të zvogëluar dhunën me armë është shtimi i armëve”, thotë Adam Winkler, studiues i kushtetutës në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos.

Të paktën 40 për qind e amerikanëve jetojnë në një shtëpi me armë, thuhet në një studim të vitit 2017 nga Qendra Kërkimore Pew.

Mbështetësit e armëmbajtjes thonë se kjo është një e drejtë e përcaktuar në kushtetutë.

Ngushtimi e hendekut është i vështirë, thotë studiuesi Winkler, i cili përshkroi këtë polarizim në një libër, por vuri në dukje se disa shtetet kanë forcuar kufizimet.

Dhuna me armë është një problem i shëndetit publik thekson analisti David Hemenway.

“Qasja nga aspekti i shëndetit publik ka qenë shumë e dobishme gjatë 150 viteve të fundit në përpjekjet për ta bërë botën më të sigurt”, thotë David Hemenway nga Universiteti i Harvardit.

Ai thekson se jetëgjatësia është dyfishuar në atë periudhë, falë përmirësimit të higjienës publike, kontrollit të sëmundjeve infektive dhe masave të tjera:

“Ne nuk i kemi ndaluar cigaret, por kemi bërë hapa shumë të mirë për këtë. Nuk i kemi ndaluar makinat, por kemi përmirësuar sigurinë e automjeteve.”

Zoti Hemenway thotë se përmirësimet në sigurinë automobilistike mund të shërbejnë si një model. Për më shumë se 60 vjet, vdekjet për distancë të vozitjes së makinave kanë rënë 85 përqind falë rripave të sigurisë dhe masave të tjera.

Asnjë zgjidhje e vetme nuk do të eleminojë dhunën me armë, thotë ai, por përdorimi i modeleve të suksesshme për të përcaktuar se çfarë është efektive dhe krijimi i një aleance me mbështetësit e armëmbatjes do të ndihmonte në këtë drejtim.

E drejta e armëmbajtjes dhe rregullimi i tregut të blerjes së armëve janë të dyja pjesë të historisë amerikane, por eksperti kushtetues Winkler thotë se është e vështirë të gjesh gjuhë të përbashkët në një vend të polarizuar. Megjithatë, ai thotë se shtete individuale po zgjerojnë kontrollet e biografisë dhe po mbyllin boshllëqet duke respektuar të drejtën për të mbajtur armë.

“Unë mendoj se si shoqëri ne duhet të tejkalojmë ekstremet e të dyja palëve, ku njëra palë këmbëngul se kemi të drejtë të mbajmë armë dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj kontrolli ndaj armëve dhe pala tjetër që argumenton se ne nuk kemi të drejtë të mbajmë armë dhe kemi nevojë për më shumë kontrollë të armëve dhe heqjen e armëve”, thotë studiuesi Adam Winkler.

Ekspertët thonë se dhuna me armë nuk do të eliminohet kurrë plotësisht dhe debati është i vështirë në këtë mjedis të polarizuar, por amerikanët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për të ulur numrin e tragjedive./VOA

Ngjarja paraprake

Bashkoni gishtin e madh me atë të voglin, do të befasoheni me atë që do mësoni

Ngjarja e ardhëshme

Zbërthehet dosja, i penduari tregon skemën: Si i ndryshonin serinë armëve të shtetit dhe i shisnim

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian